Rama: Të përdorim diplomacinë, shqiptarët në Preshevë harrohen, serbët në Kosovë më të përkëdhelurit! Tensionet në veri të zgjidhen me dialog, ‘boomerang' nëse ndodh si me tarifën 100%

Turin e takimeve në Kosovë kryeministri Edi Rama e ka ndalur në një bashkëbisedim me studentë të Universitetit të Prishtinës. Gjatë një bisede me një grup studentësh të marrëdhënieve ndërkombëtare, Rama foli shkurtimisht për rolin e politikës, ndërsa theksoi se pa të Kosova sot nuk do të ishte sovrane.

"Shumë bëjnë një gabim elementar kur thonë unë nuk merrem me politikë smë intereson politika. Në sa më pak duar të mbetet politika aq më shumë ekziston rreziku që politika të himbasë mprehtësinë për të dëgjuar njerëzit. Kam respekt për të rinj që nuk e refuzojnë politikën dhe angazhimin në politikë. Çdo  gjë që hasim kur dalim nga shtëpia është përtej fuqisë tonë individuale prandaj duhet politika. Pavarësisht se politika në historinë e njerëzimit ka bërë jo pak të këqija, pa politikë sdo kishte pasur as liri dhe të drejta. Pa politikë sdo kishte asgje, sdo kishte as Kosovë sovrane sot", tha Rama.

Gjatë takimit Rama u ndal edhe te të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ndërsa theksoi se kur flitet për marrëdhënie mes Serbisë-Shqipërisë dhe Kosovës, për të zhvilluar një marrëdhënie konstruktive, harrohet se në Serbi jetojnë shqiptarë. Ai tha se për të zgjidhur çështjet që lidhen me shqiptarët, një pakicë jo e vogël në Serbi, duhet të përdoret fuqia e diplomacisë.

"Kur flitet për marrëdhëniet me Kosovën dhe Serbinë shpesh harrohet se atje ka dhe shqiptarë që kanë nevojë për mbështetje të dyfishtë, nga qeveria dhe shteti i Shqipërisë dhe nga i Kosovës. Të falënderoj për pyetjen, pasi na ndihmon që të korrnizojmë debatin, jo thjesht te çështja e Luginës së Preshevës. Ata që banojnë në Luginë apo ata që janë të lidhur me të, kur flitet për marrëdhënies mes Serbisë-Shqipërisë dhe Kosovës, për të zhvilluar një marrëdhënie konstruktive, harrohet se në Serbi jetojnë shqiptarë. Bëhet fjalë për një pakicë të rëndësishme kombëtare, që kanë nevojë për mbështetje të dyfishtë, nga jashtë, nga qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, por dhe një mbështetje nga brenda e çuarjes përpara e emrave që iu interesojnë. Kjo është e lehtë ta thuash dhe shumë më e vështirë që ta bësh. Mospasja parasysh e këtij fakti nuk na ndihmon se si mund t’i avancojmë liritë dhe të drejtat e atyre që jetojnë në Luginën e Preshevës. Mekanizmi diplomatik që ka të bëjë te marrëdhëniet mes nesh dhe Serbisë është i patjetërsueshëm. Nga moskonsiderimi i tij, vjen humbja e një prej elementeve. Ne i kemi bërë disa hapa. Jemi në kontakt dhe i keni bërë disa përpjekje lehtësuese për komunikimin mes tyre. E drejta është se në Luginë ka një jetë politike jo të varfër dhe ka njerëz me vullnet, me ambicie që duan të shfrytëzojnë politikën për të përmirësuar kushtet e jetës atje. Ka shumë për të bërë, por një gjë jam i bindur që sado të ndihmojmë së jashtmi, edhe për shkak të mjeteve të kufizuara financiare që kemi, qoftë Shqipëria, qoftë Kosova, është me rëndësi që t’i mbështesim ata edhe së brendshmi. Ne do të punojmë në të gjitha këto plane, asnjë nga ato nuk mjafton. Duhet të përdorim sa të jetë e mundur fuqinë e diplomacisë. Qytetarët serbë me kombësi shqiptare pakica kombëtare shqiptare në luginën e preshevës, se si trajtohen. Kontrasti është i madh. Serbët në Kosovë kanë liri dhe të drejta që çdo pakicë do ti ëndërronte ti kishte. Po flas për territore të dala nga konflikte të freskëta. Do thosha që ne duhet të punojmë në shumë plane".

Duke folur për situatën në Veri të Kosovës, Rama tha se Kosova ka të drejtë për çështjen e reciprocitetit, por se nuk duhet të ndodhë si në rasti ne tarifës 100% dhe se forcat speciale s’duhet të rrinë gjatë në zonë. Forcat Speciale theksoi Rama duhet të zëvendësohen me forca në tavolinë, pra duke i mëshuar dialogut. Kosova hoqi tarifat 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjes e Hercegovinës, tarifa këto të vendosura që nga nëntori i vitit 2018 nga qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti hoqi tarifat për të vendosur masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.  Duke vijuar kritikat ndaj Serbisë Rama tha se luftën e ka fituar Kosova dhe se ata vijnë vërdallë me helikopterë dhe avionë. Ai tha se fitorja nuk merret me tanke por në tavolinë me politikë.

Gjatë takimit nuk la pa përmendur marrëveshjet mes 2 qeverive, për të cilat Rama tha se disa prej tyre nuk janë zbatuar. Për këtë arsye ai theksoi ka folur me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për ndryshimin e sistemit të punës nga dy administratat, që ta ndjekin me të njëjtin vullnet dhe me të njëjtën aftësi për ta kuptuar se sa të rëndësishëm janë ato hapa drejt së ardhmes. Ai foli dhe për kufirin dhe lirinë e lëvizjes mes dy vendeve, teksa theksoi se nuk mund të jetë e plotë pa marrëveshje me të tjerët, e ndaj ka këmbëngulur për atë që u quajt ‘minishengeni’ e tani është “Ballkani i Hapur”.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:40
Komplimenti i studentes nga Kosova për stilin e veshjes: Jeni ikonë mode! Rama ia kthen me batutë: Kur Zoti nuk t’i ka dhënë të gjitha mundohesh të sajohesh

Përveç bisedave dhe pyetjeve të shumta nga takimi i kryeministrit Edi Rama me studentët e Universitetit të Prishtinës, ai mori edhe një kompliment për stilin e tij të të veshurit.

“Përshëndetje, unë jam Gjira Lika, studente e vitit të dytë Histori. Doja të thoja atë që mendoj sa herë ju dilni në televizion, se jeni ikonë e modës dhe komplimente, se pyetje nuk kam, vetëm këtë doja të thoja”, tha studentja, ndërsa salla u mbush me të qeshura.

Kryeministri Edi Rama i cili nuk e priste këtë kompliment, pasi buzëqeshi dhe heshti për disa sekonda iu drejtua vajzës me një batutë.

 “Aaa ikonë… dëgjo e di si është kjo punë? Kur t'i ka dhënë Zoti dhe natyra të gjitha, nuk ka nevojë për t'u sajuar. Por sajohesh kur s’ti ka dhënë të gjitha dhe mundohesh të rregullohesh njëçik. Kështu që vjen nga halli kjo, s’ka lidhje me… por faleminderit”, tha Rama.

Ora 18:00
Pse e pushoi Cakajn dhe Shahinin? Rama: Këtë vit do bëhem vetë kosovar, por s'do vij të bej fushatë për vota

Gjatë takimit me studentë në Kosovë kryeministri Edi Rama u pyet në lidhje me faktin se në qeverinë e kaluar kishte 2 ministra kosovarë (gent Cakajn dhe Besa Shahinin) ndërsa këtë vit asnjë. "Çfarë shkoi keq", u pyet Rama. Kësaj pyetjeje kryeministri iu përgjgj me batutë Rama duke thënë se këtë vit ka vendosur që të bëhet kosovar vetë.

"Mandatin e tretë do të bëhem kosovar vetë. Mos e merrni me të qeshura se po e vendosa një gjë  unë e bëj. Po sdo vij të bëj fushatë këtu për të marrë vota të mos ketë merak njeri as nuk do vij të votoj", tha Rama.

Ora 17:59
Rama: Kosova nën diktaturë lëvizte lirshëm me pasaportën e Milosheviçit, sot i vetmi komunitet i çliruar nga NATO nuk lëviz i lirë! BE t'i vijë turp

Kryeministri Rama e ka cilësuar një absurditet faktin se Kosova është i vetmi vend në Europë që nuk lëviz lirshëm pa viza. Për këtë sipas Ramës e ka fajin vetë BE që nuk mban fjalën, pasi populli i Kosovës kur ishte nën regjimin e  Jugosllavisë lëvizte lirshëm me pasaportat e Milosheviçit, ndërsa sot si i vetëm vend europian i çliruar nga NATO nuk mund të lëvizë dot pa viza.

"Ju duhet të lëviznit lirisht pa viza prej disa vitesh, dhe jeni i vetmi komunitet në Europë që iu kërkohen vizat dhe jeni komuniteti i vetëm që Aleanca Euro-Atlantike ka çliruar nga një diktaturë etnike, ky është një absurd. Gjyshërit tuaj më pasaportën e Milosheviçit lëviznin të lirë, ju sot nuk lëvizni dot të lirë, pse se BE nuk mban fjalën. Ashtu siç iu thanë të gjithëve , iu tha edhe Kosovës do bëni këto dhe do iu liberalizojmë vizat. I bëri Kosova të gjitha, e thotë vetë BE dhe sot nuk i liberalizojnë.Ky është një turp. E kuptojnë, por nuk ju vjen turp dhe kaq. Për arsye të brendshme dhe kaq", tha Rama

Në lidhje me integrimin në BE, Rama tha se si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë mbetur peng i politikave të brendshme të BE, pasi sipas tij sot Bashkimi Europian drejtohet nga interesat lokale dhe sondazhe.

"Shqipëria duhet t’i kishte filluar negociatat, por nuk i fillon, tani na ka dalë historia e Bullgarisë. Ata nuk i bëjnë as mbajtjen peng të Kosovës, as Shqipërisë, nuk e bëjnë se janë kundër jush apo nesh, ata e bëjnë sepse kanë arsye të politikës së brendshme. Sot BE udhëhiqet nga interesat lokale dhe sondazhe dhe mbi bazën e sondazheve veprojnë. Janë 27 palë zgjedhje vendore, 27 të përgjithshme, , rajonale e europiane brenda 4 vitesh dhe imagjinoni tani se çfarë bëhet.
E vetmja gjë që ka mbetur është që ne të bashkohemi këtu ku jemi në rajon, ku BE nuk vjen e na thotë dot mos kaloni ju lirisht mes jush apo mos zhvilloni ekonominë", tha Rama.

Ora 17:47
‘Kishin një absurditet në ligj’, Ramës i ndërpritet fjala nga teshtima në sallë: Shëndet ambasador, teshti ndonjëherë kur them fjalë të mira për qeverinë time

 

Kryeministri Edi Rama ishte duke folur lidhur për bashkëpunimin mes universiteteve Kosovë-Shqipëri, ku tha se po punohet që studentëve nga Kosova t’u jepet më shumë hapësira në Shqipëri, megjithatë shtoi se nuk ka ende asgjë konkrete. Teksa fliste për bashkëpunimin mes Kosovës, Rama foli edhe për një “absurd në legjislacionin shqiptar” për lejet e punës. Në këtë moment teshtiu njëri nga ambasadorët dhe Rama e kaloi me batutë.

“Po kështu për lejet e punës, kishte një absurd në legjislacionin tonë...shëndet Zoti Ambasador! pPo ti tështin vetëm kur them fjalë të këqija, tështi njëherë kur them fjalë të mira”, tha Rama.

Rama tha se një mundësi shumë e mirë për studentët e Kosovës do të jetë edhe hapja e Universitet Teknik të Stambollit në vendin tonë, ku do kenë mundësi që të marrin një diplomë, pa pasur nevojë për të shkuar shumë larg vendit të tyre dhe me më pak shpenzime.

“Strukturimi më i mirë në fushën e arsimit, ku kemi probleme me njohjen e diplomave, me kontradiktat mes ligjeve këtu dhe në Shqipëri për studentët, probleme për lejet e qëndrimit, Shqipëria i ka hequr, për çdo qytetar të Kosovës që vjen në Shqipëri nuk ka më nevojë për dokumente, por merret një leje qëndrimi që është paafat. Kushdo që vjen nga BE, merrte leje qëndrimi që të punonte dhe jetonte sa të donte, ndërsa për qytetarët e Kosovës, ishte si të ishin arab apo kinez, u dhamë të njëjtën të drejtë si çdo qytetar i BE-së. Ne po studiojmë që studentëve nga Kosova t’u japim më shumë hapësirë, jemi duke e studiuar., po ashtu po bëjmë një punë intesive për ta kaluar në një nivel tjetër larminë e mundësive që ofrojnë universitet shqiptare duke futur universitete të huaja, që ofrojnë programe të njëjta dhe diplomë të barazvlefshme, pra nëse do të studiosh agronomi në Vjenë, këtë gjë mund ta gjesh në Tiranë, nuk e kemi bërë prandaj nuk po tështin ambasadori, dhe aty ti merr një diplomë që është e vlefshme njësoj. Universitet i parë që do jetë më vete, dhe që do jetë i hapur, është universiteti Teknik i Stambollit se është rënë dakord he hapja e këtij universiteti, bën të mundur që të mund të bëni studime Top, të merrni një diplomë që është e vlefshme në gjithë botën dhe shpenzimet i keni më të vogla”, tha Rama.

Ora 17:35
Organizatori u tha se kanë mundësi edhe për 3-4 pyetje, batuta e Ramës: Ti mos u vërë kufi këtyre, lerë të ankohem vetë

 

Organizatori i konferencës me studentët, u tha se kishin mundësi vetëm për 3-4 pyetje, por Rama iu kthye me batutë.

“Ti mos u vërë kufi këtyre, lerë të ankohem vetë”, tha Rama.

Ora 17:33
'Heqja e kufirit alarmon Brukselin më shumë se Beogradin', Rama: Në veri të Kosovës të mos ndodhë si me tarifën! Asyeja pse kam insistuar për ‘minishengenin’ dhe marrëveshjet mes dy qeverive

Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me studentët ka folur edhe për situatën e tensionuar në veri të Kosovës dhe për marrëveshjet mes 2 qeverive. 

Rama tha se ka shumë marrëveshje nuk janë zbatuar dhe disa pjesërisht. Për këtë arsye ai theksoi ka folur me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për ndryshimin e sistemit të punës nga dy administratat, që ta ndjekin me të njëjtin vullnet dhe me të njëjtën aftësi për ta kuptuar se sa të rëndësishëm janë ato hapa drejt së ardhmes. Ai foli dhe për kufirin dhe lirinë e lëvizjes mes dy vendeve, teksa theksoi se nuk mund të jetë e plotë pa marrëveshje me të tjerët, e ndaj ka këmbëngulur për atë që u quajt ‘minishengeni’ e tani është “Ballkani i Hapur”.  Sipas tij, ‘ka plot gjëra që në pamje të parë duken të vogla, por që përbëjnë një mozaik për lehtësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve, këtej dhe andej kufirit’.

"Ju e dini që ne me Kosovën po bëjmë angazhime, që nga futja e mbledhjes së dy qeverive, që përmes kësaj nisme kemi mundësi të diskutojmë, të japim mendime e të marrim vendime. Më pas vjen një tjetër mbledhje dhe vjen vlerësimi i atyre që janë arritur. Në këtë aspekt, mendoj se kemi prodhuar shumë më tepër marrëveshje dhe dakordësi. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre marrëveshjeve nuk janë zbatuar plotësisht apo nuk janë zbatuar fare, kjo për shkak të një sistemi pune që duhet ndryshuar. Për këtë kemi folur sot me kryeministrin, në mënyrë që edhe administrate këtu e në Shqipëri ta ndjekë me të njëjtin vullnet. Ka plot gjëra që mund të duken të vogla në pamje të parë por të gjitha së bashku përbëjnë një mozaik për lehtësimin e jetës së qytetarëve, qoftë këtej, qoftë dhe nga ana tjetër me të cilën na ndan kufiri.

Mund të lehtësohet nga radha e gjatë, nga kontrollet e dyfishta të gjitha mallrave, mund të lehtësohet nga situatat dramatike në sezonet turistike. Mund të kthehet edhe në kufi formal pa ndikim të madh në jetët e qytetarëve, siç është edhe në BE. Duke u bërë pjesë e një sistemi të ri lëvizës që janë të njëjtat me të cilat funksionon dhe Bashkimi Europian. BE funksionon me katër marrëveshje për të cilat nuk ka kufi. Është e pakuptueshme për mua që Shqipëria dhe Kosova të mos e analizojnë këtë dhe kjo në një masë të caktuar mund të realizohet pa pasur nevojë për marrëveshje me të tjerët, në vite ka pasur herë pas here udhëheqës që kanë bërë deklarata të tipit ‘do heqim kufirin’, njëri për Vit të Ri, tjetri për Krishtlindje, dhe asnjëherë nuk është hequr. Kjo sepse në momentin që t’i thua do heq kufirin, alarmon të gjithë dynjanë dhe nuk alarmon Beogradin aq sa alarmon Brukselin. Dhe kjo është arsyeja pse unë e kam përmendur atë që është pagëzuar si mini-Shëngen, nuk e kam quajtur unë, duke qenë se jam i gjatë, fjalën ‘mini’ nuk e….Ideja ishte tek lëvizja e lirë e njerëzve, Serbia pranonte të futej por pa lëvizjen e lirë sepse automatikisht do pranonte Kosovën. Ndërsa ne nuk do të pranonim dot një projekt të cunguar. Janë dy shina në të cilat ne duhet të ecim. Përsa i përket çështjes aktuale në Veri të Kosovës, kjo është shumë e qartë, Kosova ka të drejtë, çështja e targave është e drejtë e çdo vendi dhe është shqyrtuar më parë, në marrëveshje të mëparshme.

Serbia pretendon se këtu po kërcënohen qytetarë e serbë të Kosovës, por këtu është shumë e qartë që nuk po kërcënohen dhe asgjë, por janë nga më të përkëdhelurit dhe e bën Kosovën një shembull për mënyrën si duhet trajtuar një pakicë. Edhe pse unë nuk e kuptoj se si mund tu paguhen edhe faturat e dritave. Ata janë pengje të një dialogu që ka mbetur rrugëve. Manovrat teatrale mund të sugjestionojë publikun serb që mbase ka nevojë të ushqehet me idenë që kanë mjete për të mbrojtur vëllezërit që nuk kërcënohen nga asgjë, apo njerëz që në Facebook, shikojnë vetëm luftë. Kosova e ka fituar luftën, kur ju që jeni këtu s’kishit lindur akoma, si mudn të vazhdojë po njësoj, si mund të jetohet me luftën ndërkohë që këtu bëhet fjalë për të jetuar me një paqe të qëndrueshme. Njohja e Kosovës është kapitulli final. Ajo që më shqetëson është që të mos ndodhë siç ndodhi me tarifën sepse çuarja e forcave speciale për tu siguruar që nuk ndodh diçka lënduese për njerëzit, por mbatja aty për një kohë të gjatë do të ishte boomerang. Kur u vu tarifa, isha dakort dhe e mbështeta sepse ishin shkruar letra e letra në Bruksel, u desh tarifa. Trupat speciale të zëvendësohen me ata në tavolinë", tha Rama.

/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase