Në një kohë kur shërbimet e inteligjencësSHBA-së dhe presidenti amerikan Joe Biden kanë paralajmëruar se Rusa mund të sulmoje Ukrainën javën që vjen, Shqipëria u ka bërë thirrje shtetasve të saj që të largohen sa më parë nga Ukraina. Në një njoftim zyrtar, Ministria e Jashtme, thekson se po ndjek me vëmendje zhvillimet pranë kufirit ukrainas, dhe duke marrë parasysh rrezikun e besueshëm të përshkallëzimit të situatës, MEPJ këshillon të mos udhëtohet drejt Ukrainës.

‘Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është duke ndjekur me kujdes zhvillimet pranë kufirit ukrainas.  Duke marrë parasysh rrezikun e besueshëm të përshkallëzimit të situatës, MEPJ këshillon të mos udhëtohet drejt Ukrainës. Gjithashtu, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i bën thirrje shtetasve shqiptarë që të largohen nga Ukraina sa më parë.

Qytetarët e Republikës së Shqipërisë që ndodhen në Ukrainë mund të kontaktojnë për asistencë në numrat: +48 22 824 14 27;  +48 501 194 910; ose në adresat e emailit: [email protected];   [email protected] [email protected] Qytetarët shqiptarë ftohen që të informohen përmes kanaleve të komunikimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.’- njofton MEPJ.

Edhe SHBA dhe Britania e Madhe i kanë bërë thirrje qytetarëve të saj të largohen sa më shpejt nga Ukrainë, pasi në rast fillimi lufte do e kenë të pamundur evakuimin e tyre.  Po sot gazeta e njohur gjermane “Der Spiegel” shkruan se pushtimi mund të ndodhë ditën e mërkurën. 

Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria dhe SHBA do të jenë bashkëpenëmbajtës të çështjes së Ukrainës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo do të thotë se Shqipëria do të ketë rol aktiv në vendimmarrjen në Këshillin e Sigurimit në lidhje me tensionet Ukrainë-Rusi. Përmes qëndrimeve të unifikuara me SHBA, Shqipëria do të ketë bashkëautorësinë në planet për paqe dhe qëndrimeve lidhur me këtë konflikt.

Rusia, e cila ka më shumë se 100.000 trupa pranë kufijve të Ukrainës, mohon akuzat perëndimore se mund të planifikojë të pushtojë ish-fqinjën e saj sovjetik. Franca, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s kanë refuzuar kërkesat e Moskës për të përjashtuar mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në aleancën perëndimore të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore.

Imazhe satelitore të publikuara nga një kompani private amerikane tregojnë dislokime të reja ushtarake ruse pranë Ukrainës. Përveç 8,500 trupave që janë vendosur tashmë në gatishmëri për t'u dislokuar në Evropë nëse është e nevojshme dhe 3,000 trupave që administrata e Shteteve të Bashkuara po dislokohen në Poloni dhe Rumani.