Një tërmet me magnitudë 5 të shkallës Rihter goditi mëngjesin e kësaj të shtune rrethin Battalgazi në provincën Malatya, në lindje të Turqisë.

Sipas Agjencisë Turke për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), lëkundjet u regjistruan në orën 06:20 sipas kohës lokale dhe u ndjenë edhe në provincat fqinje Elazig, Adiyaman, Tunceli dhe Sanliurfa.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë raportuar dëme materiale apo persona të lënduar, shkruan CNN Turk.

Edhe ministri turk i Mjedisit dhe Zhvillimit Urban, Murat Kurum, deklaroi se deri tani nuk është konstatuar asnjë zhvillim negativ, por theksoi se të gjitha raportimet po shqyrtohen.

Rajoni i Malatyas ishte një nga zonat më të goditura nga tërmeti shkatërrues i vitit 2023, i cili la mbi 53 mijë viktima dhe shkaktoi dëme të mëdha në juglindje të Turqisë.