Tensionet në Ukrainë, zyrtari i lartë rus: Sanksionet do na largojnë, duhet një konferencë si ajo në fund të Luftës së Dytë Botërore

Tensionet në Ukrainë, zyrtari i lartë rus: Sanksionet do na largojnë, duhet një konferencë si ajo në fund të Luftës së Dytë Botërore

Për zgjidhjen e krizës në Ukrainë është e nevojshme një konferencë, si ato që janë mbajtur në fund të Luftës së Dytë Botërore, paralajmëroi Pyotr Tolstoy, nënkryetar i Dhomës së Ulët të Parlamentit të Rusisë, që ndryshe njihet si Duma ruse.

“Unë besoj se, pas të gjitha këtyre tensioneve, ne duhet të negociojmë. Sigurisht që na duhet një Jaltë e re ose një Potsdam i ri. Negociata reale për instalimin e sistemit të sigurisë në Evropë, e jo një bazë e NATO-s në kufijtë tanë”, tha Tolstoy në një intervistë për radion kombëtare belge (RTBF).

Konferencat në Potsdam dhe Jaltë u mbajtën në vitin 1945. Pjesëmarrëse në to ishin Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Sovjetik.

Në Jaltë, në shkurt të vitit 1945, u ra dakord që Gjermania të ndahej në katër zona okupimi të pasluftës, që u vunë nën kontrollin e forcave ushtarake amerikane, britanike, franceze dhe sovjetike. Në zona të ngjashme u nda edhe qyteti i Berlinit.

Në konferencën në Potsdam, që u mbajt në korrik të të njëjtit vit, u ra dakord që Gjermania të ndahej në katër zona okupimi dhe që kufiri gjerman të zhvendosej në perëndim, ndërsa grupi i mbështetur nga Bashkimi Sovjetik, u njoh si Qeveri legjitime e Polonisë.

Pyotr Tolstoy është njëri nga 351 anëtarët e Dumës që Bashkimi Evropian i futi në listë të zezë, me vendimin e marrë më 22 shkurt, kur blloku miratoi sanksione të reja kundër Rusisë.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu vendosën sanksione kundër Moskës.

Piotr Tolstoy është pasardhës i shkrimtarit të famshëm rus, Leo Tolstoy, dhe konsiderohet si bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin.

I pyetur nga RTBF për t’i komentuar sanksionet evropiane, Tolstoy parlajmëroi “kundër-sanksione nga Rusia”.

Ai tha se Evropa i detyrohet Rusisë 500 miliardë euro në ditë dhe Shtetet e Bashkuara 25 miliardë, për shkak të sanksioneve.

“Me sanksionet e reja evropiane dhe amerikane, ne do të largohemi më tej, dhe për këtë arsye, këto shifra do të rriten. Kjo është e sigurt”, tha Tolstoy.

Ai shtoi se Rusia do të veprojë ushtarakisht për t’i mbrojtur njerëzit që jetojnë në, siç tha ai, “republikat e pavarura”, nëse “Ukraina jep arsye për veprim ushtarak në këtë situatë shumë të tensionuar”.

Më 21 shkurt, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, mori vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura. Ai po ashtu urdhëroi vendosjen e trupave ruse në ato territore. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se kufijtë e vendit të tij mbeten të pandryshuar. Perëndimi nisi menjëherë me vendosjen e sanksioneve të reja kundër Rusisë.

Rusia, në fakt, është nën sanksione qëkur aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë, në vitin 2014, dhe nisi mbështetjen për lëvizjen separatiste në lindje të Ukrainës.

Kriza e re u përshkallëzua nga fundi i vitit të kaluar, kur Rusia nisi grumbullimin e trupave të saj në kufijtë me Ukrainën.

Shteti rus kërkoi garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më në lindje, por SHBA-ja dhe NATO-ja e refuzuan këtë kërkesë.

Putin tha më 21 shkurt se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të paraqiste rrezik për sigurinë ruse.

“Në Evropë kemi iluzionin se kemi fituar Luftën e Ftohtë dhe se mund t’i sjellim trupat e NATO-s dhe bazat raketore në kufijtë tanë [rusë]”, tha Tolstoy.

“Besoni se do të presim dhe ta shikojmë këtë për dekada? Jo. Kemi pritur për 20 vjet, ka qenë një kohë e gjatë”, shtoi ai.

Duke theksuar se askush nuk ka interes për një luftë të vërtetë, nënkryetari i Dumës ruse tha se prania e trupave ruse në “republika”, do të ndalojë “së paku aktivitetet e nacionalistëve ukrainas”.

“Nëse ndalen, nuk mendoj se do të ushtrojmë ndonjë presion ushtarak. Por, nëse nuk ndalen, ne do të bëjmë diçka për të ndalur masakrën që ka tetë vjet që po vazhdon dhe që Evropa nuk dëshiron ta njohë ose ta shohë”, tha Tolstoy.

Konflikti midis separatistëve pro-rusë dhe forcave qeveritare në lindje të Ukrainës vazhdon qysh nga viti 2014. Mbi 14,000 njerëz humbën jetën në luftime dhe palët vazhdimisht akuzojnë njëra-tjetrën për nxitjen e tyre.

Komuniteti ndërkombëtar nuk e njohu kurrë aneksimin e Krimesë, ndërsa vendimin e 21 shkurtit të Putinit e cilësoi si shkelje të rëndë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës./REL

I.K/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen