Ushtria serbe në kufi, Rama nga Prishtina: Manovra teatrale-luftarake, serbët e Kosovës janë pengje të Serbisë! E drejta është me Prishtinën dhe pikë

PRISHTINË-Situatat e vështira testojnë miqësitë e vërteta. Duket se kjo 'formulë' ka funksionuar së fundmi edhe për 2 kryeministrat e 2 shteteve shqiptare në rajon, Edi Ramës dhe Albin Kurtit. Pas 'akujve' të muajve të fundit ata janë shfaqur më të afruar dhe pa tone kritike ditën e sotme në Prishtinë, teksa vëmendja ishte e fokusuar në situatën e tensionuar në Veri të Kosovës, ku në kufi çdo ditë e më shumë afrohen tanket dhe helikopterët ushtarakë serbë. Rama tha se me vëllanë të lidh gjaku, e shkuara dhe ardhmja, ndërsa të dy liderët shkëmbyen edhe një përqafim në përfundim të konferencës për shtyp.

Nga Prishtina mesazhet ishin të qarta për Serbinë nga Kryeministri i Shqipërisë. Konflikti i krijuar ditët e fundit dhe lëvizjet e ushtrisë serbe në kufi janë për Ramën shfaqje teatrale-ushtarake që mbajnë peng serbët e Kosovës të cilët sipas tij janë më të sigurt se kurrë. Për kryeministrin shqiptar e drejta është me Kosovën dhe këtu nuk ka asnjë dyshim. Këto deklarata Rama i bëri në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun Albin Kurti, gjatë vizitës zyrtare në Prishtinë.

Kurti njoftoi se në gjysmën e dytë të nëntorit do të zhvillohet mbledhja e përbashkët e 2 qeverive në Durrës, teksa nënvizioi se në pjesën dërmuese të bisedës së 2 delegacioneve është biseduar mbi projektet e përbashkëta të Shqipërisë dhe Kosovës dhe jo për Ballkanin dhe 'Open Balkan'. Kurti tha se Gentian Sala është emëruar koordinator për mbledhjet e përbashkëta të qeverive Shqipëri-Kosovë.

Edhe Kryeministri i Kosovës, i pyetur për situatën në Veri, fajësoi shtetin serb për tensionet. Ai tha se forcat speciale kosovare s'janë në kufi për të demonstruar forcë por për të mbrojtur policët kosovarë atje.

Rama u prit në orën 09:00 me ceremoni zyrtare nga Kurti. Pas këndimit të himneve të të dyja shteteve, dy kryeministrat u takuan me delegacionet përkatëse. Në vizitën e tij në Kosovë, Rama u shoqërua nga një pjesë e kabinetit të tij, Taulant Balla, Elisa Spiropali, Delina Ibrahimaj, Bledi Çuçi, Evis Kushi, Mirela Kumbaro, Elva Margariti dhe Eduard Shalsi.

Rama u takua sot edhe me tre liderët e opozitës: Ramush Haradinaj, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku. Gjatë qëndrimit në Kosovë, Rama dekoroi edhe akademikun, Rexhep Qosja, të cilin e nderoi  me Kordonin e Madh me Yllin e Medaljes së Kryeministrit për Mirënjohje Publike. Pas formimit të qeverisë së re, kjo është vizita e parë zyrtare e kryeministrit Edi Rama në Kosovë, me ftesë të kryeministrit Albin Kurti. 

Delegacioni shqiptar në Prishtinë:

Edi Rama, Kryeministër

Qemal Minxhozi, Ambasador i RSH në Kosovë

Bledi Çuçi, Ministër i Punëve të Brendshme

Delina Ibrahimaj, Ministër i Financave dhe Ekonomisë

Evis Kushi, Ministër i Arsimit dhe Sportit

Elva Margariti, Ministër i Kulturës

Mirela Kumbaro, Ministër i Turizmit dhe Mjedisit

Elisa Spiropali, Ministër Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin

Taulant Balla, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste

Eduart Shalsi, Deputet i PS në qarkun e Tiranës

Endri Fuga, Drejtor i Komunikimit

Odeta Barbullushi, Këshilltare për çështjet e Ballkanit Perëndimor

 

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:52
Vizita në Kosovë, Rama zhvillon takime me dyer të mbyllura me tre liderët e opozitës

Edi Rama në selinë e PDK

I pranishëm në një vizitë zyrtare në Kosovë, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takime edhe me 3 liderët e opozitës në vend. Fillimisht ai ka takuar kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, takim që u zhvillua me dyer të mbyllura.

Abdixhiku shkroi në Facebook pas takimit se raportet ndërshqiptare, janë bazamenti i suksesit të dy vendeve.

“Sot, me bashkëpunëtorë, në selinë e LDK-së, prita në takim Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Diskutuam mbi relacionet e dy vendeve; situatën e krijuar në veri; si dhe të ardhmen e përbashkët në familjen euro-atlantike. Kryeministrin Rama e falënderova për përkrahjen që po i jep Kosovës në proceset e rëndësishme. Po ashtu, nga ai, mora ftesë për një vizitë zyrtare në Shqipëri, të cilën do ta realizojë së shpejti. Raportet ndërshqiptare, janë bazamenti i suksesit tonë. Për këtë, unë dhe LDK jemi të përkushtuar pa hezitim”, tha ai.

Më pas Rama takoi edhe kreun e PDK-së, Memli Krasniqin, ku ky fundit thotë e fokusi i bisedës ishte thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve.

"PDK e vlerëson jashtëzakonisht të rëndësishëm thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, për çfarë u pajtuam për nevojën e forcimit të mëtejmë të lidhjes dhe koordinimit aq të nevojshëm në mes nesh. Për këtë qëllim, konsideroj se mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, si format i iniciuar nga periudha e qeverisjes së PDK-së, duhet të vazhdojë e të zgjerojë temat e rëndësisë së përbashkët", shkruan ai në Facebook.

Rama u prit edhe nga Ramush Haradinaj, kreu i AAK-së.

 

 

Ora 12:59
Mesazhet e Ramës nga Prishtina 'tërbojnë' mediat serbe: Na sulmoi, na tha 'e kanë humbur luftën'

1632726942_edirama.jpg

Mesazhet e Kryeministrit Rama sot në Prishtinë nuk i kanë shpëtuar mediave serbe, disa prej të cilave i kanë konsideruar si sulm. Në median e mirënjohur serbe B92 shkruhet se Rama akuzoi Serbinë për manovra teatrale luftarake e të tjera akte.

Madje media shkruan se Rama i kujtoi edhe humbjen e luftës Serbisë.

 

Ora 11:38
Kurti: Nuk kam informacion se KFOR do të ndërhyjë në Veri! Të gastshëm për dialog në Bruksel, por Serbia s'ka pranuar

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se nuk ka informacion se KFOR po përgatitet të ndërhyjë në Veri të vendit. Kurti u shpreh se vendimet që ata marrin nuk janë politike, duke shtuar se ka biseduar me Komandantin e Përgjithshëm të KFOR dhe se është i interesuar që situata të qetësohet. Sipas Kurtit, ata janë shprehur të gatshëm për të dialoguar në Bruksel, por kjo është refuzuar nga Serbia.

"Vendimet tona nuk janë të pastra politike, janë të sigurisë. Ne nuk marrim vendime pa vlerësimet që vijën nga Policia e Kosovës. Ne shkëmbejmë informacione me KFOR. Nuk kam informacion për përgatitje për ndërhyrje të KFOR. Jemi të hapur për bisedime, të gatshëm të udhëtojmë në Bruksel. Kjo është refuzuar nga Beogradi. Komandanti i Përgjithshëm i KFOR është i interesuar që situata të qetësohet dhe të kthehemi në paqe e siguri të plotë. Bashkëpunimin e kemi jo të përditshëm, por ndonjëherë edhe çdo orë", tha Kurti.

Ora 11:26
Rama dhe Kurti rregullojnë marrëdhëniet, kryeministri: Vëllanë nuk e zgjedh, të lidh gjaku e shkuara dhe e ardhmja! Përqafohen pas konferencës

 

Më të afruar dhe pa tone kritike janë shfaqur kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij Albin Kurti ditën e sotme në Prishtinë. Rama tha se me vëllanë të lidh gjaku, e shkuara dhe ardhmja, ndërsa të dy liderat shkëmbyen edhe një përqafim në përfundim të konferencës për shtyp. Rama tregoi edhe një 'konflikt' të vjetër me Kurtin, kur tha me batutë se nuk pretendon të jetë ‘vëllai i madh’ i Kurtit pasi ky i fundit nuk do të pranonte kurrë.

"Kur vëllai i vogël ka një hall, thotë t'i madhi duhet ta mbështetës, po kur i thua më dëgjo dhe mua, nuk dëgjon. Unë nuk pretendoj të jem vëllai i madh këtu, aq më tepër vëllai i Albinit, i cili është më i ri, nuk do të pranonte ta quante veten vëllai im i vogël. Unë jam i bindur që 'Ballkani i Hapur' është i vetmoi veprim strategjik që ne mos të ngecim të baltën e së shkuarës dhe t'i marrim potencialin tonë maksimumin. Ballkani i Hapur është vetëm marrja në zotërim e Procesit të Berlinit dhe përshpejtimi i tij. Duke mos pritiur që axhendat të na i bëjnë të tjerët por duke çuar përpara drejtimin e këtyre nismave të nevojshme. Unë e kuptoj se Kosova e ka të nxehtë plagën, por forca duhet të jetë shumë e madhe për të parë më tutje sepse Kosova e ka fituar luftën. Lufta ka mbaruar, të mos humbasim kohë për paqen, për të ardhmen. Vëllain dhe fqinjin nuk i zgjedh, me vëllain të lidh gjaku, familja, e shkuara e ardhmja. Me fqinjin të lidh fakti që e ke aty, sido të jetë. Gjyshja ime thoshte nuk ka shtëpi të lumtur me fqinjë të pakënaqur. Përpjekja për 'Ballkanin e Hapur' nuk e tjetërson betejën diplomatike për njohjen e Kosovës", tha Rama.

Ora 11:07
Kurti: Forcat tona speciale s'janë në kufi për të demonstruar forcë por për të mbrojtur policët! Deri tani 10 mijë makina serbe kanë marrë targat e përkohshme, zero incidente

 

10 mijë makina serbe kanë marrë targat e përkohshme në pikat kufitare dhe asnjë incident nuk është regjistruar. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se forcat tona speciale s'janë në kufi për të demonstruar forcë por për të mbrojtur policët kosovarë atje.

 "Sot kam pritur komandantin e KFORI-it. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me ndërkombëtarët dhe mekanizmat e tyre të sigurisë. Forcat tona speciale janë në pikat kufitare që të mbrojnë pikat kufitare dhe policët kufitare. Nëse nuk do të ishin forcat tona speciale atje, policët tanë kufitare do të ishin rrezikuar seriozisht. Ka kaluar shifra prej 10 mijë automjetesh që kanë ardhur nga Serbia dhe i kanë marrë targat e përkohshme. Asnjë incident në asnjë pikë kufitare. Ku ka polici të Kosovës nuk ka incidente. Policia e Kosovës është tejet profesionale dhe korrekte, shumë kurajoze. Unë i jam shumë mirënjohës. Ne kemi bërë një ofertë, që t'i heqim të gjithë targat e përkohshme, të lëvizim të lirë", tha ai.

