Ish zëvendës ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës akuzon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se po krijon kriza të panevojshme në veri për qëllimet e veta politike.
Në një intervistë për emisionin "Sot live në Shqipëri" me gazetarin Nertil Agalliu në Report TV, Anton Berisha komenton pasojat e sjelljeve qw i quan "të rrezikshme" të Kurtit.
“Mungesën e protagonizmit në ngjarje historike, po tenton ta kompensojë nga pozicioni i pozitës së kryeministrit. Në këtë mënyrë është duke dëmtura Kosovën jashtëzakonisht shumë sepse po krijon kriza të panevojshme dhe në emër të një kinse pseudopatriotizim ka krijuar raporte të tensionuara dhe jemi sanksionuar. Ai thjesht është duke kalkuluar veten dhe fatin e tij politik dhe jo Kosovën” argumenton Anton Berisha.
Madje Berisha shkon më tej kur thotë se Kurti sillet si Lenini dhe se do të detyrohet të pranojë marrëveshjen që po ndërmjetësohet nga SHBA e BE për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në komunat në veri të Kosovës.
“Të gjitha temat i nis me unë, unë... Ai është leninist. Bën një hap para dhe dy hapa prapa siç bëri dhe me targat. Tensionon situatën dhe më pas vë disa kushte sa për të kënaqur votuesit e tij dhe vendimet merren pa asnjë kusht. Unë besoj se ai do të detyrohet të pranojë marrëveshjen për zgjedhjet e reja. Por sidoqoftë situata duhet të tejkalohet pasi Kosovës nuk i intereson një gjendje e vazhdueshme e krizës dhe të paqëndrueshme,” - thotë Berisha.
Prej ditës së djeshme i dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak ndodhen në Prishtinë në tentim për të gjetur një zgjidhje për qetësimin e situatës në tri komuna në veri të Kosovës - Zveçan, Leposaviç dhe Zubtin Potok.
Ata u takuan sot me presidenten Osmani dhe pritet që gjatë ditës të takohen edhe me përfaqësues të partive në Kosovë, përshirë Listën Serbe, ndërsa dje takuan kryeministrin Albin Kurti.
Ata i kërkuan Kurtit qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
Prej 29 majit në 3 komunat në veri të Kosovës protestohet rregullisht për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale - të cilët fituan zgjedhjet e bojkotuara nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë.