Gjykata e Shkallës së Parë në Fier ka dënuar me 50 vite burg në total Laert Hasallën dhe Mariglen Matjanin, të akuzuar për veprat penale ‘Vrasja në rrethana cilësuese’ në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’.

Bëhet fjalë për një atentat të regjistruar më 30 mars 2023 ku Marius Hasallës iu organizua një atentat si pasojë e gjakmarrjes, por e plagosur mbeti vetëm halla e tij, Bajame Seneja, pasi ndodheshin në një automjet. Porositës i atentatit është Larert Hasalla, i cili e donte të vdekur Marius Hasallën pasi i ati i Mariusit, ka vrarë Romeo Hasallën, vëllanë e Laert Hasallës.

Konflikti mes familjeve Hasalla

Gjithçka ka nisur për një konflikt toke prej 2 hektarësh që është kthyer mollë sherri mes dy familjeve Hasalla. Përplasjet mes tyre kulmuan në vitin 2021, kur Kastriot Hasalla qëlloi me armë zjarri ndaj kushërinjve të tyre, duke lënë të vdekur 30-vjeçarin, Romeo Hasalla dhe të plagosur Shaip Hasallën së bashku me dy djemtë e tij, Emiljano dhe Laert Hasallën. Për ngjarjen u arrestua edhe Afrim Hasalla por më pas u la i lirë, pasi Kastriot Hasalla u vetëdorëzua në polici duke pranuar krimin. Ai është dënuar me 35 vite burg.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Fierit

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u shpallën fajtorë dhe u dënuan me 25 vite burgim, shtetasit L.H. dhe M.M. për veprat penale ‘Vrasja në rrethana cilësuese’ në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 79, gërma ‘ë’, 25 dhe 22 të Kodit Penal dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal.

Në përfundim të hetimit dhe gjykimit mbi procedimin penal nr. 150/2023, me të pandehur shtetasit L. H. dhe M.M. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të përgjithshëm, Fier arriti të provojë se i pandehuri L.H., me qëllim për t’u hakmarrë ndaj vrasjes së vëllait të tij R.H., ka bashkëpunuar me të pandehurin M.M., të cilit i ka porositur eleminimin fizik të shtetasit M.H. Në datë 30.03.2023, rreth orës 16.00, në vendin e quajtur “Pisha”, fshati Garunjë, Lushnjë, i pandehuri M.M., pasi është informuar mbi targën e automjetit me të cilin udhëtonte shtetasi R.H., ka siguruar armën e zjarrit e ka përgatitur vendin nga do shtinte, ka qëlluar njëmbëdhjetë herë në drejtim të këtij mjeti. Si pasojë e sulmit ka mbetur e plagosur shtetasja B.S., pasagjere në vendin e parë të mjetit. Shtetasi M.H., shënjestra e sulmit, ka kuptuar sulmin dhe ka shtuar shpejtësinë duke bërë të mundur largimin e mjetit.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.