Ora 11:04
Rama: Nuk kam pasur bisedë me Vuçiç! Çfarë donte ambasadori rus në kufi, kjo është shkrepësja që ndez ato zyrat e shtetit

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar se nuk ka pasur asnjë komunikim me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, për çështjen e reciprocitetit të targave. Gjatë një konference për mediat në Kosovë, Rama tha se në këtë çështje nuk ka se çfarë të ndërmjetësohet, pasi e drejta është me Kosovën dhe kjo është shumë e qartë. Kryeministri Rama po ashtu kritikoi djegien e qendrave të regjistrimit në pikat kufitare, si dhe për fluturimin e helikopterëve mbi këto pika, ndërsa ngriti edhe pyetjen se “Çfarë donte ambasadori rus atje?”, duke e cilësuar këtë si një teatër të rrezikshëm.

‘Nuk kam pasur një bisedë me Vuçiç, apo siç thonë ato bashkëkombasit ne rrjetet e mia sociale, me vëllain tim Vuqiqi, nuk ka çfarë ndërmjetësohet, këtu jemi në kushtet kur e drejta është me Kosovën dhe kaq kjo është shumë e qartë. Kështu që ne jemi në krah të Kosovës siç është i gjithë komuniteti ndërkombëtar, leximi çuarjes së njësive speciale si një arsye për të bërë Teatër në Serbi është leximi më i gabuar. Parafytyroni sikur të ndodhte diçka, i takon kryeministrin në krah të marrë vendimet e duhura që kjo të shërbejë për ta çuar para dialogun dhe mos të ngrij konfliktin. Unë e kam mbështetur tarifën 100% për të shtruar një problem të drejtë, por ajo tarifë u kthye në litar, për shkak se kaloi nga në akt për të shtruar problemin në një problem. Këtu nuk ka çfarë të ndërmjetësohet, ato djegiet e institucioneve nuk i provokojnë forcat legjitime të rëndit dhe të sigurisë së Kosovës. Dua ta përsëris se djegiet e institucioneve nuk i provokojnë forcat legjitime të rendit dhe sigurisë së Kosovës, ato djegiet atje i provokojnë ato fluturimet akrobatike të avionëve e helikopterëve, dhe marrja peng e qytetarëve të Kosovës, në kushtet e një dialogu që nuk ecën si duhet. Jam i bindur që dialogu është e vetmja rrugë, por çfarë do ambasadori rus? Imagjinoni sikur ambasadori amerikan të shkonte në kufi e të shikonte çfarë bëjnë njësitë speciale. Natyrisht që ky është një teatër, por është teatër i rrezikshëm, sepse është shkrepësja që djeg institucionet' - tha Rama.

Ora 11:00
'Open Balkan', Rama: Me Albin kemi mosdakordësi politike, por s'ndikon marrëdhëniet tona! E pashmangshme dita kur Serbia do ta njohë Kosovën

 

Mosdakordësinë për iniciativën 'Open Balkan' me Albin Kurtin, kryeministri Edi Rama e ka konsideruar vetëm politike, por që nuk ndikon në marrëdhëniet mes tyre. Rama tha se themeli i dakordësisë mes tyre është kombëtare e vëllazërore. Në Prishtinë, Rama theksoi edhe njëherë se nisma 'Open Balkan' është rruga e Rajonit për të mirën e përbashkët. Sipas Ramës, dita kur Serbia do ta njohë Kosovën është e pashmangshme.

"Kam pas shumë mesazhe këto ditë për shkak të situatës së krijuar nga Kosova, ku pavarësisht toneve, thelbi ishte: 'po tani a je i bindur që nuk bëhet Ballkani i Hapur me Serbinë?'. Por tani jam dhe më i bindur që 'Ballkani  Hapur' është rruga jonë e përbashkët, për të mirën tonë të përbashkët. Natyrisht që kemi mosdakordësi në këtë pikë me Albinin, por kjo është mosdakordësi e natyrës politike dhe ne duhet ta trajtojmë si të tillë, marrdhëniet tona nuk ndikohen në shëndetin e tyre se kemi këtë mosdakordësi. Themeli i dakordësisë sonë është kombëtare, vëllazërore dhe përtej çdo mosdakordësie tjetër politike. Është e pashmangshme dita kur Serbia do ta njohë Kosovën dhe do të vijë kërkesa e pashmangshme e faljes nga Serbia për krimet e paharrueshme në Kosovë. Pyetja është çfarë mund të bëjmë ne për ta afruar atë ditë. Por këto arsyetime nuk janë kurrsesi arsye për të vënë në pikëpyetje dashurinë për atdheun dhe vëllazërinë dhe respektin për njëri-tjetrin. Dashurinë për Shqipërinë nuk e kam ndarë nga dashuria për Kosovën", tha Rama.

Ora 10:52
Rama: Çështja e Kosovës, përparësi e Shqipërisë në OKB! Mbledhja mes dy qeverive do mbahet në Durrës

Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Albin Kurti në Kosovë, ka folur edhe për pozicionin e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Sigurisë në OKB, ku tha se çështja e Kosovës do të jetë përparësi e vendit tonë.

‘Kemi shtruar për diskutim tema të rëndësishme, me qëllim bashkëpunimin dhe rritjen e konvergjencës mes dy shtetesh. Jemi të motivuar bashkarisht, dhe ishte shumë e qartë. Këto marrëdhënie të shkojnë në një nivel tjetër. Të gjitha marrëveshjet të zbatohen dhe të tjera çështje të shtrohen për zgjidhje dhe të zgjidhen. Kemi dakordësuar për vendosjen e një personi kyç si koordinator i përpjekjes së përbashkët, pasi ka dhe dy pasaporta. Gëzon edhe besimin e plot të dy ne. Do jetë një ndihmë për të mos lejuar që burokracia të bëjë atë që bën gjithmonë. Duam të konfirmojmë vullnetin e plotë që marrëdhëniet mes dy qeverive tona të lidhin edhe më fort dy shtetet shqiptare. Në javën e fundit të nëntorit do të mbahet mbledhje në Durrës.  Çështja e Kosovës është përparësi e Shqipërisë në OKB, pas marrjes së pozicionit si anëtare jo e përkohshme e Këshillit të Sigurisë.’- tha Rama.

Ora 10:49
Reciprociteti për targat, Rama: E drejta këtu është me Kosovën dhe pikë! Serbia po e bën mizën buall

 

Për çështjen e reciprocitetit për targat, që ka sjellë tensione mes Serbisë dhe Kosovës, Kryeministri Edi Rama tha sot se e drejta është me Kosovën. Nga Prishtina, Rama tha se Serbia po e bën mizën buall dhe se demonstrimet ushtarake në kufi duhet tja lënë vendin demonstrimeve të arsyes. Sipas Ramës, ky konflikt mes dy vendeve duhet zgjidhur me dialog dhe se janë të gjitha mundësitë për ta bërë këtë

"Është e drejtë legjitime  e Kosovës dhe marrëveshje e arritur me kohë mes dy qeverive. Qëndrimi i Shqipërisë që e gjykoj të qartë dhe që mbete i pandryshuar qysh nga çasti i parë që u shfaq ky konflikt. E drejta këtu është me Kosovën dhe pikë! Nuk është me Serbinë. Po e bën mizën buall a thua se qeveria e Kosovës ka paralajmëruar luftë, por thjeshtë po zbaton një marrëveshje. Askush nga partnerët e Kosovës nuk e diskutuan domosdoshmërinë e konsolidimit të reciprocitetit të targave, duhet bërë kujdes që çuarja e njësive special në atë zonë, të mos kthehet në një problem mes Kosovës dhe miqve ndërkombëtar. Qeveria shqiptare ndan bindjen se problemi duhet zgjidhur me dialog dhe janë të gjitha mundësitë për t'u bërë kjo., Demonstrimet ushtaraket duhet tja lënë vendin demonstrimeve të arsyes. I takon qeverisë së Kosovës të vendosin se si do ta trajtojnë më tej këtë situatë delikate, por kjo është mundësi e mirë për ta treguar edhe njëherë gatishmërinë për dialog të barabartë dhe për ta çuar dialogun në një nivele të ri", tha Rama.

Ora 10:44
Ushtria serbe në kufi me Kosovën, Rama: Manovra teatrale-ushtarake, gjeneralë të ushtrisë së humbur serbe sikur ngrihen nga varri! Serbët e Kosovës, pengje të Serbisë

 

I ashpër ishte Kryeministri Rama me lëvizjet e ushtrisë serbe në kufi me Kosovën ditët e fundit dhe situatën delikate të krijuar atje.

"Shqipëria si anëtarë jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit do të ketë prioritet njohjen e Kosovës, si mbyllje e natyrshme edhe formalisht e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Serbia duhet ta njohë këtë realitet të pakthyeshëm. Sot jemi dëshmitarë të manovrave teatrale-ushtarake të Serbisë në kufirin me Kosovën. Ato në fakt nuk mbrojnë serbët në kufi, siç pretendojnë vetë qeveria e Kosovës dhe disa gjeneralë të ushtrisë së humbur të Serbisë në luftën me Kosovën. Qytetarët serbë në Kosovë jetojnë shumë të sigurt. I paguhen edhe faturat e energjisë elektrike si askund në botë. Institucionet atje janë pikërisht për t'i shërbyer atyre qytetarëve serbë, të cilët janë pengje të stanjacionit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë", tha Rama atje.

Ora 10:42
Kurti: Do punojmë për një treg unik, që qytetarët dhe mallrat të lëvizin sa më lirshëm! Në nëntor mbledhje e përbashkët mes dy qeverive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë takimit me kreun e qeverisë Edi Rama në Prishtinë, ka zbuluar edhe diskutimet që kanë zhvilluar sot. Kurti tha se do të punojmë për një treg sa më unik, që qytetarët dhe mallrat të lëvizin sa më lirshëm. Po ashtu ai njoftoi se në gjysmën e dytë të muajit nëntor do të mbahet një mbledhje e përbashkët mes dy qeverive. Kurti tha se Gentian Sala është emëruar koordinator për mbledhjet e përbashkëta të qeverive Shqipëri-Kosovë.

'E uroj për mandatin e ri. Mandatet i kemi marrë në një kohë me plot sfida përballje me pandeminë, rimëkëmbja ekonomike janë disa prej sfidave tona. Kosova i gëzohet progresit në Shqipëri. Ne mbetemi në gadishmëri për të realizuar sfidat. Ne duhet të rrisim bashkëpunimin për më shumë drejtësi, barazi zhvillim e mirëqenie për zhvillimin e shqiptarëve. Ndërlidhja ndërmjet dy vendeve dhe heqja e barrierave është domosdoshmëri. Do të punojmë që tregu të jetë sa më unik, që qytetarët dhe mallrat të lëvizin sa më lirshëm. Biseduam për të gjitha fushat për qeverisjen tonë të mirë dhe e shohim si të rëndësishme koordinimin dhe sinkronizimin gjithë andej. Biseduam edhe për avancimin e marrëveshjeve tona të mëparshme. Mbledhja përbashkët në gjysmën e dytë të muajit nëntor. Do të kemi një sekretariat koordinuas për dy vendet dhe të udhëhiqet nga Gentian Sala, që ka dy pasaporta.'- tha Kurti.

Ora 09:12
Rama pritet në ceremoni shtetërore nga Albin Kurti! Kreu i qeverisë u shtrëngon dorën delegacionit kosovar, Kurti përshëndet me grusht përfaqësuesit shqiptar

1632727029_1632726467page.jpg

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Prishtinë për vizitë zyrtare nga ky u prit në një ceremoni shtetërore nga kryeministri Albin Kurti. Gjatë pritjes zyrtare u vu re përshëndetja ndërmjet dy delegacioneve, ku kryeministri Edi Rama, takoi ministrat e qeverisë Kurti të cilëve kreu i qeverisë iu shtrëngoi dorën. Ndërkohë që kryeministri Kurti përshëndeti me grusht delegacionin shqiptar. 

M.Q.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë