Tensionet në Kosovë, deputeti i VV për Report TV: Nëse nuk do ndërhynim, krijohej ideja se Vuçiç dhe banditët e tij kontrollojnë veriun e vendit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Armend Muja tha se protestuesit serbë të cilët po shkaktojnë trazira në veri të vendit, nuk e kanë problemin me etninë e kryetarëve të komunave por me mendimet e tyre ndryshe. Ai tha se gjatë viteve të mëhershme ka pasur raste që vetë kryetarë komunash serbë janë vrarë pasi idetë e tyre ishin të ndryshme me ato të grupeve kriminale.

Në një lidhje ‘skype’ me gazetarin Nertil Agalliu, në Report TV, Muja u shpreh se policia e Kosovës thjesht ka ndërhyrë në veri për të parandaluar rrezikun që u kanoset kryetarëve të komunave të zgjedhur në 23 prill.

“Objektet ku janë të vendosur kryetarët e komunave, janë pronë e republikës së Kosovës jo të Serbisë. Policia e shtetit ka reaguar me masa për të parandaluar rreziqet që u kanosen atyre.  Ata nuk e kanë problemin vetëm tek etnia por tek secili prej kryetarëve që nuk ka të njëjtat pikëpamje me ta. Këta kanë probleme me të gjithë edhe me shqiptarë edhe me serbë me secilin që guxon të mendojë ndryshe”-tha deputeti i Vetëvendosjes.

Sa i takon dhunës së ushtruar nga persona të caktuar ndaj efektivëve të KFOR-it, Muja tha se kurrsesi Kosova nuk mund të lejojë që persona të tillë të hyjnë në territorin e Kosovës dhe të dhunojnë njerëzit.

Ndërsa lidhur me reagimet e opozitës ku kërkohet dorëheqja e Albin Kurtit nga posti i kryeministrit me argumentin se po vë në rrezik stabilitetin, deputeti u përgjigj duke thënë se opozita kur ka qenë në qeveri, duke mos mbajtur një qëndrim të caktuar ka bërë që Vuçiçit dhe grupeve kriminale t’u krijohet ideja se mund të bëjnë si të duan në veriun e Kosovës.

“Bandat e Vucicit nuk mund të vijnë këtu të rrahin me kërbac efektivët që ruajnë sigurinë.  Jo rrallë në ballafaqimet tona me milicinë e Vucicit, elementë të opozitës të cilët kanë bashkëqeverisur, janë rreshtuar me Radoicicin dhe Vucicin sepse ishin në koalicion. Janë konjuktura të ndërtuara në 20 viteve të fundit. Opozita ka ndikuar duke i krijuar Vucicit dhe miqve të tij që veriu i Kosovës është në duart e tyre. Kjo ia ka krijuar atij idenë e gabuar se veriu nuk qeveriset nga Kosova. Nëse ne krijojmë precendent që një grup banditësh mund të ndalojë një kryetar të ushtrojë detyrën atëherë ne shkelim ligjin”-argumentoi deputeti.

Sa u takon qëndrimeve të SHBA-ve, Muja tha se qeveria është e vetëdijshme për rëndësinë që kanë partnerët strategjikë për Kosovën ndërsa tha se autoritetet thjesht po zbatonin detyrat e tyre kushtetuese, duke dashur të mbrojnë pronën dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve.

Situata gjatë ditës së sotme në veri të Kosovës duket më e qetë dhe nuk ka patur përplasje pavarësisht se një numër i konsiderueshëm protestuesish janë mbledhur para objekteve komunale që po ruhen nga trupat e KFOR-it.

B.V/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak i Himarës komandon kryetaren e Bashkisë, koalicioni Bashkë Fitojmë bashkon votat me PS

Këshilli Bashkiak i Himarës komandon kryetaren e Bashkisë, koalicioni Bashkë Fitojmë bashkon votat me PS