LUSHNJË- Pas tre muajsh hetime, policia ka arritur të zbardhë një tentativë vrasjeje rreth 3 muaj më parë (30 mars 2023) në Lushnjë. Për shkak të gjakmarrjes, 22-vjeçarit Marius Hasalla, iu organizua një atentat, por e plagosur mbeti vetëm halla e tij, Bajame Sejena, pasi ndodheshin në një automjet.
Në pranga kanë rënë Mariglen Matjani, 28 vjeç, dhe Laert Hasalla, 30 vjeç. Ky i fundit ishte porositësi i atentatit dhe sipas policisë ka paguar Mariglen Matjanin që të vriste Marius Hasallës, ndonëse plani nuk shkoi ashtu siç ishte planifikuar. Ai donte vdekjen e Marius Hasallës, sepse 2 vite më parë pasi i ati i Mariusit, ka vrarë Romeo Hasallën, vëllanë e Laert Hasallës.
Konflikti mes familjeve Hasalla
Gjithçka ka nisur për një konflikt toke prej 2 hektarësh që është kthyer mollë sherri mes dy familjeve Hasalla. Përplasjet mes tyre kulmuan në vitin 2021, kur Kastriot Hasalla qëlloi me armë zjarri ndaj kushërinjve të tyre, duke lënë të vdekur 30-vjeçarin, Romeo Hasalla dhe të plagosur Shaip Hasallën së bashku me dy djemtë e tij, Emiljano dhe Laert Hasallën. Për ngjarjen u arrestua edhe Afrim Hasalla por më pas u la i lirë, pasi Kastriot Hasalla u vetëdorëzua në polici duke pranuar krimin. Ai është dënuar me 35 vite burg.