TIRANE- Një tentativë e rrallë arratisje është shënuar mbrëmjen e sotme nga burgu 325 në zonën e Ali Demi në Tiranë. Një prej të burgosurve që do të linte sot qelinë ka tentuar të ndihmojë edhe një mikun e tij 17 vjec, që të shijonin së bashku lirinë, por kjo tentativë është ndalur në momentet e fundit.
 
Burime pranë burgut 325 bënë të ditur se familjarët e të burgosurit që do të lirohej sot, i kanë sjellë atij dy valixhe për të bërë transportimin e rrobave dhe sendeve të tjera personale. Deri këtu gjithcka ka qënë konform rregullave. Por në momentin e daljes së tij nga burgu, rojat e sigurisë kanë vënë re se ai po dilte me 3 valixhe. Kjo ka ngjallur dyshime menjëherë dhe rojet e sigurisë kanë ushtruar kontroll në secilën prej valixheve, dhe kanë mbetur të befasuar ndërsa në njërën prej tyre kanë parë se gjendej një i ri, 17 vjecar, një tjetër person që vuante dënimin në këtë burg. 

Të gjendur para këtij fakti, autoritetet e burgut kanë marrë masa, duke I kthyer në qeli të dy personat. 17 vjecari, që kishte 6 muaj që gjendjej në qelitë e këtij burgu është rikthyer sërish atje, dhe ndaj tij tashmë do të rëndojë një tjetër akuzë, ajo e tentativës për arratisje. Ndërkaq miku i tij, që prej ditës së sotme do të fitonte lirinë gjithashtu do të mbetet në qeli, pas ndihmës që I dha 17 vjecarit për t’u arratisur. 
(jd/shqiptarja.com)