LEZHË- Një punonjes policie në Lezhë është arrestuar, pasi ka tentuar të kryeje marrëdhënie seksuale me një vajze të mitur. Sipas të dhënave zyrtare shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) ka ekzekutuar urdhërin e ndalimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, në ngarkim të shtetasit Kol Kola 62-vjeç banues në Lezhë, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë Lezhë, për veprën penale, “Ngacmim seksual”.
 
Ndalimi i 62-vjeçarit u krye pasi dyshohet se në datë 29 prill 2021, ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me një të mitur të moshes 13-vjeçare nxënëse në një nga shkollat 9-vjeçare të qytetit të Lezhës. 

Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se punonjësi i policisë Kol Kola ka shfrytëzuar rastin që e mitura ka qenë e pashoqëruar nga persona madhorë, e duke keqpërdorur atributet që i jep detyra funksionale, nëpërmjet mashtrimit se do ta shoqëronte në Komisariatin e Policisë, e ka marrë të miturën në një banesë në qytetin e Lezhës, që e kishte në përdorim. Aty dyshohet se ka kryer vepra të turpshme, duke tentuar gjithashtu të kryejë marrëdhënie seksuale.

Këto veprime janë kundërshtuar nga e mitura, e cila u largua me forcë nga banesa dhe mënjehërë ka bërë kallëzim, duke rrëfyer atë çfare i kishte ndodhur. Nisur nga kallzimi i të miturës dhe nga verifikimet paraprake të Policisë Gjyqësore, që dokumentoi me prova shkencore rastin, si edhe duke siguruar pamje filmike, është arritur në konkluzionin se efektivi i policisë Kol Kola ka konsumuar elementë të veprës penale “Ngacmim seksual”.

Në lidhje me rastin po vazhdojnë hetimet nga prokuroria e Lezhës për dokumentimin e plotë të asaj çfarë ka ndodhur. Kol Kola është pjesë e strukturave të policisë së shtetit prej shumë vitesh, duke shërbyer në disa zona të Qarkut të Lezhës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:46
Ky është efektivi i policisë në Lezhë që mashtroi dhe tentoi të abuzonte me të miturën

Personi që shihni në foton më lart është Kol Kola, efektivi 62-vjeçar në policinë  e Lezhës, që u arrestua sot i akuzuar se ka tentuar të abuzojë me një të mitur. Dyshohet se Kola, më datë 29 prill të këtij viti, ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me një të mitur të moshës 13-vjeçare nxënëse në një nga shkollat 9-vjeçare të qytetit të Lezhës. Ai e mashtroi të miturën duke i thënë se do ta çonte në komisariat, por e çoi atë në një banesë në që e kishte në përdorim dhe tentoi të abuzonte me 13-vjeçaren. Kjo e fundit mundi të largohej nga banesa dhe kallëzoi më pas efektivin.