Udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollah Mojtaba Khamenei, u ka bërë thirrje vendeve të Gjirit Persik që të forcojnë unitetin mes myslimanëve dhe të “njohin armikun e tyre të vërtetë”.
Thirrja u bë në një mesazh të publikuar të dielën në rrjetet sociale, me rastin e përvjetorit të lindjes së Profetit Muhamed.
Në deklaratën e tij, Khamenei iu drejtua liderëve të vendeve të Gjirit, duke u kërkuar që të “kuptojnë planet për përballjen” me armikun e përbashkët. Megjithatë, ai nuk e specifikoi se për cilin shtet apo grup bëhej fjalë.
Udhëheqësi iranian theksoi gjithashtu rëndësinë e “unitetit mes myslimanëve” dhe të mbështetjes së ndërsjellë përballë kundërshtarëve të tyre.
Mesazhi vjen në një periudhë të vështirë për Iranin, i cili përballet me pasojat e luftës, sanksionet amerikane dhe presionin ekonomik. Presidenti Masoud Pezeshkian ka pranuar se kufizimet dhe pasojat e konfliktit kanë goditur tregtinë e vendit, me importe dhe eksporte që, sipas tij, kanë shënuar rënie të ndjeshme.

Foto:Anije në Ngushticën e Hormuzit
Irani ka arritur një marrëveshje me Omanin për të rihapur dhe menaxhuar bashkërisht Ngushticën e Hormuzit, por marrëveshja do të zbatohet vetëm pasi Shtetet e Bashkuara të përmbushin angazhimet e përfshira në memorandumin e nënshkruar me Teheranin në qershor. Kështu tha zëvendësministri i Jashtëm iranian Kazem Gharibabadi.
"Megjithatë, marrëveshja nuk do të hyjë automatikisht në fazën e zbatimit, pasi zbatimi i saj është i kushtëzuar nga pala tjetër, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, që të përmbushë angazhimet e saj", tha ai.
Sipas Gharibabadi, nëse Uashingtoni nuk i pranon kushtet e Teheranit, "Irani nuk ka nxitim për të rihapur Ngushticën dhe do të mbajë masat e tij mbrojtëse".
Marrëveshja parashikon krijimin e një korridori për kalimin e anijeve dhe menaxhimin e tij nga të dy vendet.




Komente
Komento