Deputeti i PD Agron Gjekmarkaj ka reaguar për tensionet në Veri të Kosovës. Ai ka kërkuar reagimin e Edi Ramës.
“Retorika luftënxitëse e autoriteteve serbe është e papranueshme. Kosova e pavarur dhe integriteti i saj territorial janë realitete të pakthyeshme. Dialogu dhe jo gjuha e forcës kontribuojnë në paqen dhe stabilitetin e Rajonit tonë. Duke dënuar me forcë sulmet e strukturave paramilitare serbe në veri të Kosovës dhe provokimet e vjetruara të autoriteteve më të larta serbe, apeloj për maturi nga ana e autoriteteve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe vendimmarrje nën koordinimin e ngushtë me partnerët tanë strategjik ShBA&BE. Në cilësinë e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë nxis institucionet shqiptare të jenë në krah të autoriteteve kosovare. Heshtja e institucioneve të Republikës së Shqipërisë ndaj gjuhës luftënxitëse të Presidentit të Serbisë është e pakuptimtë. Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë krah Kosovës dhe institucioneve të saj”, shprehet ai.
Lajmi kryesor:
Të shtënat me armë në veri të Kosovës dhe kërcënimet e Vuçiç, opozita shqiptare: Po nxitet lufta! SHBA dhe BE të ndërhyjnë për të ulur tensionet
