“Ideja që do të shkojmë në Lindjen e Mesme për të luftuar për vite me radhë një luftë pa fund në horizont, nuk ka asnjë mundësi që të ndodhë.” Kjo vijë e kuqe, që zëvendëspresidenti Vance e ka përcaktuar kategorikisht për Washington Post, ringjall spekulimet se kush është në cilën anë brenda administratës Trump. Pavarësisht unitetit të dukshëm të qeverisë, ekzistojnë të paktën tre fraksione: ata që duan sulmin ndaj Iranit, ata që nuk e duan, dhe ata në mes që ndërmjetësojnë, shkruan La Repubblica.

Në grupin e parë mund të përfshihet vetë presidenti, pra vota vendimtare, sepse ditët e fundit ai ka shpresuar për ndryshim regjimi në Teheran dhe ka pranuar se po shqyrton një sulm parandalues për t’i bindur ajatollahët të pranojnë kushtet e tij për një marrëveshje, i ndjekur nga një fushatë më e gjatë për t’i rrëzuar, nëse nuk garantojnë heqjen dorë nga bomba atomike, por edhe nga raketat që kërcënojnë Europën dhe SHBA-në, si dhe nga grupet aleate si Hezbollahu që destabilizojnë të gjithë rajonin.

Është e vërtetë që si kandidat i “America First” kishte premtuar t’u jepte fund këtyre luftërave, por më pas ka treguar se është i gatshëm të tërheqë këmbëzën nëse e konsideron në interes të amerikanëve. Në këtë kamp është rreshtuar ambasadori në Izrael Huckabee, i cili ka nisur evakuimin e selisë së tij dhe ka shprehur dëshirën që shteti hebre të pushtojë të gjithë Lindjen e Mesme. Shefi i Pentagonit Hegseth është me gjasë në të njëjtën linjë, por nuk është zëri më vendimtar në administratë. Negociatorët Kushner dhe Witkoff janë gjithashtu shprehje e vullnetit të Trump, por dyshohet se anojnë nga Putini për Ukrainën dhe nga Netanyahu për Iranin.

Vance është më skeptiku, i ndikuar nga shërbimi i tij si marins në Irak, dhe gjatë mbledhjeve mbi planet e sulmit ka bërë pyetjet më therëse. Jo rastësisht, dje ministri i Jashtëm i Omanit, al Busaidi, erdhi në Uashington për ta takuar pikërisht atë, me shpresën për të gjetur veshë më të gatshëm për të dëgjuar shpresat për një zgjidhje diplomatike të krijuara nga bisedimet e ndërmjetësuara në Gjenevë. Ai mund të gjejë mbështetje edhe te shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Përbashkët, Caine, i shqetësuar për hakmarrjet iraniane dhe për rrezikun e zbrazjes së arsenalit. Pa përmendur pastaj botën Maga, ku ish-këshilltarë dhe aleatë të Trump, si Steve Bannon dhe Tucker Carlson, janë shprehur hapur kundër sulmit, duke përdorur tone në kufijtë e antisemitizmit.

Në mes mbetet sekretari i Shtetit Rubio, i cili të hënën dhe të martën do të jetë pikërisht në Izrael për të diskutuar hapat e fundit. Në jetën e tij të mëparshme si republikan tradicional ai ishte në anën e ndërhyrësve, edhe për Ukrainën. Tani ai duhet të ndërmjetësojë një zgjidhje diplomatike vërtet bindëse, ose për të mos mbetur me “shkrepësen në dorë” në rast se Trump vendos për sulmin.