TEPELENE - Një gjahtar ka humbur jetën, kur në mënyrë aksidentale shoku i gjuetisë ka qëlluar drejt tij. Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ka ndodhur në orën 06:00 të mëngjesit të sotëm në vendin e quajtur Likmet në mal mbi fshatin Martalloz të Komunës Lopëz, në Tepelenë.

Katër shtetas nga Patosi i rrethit Fier shok me njëri tjetrin kishin ardhur për gjueti dhe në një moment iu ka dalë para një ujk.

Njëri prej gjahtarëve shtetasi Hajri Muho, 61 vjeç ka mbushur armën e gjahut dhe ka qëlluar në drejtim të ujkut. Mirëpo në momentin që ky shtetas ka mbushur armën e gjahut, një nga gjahtarët e tjerë shtetasi Arben Balla 46 vjeç ka dalë me shpejtësi para ujkut dhe ka qëlluar edhe ai në drejtim të tij.

Hajri Muho pasi ka mbushur armën e gjahut ka qëlluar pa vënë re se para tij kishte dalë shoku i tij Arben Balla.

Balla është plagosur rëndë në shpatulla nga e shtëna e çiftes së shokut të tij dhe pas dy apo tre minutash ka gjetur edhe vdekjen.

Të tre gjahtarët janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Tepelenë ku pas veprimeve të para hetimore të kryera nga Specialistët e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe nga deklarimet e dy gjahtarëve të tjerë ka rezultuar se ngjarja ka qenë aksidentale, vrasje nga pakujdesia.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Hajri Muho i datëlindjes 1951, lindur dhe banues në Patos të rrethit Fier.
Arrestimi i tij u bë për veprën penale të “Vrasjes nga pakujdesia”, vepër kjo e parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

(eç/shqiptarja.com)