Tensionet në veri të Kosovës, KFOR: Rrisim prezencën! Nuk e marrim në kontroll, sundimi i ligjit është ekskluzivitet i Policisë

Tensionet në veri të Kosovës, KFOR: Rrisim prezencën! Nuk e marrim në kontroll, sundimi i ligjit është ekskluzivitet i Policisë

Foto ilustruese

KFOR do të rrisë prezencën në veri të Kosovës, pas sulmit të 24 shtatorit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Në një përgjigje për Gazetën Ekspres, misioni i KFOR thotë se 200 trupat britanike që do të vijnë në Kosovë, do të pasohen me përforcime të tjera nga aleatët.

“Trupat janë tërhequr nga rezerva strategjike e NATO-s për Ballkanin Perëndimor. Mbretëria e Bashkuar po vendos rreth 200 ushtarë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit për t’iu bashkuar një kontingjenti prej 400 trupash të Mbretërisë së Bashkuar që tashmë po ushtrohet në Kosovë, dhe përforcime të mëtejshme do të pasojnë nga aleatët e tjerë“, kanë potencuar për Express.

Ky vendim për shtim të trupave nga KFOR thonë se vjen pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës dhe theksojnë se varësisht nga situata do të rregullojnë praninë e tyre.

“Ky është një hap i kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i ka forcat, aftësitë dhe fleksibilitetin e nevojshëm për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. KFOR-i do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme për të mirën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon. KFOR-i do të vazhdojë të rregullojë qëndrimin e tij, sipas nevojës”, kanë shtuar tutje.

Sa i përket kërkesave për marrje të kontrollit të veriut, nga KFOR kanë bërë të qartë se mandati i tyre s’përfshinë zbatimin e ligjit dhe se kjo mbetet një kompetencë ekskluzive e Policisë së Kosovës.

 “Mandati i KFOR-it në OKB është i qartë dhe nuk përfshin zbatimin e ligjit. Kjo mbetet një prerogativë ekskluzive e Policisë së Kosovës“, kanë potencuar nga KFOR për Express.

Lajm ne përditësim..

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:23
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës: Sot janë kryer dy bastisje në Zveçan, s’ka të arrestuar

1696451124_koso.jpg

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se policia e Kosovës gjatë ditës së sotme kishte kryer dy bastisje në komunën e Zveçanit.

Elshani tha se nga ky aksion i policisë nuk kishte pasur persona të arrestuar.

“Mund ta konfirmoj se kemi kryer bastisje në lidhje me rastin e Banjskës. Njëra bastisje është kryer në Rudarë dhe një tjetër afër komunës në Zveçan. Nuk kemi persona të arrestuar”, tha Elshani.

I pyetur nëse është konfiskuar ndonjë gjë nga Policia e Kosovës gjatë këtyre bastisjeve, Elshani ka thënë se nuk mund ta konfirmojë një gjë të tillë.

Ora 20:41
Michel: Në Spanjë mund të ketë takime joformale për situatën në Kosovë! Beogradi dhe Prishtina duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet

1696444835_mm.jpg

Kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka njoftuar sot se në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Granada, mund të ketë takime joformale të liderëve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor për situatën në Kosovë.

Në një deklaratë për agjencinë e lajmeve RTS, Michel theksoi se po bëhen përpjekje diplomatike për të bindur liderët në rajon se “dialogu dhe stabiliteti janë ato për të cilat ata duhet të punojnë”. 

Ai tha se shpresonte se takimet në margjinat e samitit të Granadës do të ndihmonin në zgjidhjen e çështjes.

“Ne po bashkëpunojmë ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n për të përcjellë një mesazh të qartë se nuk ka kohë për kriza dhe turbulenca të reja. Tani është koha për të shfrytëzuar shansin për përparim drejt BE-së”, tha Michel.

Michel vlerësoi se "ekziston një mundësi e hapur për një përparim më të shpejtë të rajonit drejt BE-së" dhe vuri në dukje se Beogradi dhe Prishtina duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre të ndërsjella për të përfituar nga kjo gjë.

"Për përparimin e Ballkanit Perëndimor, sundimi i ligjit dhe reformat ekonomike janë të nevojshme, por e rëndësishme është që të zgjidhen mosmarrëveshjet dypalëshe, jo vetëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Shpresoj që liderët e rajonit të kuptojnë se ekziston një mundësi që duhet përdorur”, tha Michel.

Të enjten në Granada, Spanjë do të mbahet samiti i tretë i komunitetit politik evropian, ku liderët e 44 vendeve, nga Islanda deri në Azerbajxhan, do të diskutojnë sigurinë, energjinë dhe çështje të tjera me interes për të gjithë kontinentin. I pranishëm do të jetë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Ora 17:03
Spanjë/ Osmani arrin në Samitin Politik: Do diskutoj për sigurinë e Kosovës pas agresionit serb

1696021414_vjosaosmani.jpg

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbërritur në Granada, Spanjë, në kuadër të Samitit Politik Evropian.

Osmani ka shkruar në platformën X (ish-Twitter), se në këtë samit ajo do diskutojë rreth sfidave të sigurisë së Kosovës pas aktit të agresionit të Serbisë.

”Në takime me kolegët udhëheqës, do të diskutoj sfidat e sigurisë në Kosovë pas aktit të agresionit të Serbisë dhe do të ritheksoj angazhimin tonë për thellimin e bashkëpunimit me aleatët për paqen, stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë”, shkroi Osmani.

Ora 16:54
Vuçiç mesazh serbëve: Mbajeni kokën lart, ta mbrojmë Serbinë tonë

1696431367_AleksandarVucic1.jpg

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç me një video-mesazh të publikuar në Instagram iu bën apel Serbëve që të mbajnë kokën lart dhe të ruajnë vendin e tyre.

“Do të luftojmë edhe më fort për Serbinë tonë. Mesazhi im për qytetarët e Serbisë është të mbajmë kokën lart dhe të luftojmë, të luftojmë edhe më shumë për Serbinë tonë. Të punojmë më shumë. Të mbrojmë vendin tonë në çdo vend, ta ruajmë vendin tonë”, shkroi presidenti serb në Instagram.

Ora 15:38
Vrasja e policit në veri, Hovenier: Çështja e përgjegjësisë mbi sulmin nuk merr fund me deklarimin e Radoiçiçit

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të mërkurën se çështja e përgjegjësisë mbi sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit nuk beson se merr fund me deklarimin e ish - nënkryetarit të Listës Serbe Millan Radoiçiç, se ai e ka organizuar sulmin.

“Do të thosha që gjëja e duhur për shërbimet tona të sigurisë dhe partnerë tjerë është që të vazhdojmë të tentojmë të kuptojmë se çfarë ka ndodhur. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta, ata që mbajnë përgjegjësi për sulmin duhet të mbahen përgjegjës. Ky mbetet pozicioni ynë. Ne do të vazhdojmë të tentojmë për të kuptuar çfarë ka ndodhur, kush është përgjegjës dhe pse”, ka thënë Hovenier në një bashkëbisedim me gazetarët në ambasadë.

Ora 14:22
Ambasadori amerikan në Kosovë: SHBA-ja, e gatshme ta këshillojë Kosovën për statutin e Asociacionit

1695228538_jeffreyhoveniershbaserbikosove.jpg

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë sot se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta këshillojnë Kosovën në hartimin e statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Megjithatë, ai e ka përmendur që në fund, kjo çështje është në duart e Bashkimit Evropian, si ndërmjetësuese e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një bashkëbisedim me gazetarët në ambasadë, Hovenier ka thënë se SHBA-ja do ta mirëpresë secilin propozim të Kosovës në këtë temë, që do të jetë “kredibil dhe i arsyeshëm”.

“Në fund, kjo çështje do t’i përkasë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Mirëpo, nëse Kosova dëshiron të konsultohet me ne, ose të tjerët, se si të çojë diçka përpara në mënyrë më të mirë, ne jemi të gatshëm ta këshillojmë”.

Ky është reagimi i parë i ambasadorit Hovenier për këtë çështje, pas deklaratës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ditë më parë se Kosova duhet ta përgatisë draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe bashkë me Shtetet e Bashkuara.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Së fundi, komuniteti ndërkombëtar e ka rritur presionin ndaj Kosovës duhet e kërkuar formimin e Asociacionit sa më shpejt.

Diplomatët amerikanë e kanë përsëritur disa herë se Shtetet e Bashkuara besojnë se Asociacioni duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ora 13:43
Vrasja e policit në veri të Kosovës, DASH: Sulmi i planifikuar mirë, mos luani me drejtësinë

1695922898_gggggggg.JPG

Në Departamentin amerikan të Shtetit thonë se e dinë se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ishte “i koordinuar dhe i planifikuar mirë”, shkruan Insajder.

Zëvendëszëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel u pyet në një konferencë për media për arrestimin e Milan Radoiçiqit të martën, nëse ka për të thënë diçka rreth kësaj.

“Ne i kemi parë ato raporte, Shaun. Ne nuk do të shkojmë përpara hetimit. Dhe siç e kemi thënë, ne e dimë se sulmi ishte i koordinuar dhe i planifikuar mirë, dhe të gjithë ata që ishin të përfshirë në planifikimin dhe kryerjen e këtij sulmi duhet të sillen para drejtësisë”, tha ai.

Ora 12:15
Kosovë/ Hapet pikëkalimi kufitar në Bërnjak, mbetet e mbyllur Jarinja

Bërnjaku, një prej pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, është hapur të mërkurën për qarkullim, ka thënë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Kjo pikë kufitare, bashkë me Jarinjën, janë mbyllur për qarkullim më 24 shtator, pas sulmeve të armatosura ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Si pasojë e sulmeve është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Elshani i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pika kufitare në Jarinjë vazhdon të jetë e mbyllur, për shkak të kërkimeve në terren në atë rajon.

“Ende nuk ka ardhur urdhri për hapje për Jarinjë”, ka thënë mes tjerash Elshani.

Kosova e ka bërë fajtore Serbinë për sulmin në Banjskë, të cilin e ka konsideruar “akt terrorist”.

Beogradi, në anën tjetër, i ka hedhur poshtë këto akuza, duke thënë se serbët lokalë në Kosovë, “janë rebeluar kundër terrorit të Kurtit”, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

SI.E./B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fatosi-kosove: 04/10/2023 21:04

    Shifni o shqiptare te dashur se si vuqiqi arrin ta bashkon popullin e tij edhe pse e dijne se askush nuk i ka sulmuar kurre, te vret dhe paraqitet viktime dhe quditrisht gati te gjithe i besojne, per dallim nga shqiptaret Ku secili mundohet te paraqitet komandant dhe akuzojne njanitjetrin edhe me keq se sa vet serbia, duke i detyruan njerezit edhe historine ta ndryshojne siq eshte psh mender presednike osmanka e cila harron se shqiptaret e dijne kush eshte dhe nga vjen dhe ne vend se ti del per zot vendit dhe ta bashkon popullin ajo perqan e akuzon pikrisht ata qe kan luftuar me shekuj qe te jemi te lire dhe te bashkuar,kjo eshte arsyeja pse une dhe shume shqiptar e urrejme kete rrace e cila fillon te ulurit vetem kur i vie veza per te dale, dhe prap ne vend se te organizoje gjithe spektrin politik dhe popullin kunder serbise ajo dhe qenefi i saj gjejne kohe ta sulmojne e akuzojne Ramen dhe quditrisht perkrahin sali berishen psh i cili kurre nuk eshte sqaruar pse ka kriminelin serb kshilltar spécial per siguri kombetare,pse ishte ne sherbim te drejtperdrejte te millosheviqit gjate diteve me te veshtira per kosoven dhe pis burri ka ftyre te flet, po nejse eshte kohe e te paftyreve se ndryshe as kosova sdo ta kishte presednike tbijen e milicit te millosheviqit akoma kur plaget e luftes jan te hapura, mbi 1630 te pa gjetur pra nje popull qe harron te kaluaren e afet eshte i denuar mjerisht ta vuan kohen siq po i ndodhe kosoves, kur Edi Rama kerkon qe KFOR ta bej detyren qe i eshte ngarkuar kjo eshte tradheti sipas mender presednike osmankes,kurrcit, berishes apo edhe ndonje bythelepirsi te qenefit VV-c, pastaj kur shofim se vuqiqi ka koncentruar mijera forca ushtarake ne kufi e qebesa ska dyshim se edhe mbrenda kufijve te kosoves tash i bajne thirrje KFOR aman shpetona qe ne fund ka te njejtin qellim si Rama por padyshim se JO si vuqiqi, llajqaku borreli llavrovi e sali berisha, kush mendon ndryshe zoti i ndihmoft.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic