Qeveria greke ka vendosur kufi për marzhet e fitimit te karburantet dhe supermarketet, në një përpjekje për të ndalur abuzimet me çmimet në treg.

Vendimi vjen mes rritjes së tensioneve në Lindjen e Mesme dhe pasigurive në tregjet energjetike, që kanë ndikuar në luhatjet e çmimeve të naftës.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se qeveria nuk mund të kontrollojë rritjen fillestare të çmimeve që vjen nga tregjet ndërkombëtare, por paralajmëroi bizneset të mos përfitojnë nga situata.

“Ne nuk mund të adresojmë rritjen bazë të çmimeve, por po japim një mesazh të qartë se kjo situatë ekonomike nuk duhet të kthehet në përfitime të padrejta”, tha Mitsotakis.

Sipas masave të reja, pikat e karburantit nuk do të mund të vendosin një marzh fitimi më të lartë se 12 cent për litër mbi çmimin me shumicë të benzinës dhe naftës.

Ndërkohë supermarketet do të përballen me gjoba deri në 5 milionë euro nëse marzhet e fitimit kalojnë mesataren e vitit 2025.

Masat hyjnë menjëherë në fuqi dhe do të qëndrojnë në fuqi deri në fund të muajit qershor.

“Fitimet janë të ligjshme, por përfitimi i padrejtë nuk është”, tha ministri i Zhvillimit Takis Theodorikakos.