Pothuajse dy vjet e gjysmë pas atentatit ndaj Donald Trump gjatë një tubimi në Butler, në Pensilvani, një nga figurat historike të trumpizmit ka dalë nga fronti dhe ka ndërmarrë një përplasje të re të brendshme me kreun e Shtëpisë së Bardhë

Ish-deputetja republikane Marjorie Taylor Greene, tashmë në konflikt me manjatin, ka ringjallur dyshimet e bazës MAGA dhe i ka kërkuar presidentit të Shteteve të Bashkuara të sqarojë episodin kyç të fushatës elektorale të vitit 2024: atentatin ku Trump mbeti i plagosur në llapën e veshit, ndërsa një mbështetës i tij humbi jetën. Sulmuesi, Thomas Matthew Crooks, 20 vjeç, i shtrirë në çatinë e një ndërtese rreth 300 metra larg skenës, u vra nga snajperët e Shërbimeve Sekrete 

Të shumtë janë ata që konsiderojnë këtë episod si pikën e kthesës që i lejoi Trumpit të rikuperonte në sondazhe dhe të fitonte për herë të dytë Shtëpinë e Bardhë.

Që në fillim, teoricienët e konspiracionit ngritën dyshime, duke nisur nga mungesa e informacionit për plagën e presidentit, e cila ishte mbuluar me një fashë të madhe dhe u hoq disa ditë më pas pa lënë gjurmë në kërcin e veshit.

Gjithashtu, u duk i çuditshëm edhe reagimi i agjentëve të Shërbimit Sekret që nuk ndërhynë për të ndalur sulmuesin, megjithëse prania e tij ishte sinjalizuar nga njerëzit.

Për më tepër, edhe pas të shtënës së parë, ata nuk e shtrinë menjëherë Trump në tokë për ta mbrojtur, por u përkulën vetë, duke i dhënë mundësi të ngrihej dhe të tregonte grushtin duke bërtitur “fight, fight, fight”, një thirrje që u bë slogan fitues i fushatës. Fotografët, nën skenë, u lejuan në mënyrë të pazakontë të afroheshin nga organizatorët. Një nga fotot, e shkrepur nga poshtë, tregonte presidentin me grushtin lart dhe në sfond flamurin amerikan. Ajo imazh vulosi figurën e një lideri “të fortë dhe të pathyeshëm” që i duhej Amerikës.

Tani një pjesë e bazës MAGA, e zhgënjyer nga hyrja në luftë me Iranin dhe menaxhimi i skandalit Epstein, ka ringjallur dyshimet se atentati ishte i inskenuar.

Askush nuk është ndëshkuar për dështimet e sigurisë. Madje, shefi i sigurisë, Sean Curran, është promovuar. “Presidenti Trump  duhet të bëjë sqarime. Pse nuk e bën? Kjo është pyetja” ka shkruar ish-deputetja në X . Dhe kjo pyetje, në botën MAGA, përbën një kurth. Nëse nuk përgjigjet, Trump – i cili e ktheu transparencën në një parim kryesor – do të rrisë dyshimet. Nëse e pranon kërkesën, do të legjitimojë një teori konspirative pa prova.

Historia e atentatit të rremë, në prag të zgjedhjeve të nëntorit për rinovimin e Kongresit, mund të dobësojë një president që tashmë po humbet mbështetje./LaRepubblica