Kryeministri Edi Rama sugjeron zgjedhje të menjëhershme në Kosovë dhe rikthim të serbëve në institucione që të marrin fund tensionet. Sipas kreut të qeverisë, kjo ishte pika në të cilën ranë dakord liderët europianë në samitin e Moldavisë.

Rama tha se po të ishte kreu i qeverisë të Kosovës do kërkonte zgjedhje të menjëhershme për kryetarët e 4 komunave me shumicë serbe vetëm që të mos kishte polemika me aleatët. Sipas tij, situata aktuale nuk bën gjë tjetër veçse dëmton Kosovën që thotë se nuk e meriton të shfaqet në këtë mënyrë në sytë e botës.

“Për mua është bërë gjëja e duhur pavarësisht se presidenti i Francës thotë zgjedhje të reja menjëherë dhe kthimi i serbëve në institucioneve dhe të kthehet në qëllim që o këta, o s’ka dhe policia të rrijë atje dhe të përplaset KFOR-i e të kthehet në histori filmi, kjo vetëm e dëmton Kosovën dhe mund të ketë kosto të pallogaritshme jo në koston e izolimit port ë rënies së reputacionit e respektit që janë ngritur për shumë vite dhe duan vite pastaj të rikuperohen.

Nuk duhen nxjerrë kunja për 4 kryetarë komunash. Serbët të kthehen në institucione e Kosova të bëjë zgjedhje. Po të isha në vend të Albin Kurtit e Vjosa Osmanit do kisha hyrë në zgjedhje menjëherë pa hyrë në asnjë polemikë me miqtë e aleatët. Sovranitet për ne duke humbur aleatët është një teprim i madh. Kosovës nuk i prekin dot një fije floku. I vijnë vërdallë për konsum të brendshëm. Ky konflikt është i një politike të brendshme. Kjo s’ka lidhje me marrëdhënien mes 2 palëve”, tha Rama në 'Opinion'.

Rama tha se qeveria Kurti nuk ka zhvilluar asnjë komunikim me qeverinë shqiptare për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

“Jam takuar me Kurtin dhe Osmanin, por nuk kemi patur diskutime për këtë çështje, pasi janë ata që vendosin nëse duhet t’i diskutojnë apo jo. Nuk kam marrë dhe e shoh se çfarë po ndodh, nuk është se ata janë fshehur dhe janë të qartë në atë që thonë. Nuk kemi patur komunikim, pasi është një çështje që është përgjegjësi e kryeministrit të Kosovës dhe në një farë mase dhe Presidencës së Kosovës, janë ata që vendosin nëse duan apo jo të flasin për këtë çështje.

Nuk jam unë ai që u them ore çfarë do bëni. Ju po e thoni vet në mënyrën tuaj atë që unë thash në mënyrën time. Kosova është konsultuar kur ka dashur dhe nuk tani nuk ka kërkuar të diskutojë këtë gjë me mua dhe është në të drejtën e vet pasi është shtet më vete. Ne nuk jemi fare indiferent. Nuk ka patur një diskutim se nuk e kanë kërkuar dhe nuk jam unë ai që duhet tua dërgoj një diskutim të tillë. Janë ata që janë në krye të një shtetit demokratik dhe nuk jam unë babai i Kosovës. Është e drejta e tyre që mos të konsultohen dhe është e drejta e tyre që të na bëjnë me dije edhe nëpërmjet mediave”, tha Rama.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama është shprehur se Serbia ka pushuar së qeni kërcënim për Kosovën që në vitin 1999.

“Serbia ka pushuar së qeni kërcënim për Kosovën në vitin 1999. Asgjë nuk mund t’i bëjë Serbia Kosovës. Edhe ushtria që këndon “Kosova është e jona”, është pasqyrë edhe impotenca e plotë e Serbisë në Kosovë”, tha Rama.

Prej disa ditësh, situata në veri të Kosovës është e tensionuar për shkak të 4 kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe.