TIRANE - Një nga vajzat e kompanisë kozmetike "LR Cosmetics" që u grabit mbrëmë në Sauk, ku dhe u mbajtën peng për një orë 11 persona, ka rrëfyer për A1 Report dhe Shqiptarja.com, detajet e asaj çfarë ndodhi. Erisa Seferi, bashkëpunëtore e kompanisë, ka dyshimet e veta se dy personat kishin informacione, pasi e dinin se ku stafi linte lekët, si dhe e dinin hyrjen nga mbrapa.

Ju ishit dëshmitare e pengmarrjes?

Po, isha brenda

A mund të na tregoni saktësisht se çfarë ndodhi?

Kishte kaluar ora 18.00 dhe po bëheshim gati të përfundonim punën. Në një moment, erdhi një nga forcat “security”. Dikush nga brenda kishte lajmëruar, ndërkohë vumë re, se vajzat se kishin gjysmë ore që nuk po zbrisnin.

Në çfarë kati ishin vajzat?

Në katin e dytë.

Sa persona ishin?

Ata ishin dy persona, të cilët u futën nga mbrapa godinës. Ishin me doreza, me maska, thika, automatikë... Kur ka hyrë roja i sigurisë, duke ulëritur, kemi zbritur të gjithë poshtë, pasi i kishim armët nga mbrapa dhe po na ndiqnin, por nuk mundën më, pasi nëse dilnin nga kjo anë, atëherë do zbuloheshin, do i shikonin të tjerë persona.

Çfarë kërkuan?

Ata po prisnin që të vinte drejtori i kompanisë dhe t’u jepte lekët që ishin në kompani.

Për sa minuta iu kanë mbajtur?

Rreth një orë. Kanë bërë çfarë kanë dashur. Mbajtën peng 11 vetë dhe i trajtuan shumë keq, sidomos atë që u lirua i fundit, e kanë qëlluar me qytë armësh. Kanë vjedhur thuajse gjithë magazinën. Për lekë nuk e di, pasi në këtë moment që po flasim, edhe çantat tona janë brenda dhe nuk di çfarë kanë marrë.

Ju ku ishit?

Ne ishim tek zona e sportelit. Pengjet ishin brenda, tek zyrat dhe aty u kanë lidhur këmbë e duar disave, me litar. Madje, godisnin cilindo që fliste. Ndërsa pengjet merrnin në telefon drejtorin e kompanisë që të kthehej në kompani. I flisnin normalisht që të mos kuptonte gjë, pasi këta nuk i linin që të tregonin se çfarë kishte ndodhur.

Kush i liroi pengjet?

Në momentet që u ngjit security lart, njëri nga pengmarrësit u largua dhe tjetri mbeti aty e mbajti disa pengje. Në këto moment, disa nga pengjet ikën vetë.

Ju ishin vetëm vajza në godinë?

Vajza dhe djem.

Njërës prej kolegeve tuaja i ka rënë të fikët, vajzës së recepsionit. Si është gjendja e saj?

Dy herë i ka rënë të fikët, por tani është më mirë. Njëri nga maskat e kishte goditur paksa.

Redaksia online

(sg/Shqiptarja.com)