Tentoi të vizitonte një spital në Mitrovicë, ministrit serb të Mbrojtjes i ndalohet hyrja në Kosovë

Tentoi të vizitonte një spital në Mitrovicë, ministrit serb të Mbrojtjes i ndalohet hyrja në Kosovë

Autoritetet e qeverisë së Kosovës po vazhdojnë t'ua ndalojnë hyrjen në Kosovë zyrtarëve të lartë të qeverisë së Serbisë. Kësaj radhe hyrja iu ndalua ministrit serb të mbrojtjes Aleksandër Vulin, konfirmojnë zyrtarë nga Ministria e Jashtme e Kosovës. Sipas Jetlir Zyberajt, këshilltar i ministrit të Jashtëm të Kosovës, "kërkesa për vizitë në Kosovë e Aleksandër Vulinit është refuzuar, sepse qëllimi i tij është provokimi kundër Kosovës”.

"Nuk ka çfarë të kërkojë në Kosovë, ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandër Vulin, derisa Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”, thotë Zyberaj. Sipas tij, ministri serb i Mbrojtjes nuk është dashur të bëjë fare kërkesë për vizitë, sepse ai gjendet në listën e personave që nuk u lejohet hyrja në Kosovë.

Kabineti i ministrit serb të Mbrojtjes Aleksandër Vulin, ka njoftuar se ministri Vulin së bashku me një delegacion të shërbimit ushtarak shëndetësor kishin planifikuar të vizitonin një spital në veri të Mitrovicës. "Ishte planifikuar që vizita të ketë karakter humanitar dhe se përfaqësuesit nga Ministria dhe Spitali Ushtarak me drejtuesit e spitalit në Mitrovicë kanë pasur qëllim që të diskutojnë për bashkëpunimin në mes të këtyre institucioneve shëndetësore”, thuhet në njoftimin e kabinetit të ministrit Vulin.

Ndërkohë mediet në Serbi shkruajnë, se ndalesa që po u bëhet zyrtarëve të qeverisë së Serbisë që ta vizitojnë Kosovën është kundër një marrëveshje Kosovë-Serbi për lëvizje të lirë, ndonëse secili zyrtar serb që dëshiron ta vizitojë Kosovën duhet bërë paraprakisht kërkesë në Ministrinë e Jashtme të Kosovës përmes zyrës së BE-së.

Bedzet Pacoli (Imago/Zumapress)

Ndalimi i hyrjes në Kosovë

Muaj më parë qeveria e Kosovës shpalli persona "non grata”, dhjetëra personalitete të Serbisë, të cilët nuk mund të hyjnë në territorin e Kosovës. Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli tha atëherë, se ka marrë vendim që të shpallen persona non-grata të gjithë ata zyrtarë serbë që përmes deklarimeve të tyre destabilizojnë situatën e sigurisë në Kosovë dhe ata që mohojnë krimet e luftës në Kosovë.

Në listë ndër të tjerë u përfshinë politikani serb, Vojisllav Sheshel, i dënuar nga Gjykata e Hagës. Ljubusha Divkoviq, ish-gjeneral i armatës serbe, ministri i Brendshëm dhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë e deri tek kryeministrja serbe, Ana Brnabiq. Kjo e fundit u përfshi në listën e Ministrisë së Jashtme të Kosovës si persona "non grata”, pas deklaratave të saj që politikanët në Prishtinë "janë njerëz të zbritur nga Mali”.

Në ditën që në Poznan të Polonisë po zhvillohej Samiti për Ballkanin Perëndimor, Ministria e Jashtme e Kosovës njoftoi se i ka ndaluar hyrjen në Kosovë, kryeministres së Serbisë Ana Brnabiq, por më vonë gjatë ditës zyra e kryeministrit Haradinaj tha se nuk ka vendim qeveritar që kryeministres serbe t'i ndalohet hyrja në Kosovë.

Situatën e krijuar rreth ndalesës që të hyjnë në Kosovë disa zyrtarë të lartë të qeverisë së Serbisë, analistët politikë e shohin si një moskoordinim të veprimeve të institucioneve të Kosovës. Artan Muhaxheri, analist politik, i tha DW-së, se "brenda institucioneve të Kosovës ekziston një mosdakordim total i veprimeve të Kosovës karshi Serbisë.

"Populizëm deklarativ"

"Secili person qoftë edhe me peshë minimale politike mund të dalë edhe të flasë për gjëra të mëdha në emër të shtetit të Kosovës dhe në këtë linjë ka tentim që të ketë protagonizëm nga të gjitha palët, kur bëhet fjalë për Serbinë dhe ka një mungesë të plotë të unifikimit të strategjive dhe kjo e bën qeverinë e Kosovës qesharake dhe është e pafalshme që për gjëra kaq të mëdha të mos ketë një koordinim ndërinstitucional”, thotë Artan Muhaxheri. Sipas tij, edhe nga ana e Serbisë ka vazhdimisht tendencë për protagonizëm në raport me Kosovën dhe nëse Serbia dhe Kosova vazhdojnë me këtë populizëm deklarativ, ato do ta largojnë vetën e tyre edhe më shumë nga Bashkimi Evropian.

"Bllokada aktuale në dialogun Kosovë-Serbi është rezultat i gabimeve të mëdha nga të trija palët, Serbia, Kosova dhe BE-ja, prandaj nuk është e çuditshme dhe nuk ka asnjë fije shprese për përmirësim të raporteve. Një situatë e tillë krijon hapësirë të përshtatshme për protagonizëm dhe populizëm, prandaj duket se ka një garë destruktive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, se kush do të bëjë vepra më konkrete, se cila e largon përherë e më shumë nga gjetja e një zgjidhje përfundimtare Kosovë-Serbi”, thotë Artan Muhaxheri./DW/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën