TIRANE-Pronari i një pike këmbimi valutor në kryeqytet është sulmuar dhe grabitur nga dy persona mëngjesin e sotëm. Ngjarja ka ndodhur në rrugën e 'Barrikadave' rreth orës 09:00. Pronari i pikës së këmbimit është Agron Shima 50-vjeç, ndërsa gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se i kanë marrë 60 mijë dollarë.

Autorët, të cilët kanë qenë dy, e kanë ndjekur dhe në momentin që ka dalë nga pika e tij e këmbimit dhe po lëvizte me motor në drejtim të tregut të njohur si “Dollari", ai është goditur në kokë dhe trup me levë dhe thikë në bark duke humbur kontrollin e motorit dhe rrëzuar në tokë. 

Autorët i kanë marrë çantën ku kishte shumë prej 60 mijë dollarësh dhe kanë tentuar që të arratisen, por vetëm njëri ia ka dalë që të largohet, pasi tjetri është prangosur. Autorët, të pamaskuar, por me skafandra në kokë për të mos u identifikuar hipën në motor për t'u larguar me shpejtësi, por në këtë moment ndërhyri me shpejtësi një efektiv i policisë rrugore.

Efektivi duke parë mënyrën e çrregullt që po lëvizte motori, por edhe pa targa i bëri thirrje që të ndalonte, por agresorët nuk u bindën. Në këtë moment ai i është hedhur sipër motorit duke bllokuar njërin nga autorët, ndërsa tjetri është arratisur në rrugën e 'Barrikadave' me çantën me shumën.

REPORT TV sjell pamjet ekskluzive nga vendi i ngjarjes, së momentit kur i arrestuari është shtrirë në tokë dhe prangosur nga efektivët dhe të pronarit të 'Exchange'-it i mbuluar me gjak, teksa transportohet nga ambulanca për në spital. Ndërkohë që grupi hetimor ka rrethuar vendin e ngjarjes dhe ka sekuestruar motorin që përdorën autorët që ndoqën dhe sulmuan pronarin e pikës së këmbimit valutor, levën dhe thikën me të cilën e goditën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:11
Tiranë, sulmohet me thikë e levë kambisti, policia arreston një nga autorët (FOTO)

Sot në orët e para të mëngjesit dy persona me motor sulmuan me thika dhe mjete të forta një kambist në Tiranë. Këto janë foto nga vendi i ngjarjes dhe momentet kur efektivët e Policisë Rrugore arrestojnë një prej autorëve të ngjarjes ndërsa tjetri u largua.

Ora 10:34
Dinamika/ Polici hero i rrugores, iu hodh motorit, kapi njërin nga autorët

Shqiptarja. com zbardh detaje të reja nga dinamika e aksionit që solli arrestimin e njërit prej autorëve të grabitjes së kambistit sot në Tiranë. Efektivi i rrugores ka qenë te rruga e 'Barrikadave', teksa ka parë një motor (i autorëve) që po lëvizte në mënyrë të çrregullt. Ai i ka bërë shenjë që të ndalonte, por drejtuesi nuk iu bind duke u larguar. Në këtë moment, efektivi i është hedhur motorit sipër duke bllokuar njërin nga dy autorët, ndërsa tjetri është arratisur. Report Tv sjell pamjet e momentit, kur efektivi i rrugores e ka bllokuar autorin.

Me rreth te kuq, efektivi i rrugores dhe i arrestuari
Ora 10:08
Grabitja në Tiranë, policia: Kambisti u godit në kokë në lëvizje

Policia njofton se në rrugën e “Barrikadave” Agron Shima rreth 50 vjeç (pronar i një pike këmbimi valutor) ka qenë duke lëvizur me motor ndërkohë që është goditur me mjete të forta nga dy persona duke i marrë një sasi lekësh. Reagimi në kohë i Policisë ka bërë të mundur kapjen  dhe shoqërimin në Komisariat të njërit prej autorëve të dyshuar, ndërkohë që autori tjetër ka arritur të largohet.

Motori me të cilin po udhëtonte kambisti
Ora 10:05
Zbulohet emri i pronarit të 'Exchange'-it që u grabit sot në Tiranë

Agron Shima 50-vjeç është pronari i pikës së këmbimit valutor që u grabit dhe u dhuna sot në Tiranë nga dy persona, njëri nga të cilët u arrestua.

Ora 10:05
Ndjekje si në filma, ja si u kap njëri nga autorët e grabitjes në Tiranë

Deri tani është arrestuar vetëm njëri nga autorët e grabitjes sot në Tiranë. Në momentin që sulmuan pronarin e pikës së këmbimit ndërhynë efektivët e policisë rrugore. Njëri nga autorët u largua në këmbë duke u arratisur, ndërsa tjetri iku me motor, por arratia zgjati shumë pak, pasi policia rrugore filloi ndjekjen duke e arrestuar. Policia u bëri thirrje me megafon drejtuesve të makinave që të hapnin rrugën për të prangosur njërin nga autorët rreth 30 metra nga vendi i ngjarjes.

Policia Rrugore arreston një nga autorët

 

Ora 09:57
Motori, thika dhe leva që autorët sulmuan kambistin (FOTO)

Report Tv siguron pamjet e motorit të autorëve të grabitjes, ngjyrë e zezë dhe pa targa, që u përdor për të ndjekur pronarin e pikës së këmbimit dhe të thikës e levës që goditën 50-vjeçarin Agron Sh. për ti marrë çantën me 60 mijë dollarë.

Motori i autorëve, thika dhe mjeti që u godit pronari i pikës së këmbimit valutor
Ora 09:52
Kambisti i shtrirë në rrugë dhe mbuluar me gjak, zbulohet shuma që iu grabit (VIDEO)

Report Tv mëson se kambistit që u dhuna dhe u grabit sot në mëngjes në Tiranë i janë marrë 60 mijë dollarë. Ai është Agron Sh. 50-vjeç. Report Tv sjell pamjet e momentit ku kambisti ndodhet i shtrirë në rrugë, pasi u godit me levë dhe thikë nga autorët, që e grabitën.