Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ka goditur Kolumbinë, duke lënë të paktën 111 viktima dhe dhjetëra të plagosur. Mes skenave më dramatike është ajo në qytetin Cali, ku ekipet e shpëtimit po kërkojnë disa fëmijë që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënojat e një spitali universitar, pasi një pjesë e godinës u shemb nga lëkundjet.

Sipas autoriteteve, deri tani raportohet për 111 viktima por edhe shumë  persona të zhdukur dhe dhjetëra të tjerë të bllokuar nën rrënojat e mbi 20 ndërtesave të shembura në Cali.

Lëkundjet u ndjenë pothuajse në të gjithë territorin e Kolumbisë, por edhe në Ekuador dhe Panama. Sipas Shërbimit Gjeologjik Amerikan, tërmeti kishte magnitudë 7.4 dhe epiqendra ndodhej në perëndim të Kolumbisë, në një thellësi rreth 100 kilometra. Ndërkohë, Shërbimi Gjeologjik i Kolumbisë e vlerësoi tërmetin me magnitudë 6.6.

Pak pas goditjes kryesore u regjistrua edhe një pasgoditje me magnitudë 4.6 në provincën Choco.

Tërmeti shkaktoi dëme edhe në infrastrukturën aeroportuale. Autoritetet pezulluan fluturimet në aeroportet e Pereira, Manizales, Quibdo, Armenia, Cartago dhe Buenaventura deri në përfundimin e kontrolleve për dëmet e mundshme.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme italiane bëri të ditur se po ndjek situatën në bashkëpunim me ambasadën në Bogota dhe se, deri tani, nuk ka njoftime për shtetas italianë të prekur nga tërmeti.

Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në zonat më të goditura, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që bilanci i viktimave të rritet.