Tërhiqet Basha, pas thirrjes
për luftë zbulon se nuk ka ushtri

Tërhiqet Basha, pas thirrjes<br />për luftë zbulon se nuk ka ushtri
Kreu i PD-së është shfaqur dje i dëshpëruar. Pas kritikave të ndërkombetarëve dhe distancimit të Metës edhe çadra po i boshatiset duke e detyruar të ndryshojë qëndrimin e të tërhiqet nga deklaratat luftarake.

“Nuk është thirrje për luftë, kemi zgjedhur një rrugë tjetër që na shkon për shtat”,-tha dje Lulzim Basha duke zbutur tonet.

Kishte ëndërruar një skenar rumun në Tiranë, por në ditën e saj të tetë, protesta me turne dhe pica e opozitës shqiptare, ka marrë një dimension qesharak, karikaturë e asaj që ndodhi në Bukuresht.

U trumbetua si fillimi i një orteku që do të përmbyste qeverinë, duke themeluar një republikë të re imagjinare, por sot, çadra e Partisë Demokratike, është shndërruar thjeshtë në një zyrë partie në bulevard, në të cilën mbahen fjalime si dhe ku shfaqen herë pas herë ish-pushtetarë që i druhen drejtësisë së re.

Nëse në Rumani qëndronin në shesh çdo natë mbi 10 mijë qytetarë, në çadrën e PD, që në ditët e para, nisën mosmarrëveshjet kur ndonjëri nga punonjësit e bashkive të drejtuara nga PD, nuk paraqitej në orar për të marrë turnin. Pas kureshtjes së fillimit, ditët e fundit, çadra e opozitës, nëse nuk do të bllokonte trafikun në Tiranë, mund të ishte harruar. Nën çadër shtyjnë orët rreth 200 protestues, të cilët zëvendësohen pas çdo turni, sipas një grafiku të organizatorëve.

Kritikat e ndërkombëtarëve
Pozicionimi i ndërkombëtarëve kundër bojkotit të Kuvendit si dhe shpërfillja ndaj ngujimit para Kryeministrisë, ishte goditja e parë ndaj protestës së Partisë Demokratike, goditje e cila përcaktoi, deri diku, edhe dështimin e saj. Një ditë pas shpalljes së bojkotit, përfaqësues të Bashkimit Evropian, kundërshtuan njëzëri braktisjen nga parlamenti, si një instrument politik për bllokimin e ngritjes së institucioneve të Vetingut dhe të Reformës në Drejtësi në tërësi. Ndërkaq, qëndrimi i ndërkombëtarëve për formën e protestës, si një tentativë për imitim të protestës së 2010, ishte një zhgënjim për krerët e PD, pasi përfaqësuesit e Brukselit qëndruan indiferentë.  

Mosmbështetja nga Meta
Qëndrimi i kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, i cili hodhi poshtë ultimatumet për të braktisur koalicionin, prodhoi nervozizëm dhe dëshpërim tek krerët e Partisë Demokratike. Pas dy ditë heshtjeje, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, refuzoi kërkesën e Lulzim Bashës dhe Sali Berishën për krijimin e një qeverie teknike. Ndërkaq, një darkë e Ilir Metës me Edi Ramën, vetëm disa metra larg çadrës së PD, shoi përfundimisht shpresat në kampin demokrat për krijimin e një qeverie teknike. Një ditë pas darkës, Lulzim Basha, për herë të parë pas gati dy vitesh, mallkoi kryetarin e LSI.

Dëbimi nga protestuesit Zharrëzës
Teksa protesta para Kryeministrisë u katandis në 200 vetë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nxitoi dje për të përdorur politikisht protestën e banorëve të Zharrëzës. Lëvizja e Bashës erdhi pas disa tentativave të Partisë Demokratike për të futur grevistët në çadrën e PD. Por, si mos të mjaftonte braktisja nga ndërkombëtarët dhe nga demokratët, Basha u dëbua dje edhe nga protestuesit e Zharrëzës, teksa i kujtuan se shqetësimi i tyre për shtëpitë është produkt i marrëveshjeve të firmosura nga qeveria e PD.

Tërheqja e Bashës pas kallëzimit penal
Kanë mjaftuar 24 orë që, kryetari i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, të tërheqë dhe të mohojë thirrjet antikushtetuese për të grushtuar dhe tërhequr zvarrë pushtetarët, për të thyer xhama dhe shpuar goma. Një ditë pas kushtrimit për luftë, Lulzim Basha ka moderuar dhe zbutur thirrjet luftarake, duke zbuluar se nuk ka ushtri që e ndjek pas.

Tërheqja e Bashës ka ardhur vetëm disa orë pasi Policia e Tiranës e kallëzoi penalisht në Prokurori për konsumimin e veprës penale të thirrjeve të bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme.

Sinjalet e para
Sinjalet e para për kthesën e Bashës, në fakt, u dhanë që pasditen e së premtes, kur disa përfaqësues të Partisë Demokratike nxituan të korrigjonin deklaratat luftarake të kryetarit, duke i veshur me një tjetër kuptim. Ndërkaq, paraditen e djeshme, Basha zbuti dukshëm retorikën e dhunës, ndërsa në mbrëmje, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarë dhe gazetarë, kreu i opozitës mohoi publikisht thirrjet për luftë. “Nuk është thirrje për luftë, a e dini pse? Nuk është ai formati i thirrjes për luftë. Ka tjetër format dhe tjetër formulë, thirrja për luftë. Po bëra thirrje për luftë z. Edi Rama, treçereku i policisë së shtetit do të vijë të të arrestojë ty. Do të vijë të të marrë ty, sepse tre të katërtat e policisë së shtetit si gjithë qytetarët e tjerë të Republikës së Shqipërisë, kanë hequr në shpinën e tyre padrejtësinë, paligjshmërinë, abuzivizmin dhe arrogancën, hiq këtu ata pak veta që i ke kthyer në rreshterë të drogës. Po të ishte puna për thirrje për luftë e për polici, të jesh i sigurt që tre nga katër oficerë policie, do të ishin tek dera jote duke të të marrë ty të pandehur”, tha Basha.

Kthesa e Bashës
Gjatë fjalës së tij në çadrën para kryeministrisë, Lulzim Basha, u shpreh se Partia Demokratike ka zgjedhur një rrugë tjetër që i shkon përshtat, ndryshe nga rruga e dhunës. “Por kemi zgjedhur një rrugë tjetër që na shkon për shtat. Na shkon për shtat qytetarie, na shkon për shtat demokracie, na shkon përshtat si shqiptarë evropianë, të vlerave perëndimore, të dinjitetit dhe të drejtave të njeriut dhe kjo është rruga e pjesëmarrjes, kjo është rruga e bashkimit, kjo është rruga e vendosmërisë totale deri në fitoren pa kushte të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përmes një qeverie të vullnetit të mirë. Kjo është beteja, kjo është kauza, ky është sheshi, këtu do të vijë së shpejti fitorja”, pohoi kryetari i opozitës.
 
Protesta
Ëndërruan një skenar rumun në Tiranë, por në ditën e saj të tetë, protesta me turne dhe pica e opozitës shqiptare, ka marrë një dimension qesharak, karikaturë e asaj që ndodhi në Bukuresht.
 
Tërheqja
Kanë mjaftuar 24 orë që, kryetari i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, të tërheqë dhe të mohojë thirrjet antikushtetuese për të grushtuar dhe tërhequr zvarrë pushtetarët, për të thyer xhama dhe shpuar goma.
 
24 shkurt, Basha
“Ta dijë mirë çdokush që godet qytetarët, që godet protestën, që do vijë ora për t’i marrë zvarrë nga ky shesh. Doni luftë, luftë do të ketë, populli do të fitojë! Shpojani gomat, thyeni dritare, nxirrni zvarrë nga zyrat ata që ju shkelin të drejtat tuaja, ngrihuni, protestoni e luftoni. Askush nuk mund të mendojë se po luan me qytetarin e popullin. T’i bëjë llogaritë mirë se përndryshe vala e ashpër popullore do i fshijë nga zyrat”.
 
25 shkurt, Basha
“Nuk është thirrje për luftë, a e dini pse? Nuk është ai formati i thirrjes për luftë. Ka tjetër format dhe tjetër formulë, thirrja për luftë. Po bëra thirrje për luftë z. Edi Rama, treçereku i policisë së shtetit do të vijë të të arrestojë ty. Kemi zgjedhur një rrugë tjetër që na shkon për shtat. Na shkon për shtat qytetarie, na shkon për shtat demokracie, na shkon përshtat si shqiptarë evropianë, të vlerave perëndimore, të dinjitetit dhe të drejtave të njeriut”.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

U sëmur me meningjit 11 ditë pas lindjes, Kledi Kadiu rrëfen gjendjen shëndetësore të të birit

U sëmur me meningjit 11 ditë pas lindjes, Kledi Kadiu rrëfen gjendjen shëndetësore të të birit