Ditën e djeshme kanë dalë para Gjykatës së Vlorës edhe dy punonjësit e sigurisë private, Artur Grami dhe Gazmend Vathi, të arrestuar pas dhunës së ushtruar ndaj protestuesve në zonën e Zvërnecit.
Gjykata ka vendosur ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg”. Sipas hetimeve, ata dyshohet se kanë qenë të përfshirë në tërheqjen zvarrë të një qytetari gjatë protestës kundër projektit në Zvërnec.
Më herët, në burg është lënë edhe Geraldo Biba, punonjës i “Major Security”, i akuzuar për dhunimin e protestuesit. Vathi dhe Grami e mbajtën protestuesin me forcë në kabinën e rojës, pasi ai ishte goditur me grusht nga Biba.
Policia bën të ditur se Grami dhe Vathi nuk figuronin të regjistruar apo të licencuar nga ndonjë subjekt privat, ndonëse vepronin si pjesë e kompanisë “Major Security”.
Rojet e “Major Security” u panë me maska të zeza në protestë dhe hodhën spraj me piper ndaj protestuesve dhe efektivëve të Policisë së Shtetit.
Nga hetimet rezultoi se Gerald Biba, i cili ndodhet me masë sigurie “arrest me burg”, ishte pronari faktik në hije i “Major Security”, kompani e regjistruar në emër të vjehrrës së tij, Shpresa Myzyri. Për shkak të shkeljeve të konstatuara, Policia e Shtetit vendosi t’u heqë licencat si “Major Security”, ashtu edhe kompanisë tjetër “Myrto Security”.
Përplasja në Zvërnec solli pasoja edhe në Policinë e Vlorës. Elidon Çela u shkarkua nga detyra për dështim në menaxhimin e situatës dhe në krye të Drejtorisë Vendore u komandua Edvin Ndreu.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente









Ka palester ne Burg?
Përgjigju