Korça s'gjen qetësi nga tërmeti, sizmologu: Goditja kryesore iku! 230 banorët kalojnë natën në çadra /Video

Banorët e tre fshatrave në qarkun e Korçës, Floqit, ku ishte epiqendra e tërmetit, Vidovës dhe Qafë Zezës kaluan natën e parë në çadra pas lëkundjeve të forta sizmike që u dëmtuan shtëpitë duke i bërë të pabanueshme. Nata ka qenë e vështirë pasi nuk kanë munguar as reshjet e shiut që vijojnë edhe sot, ndërsa një grua shtatzënë dhe dy të moshuar janë dërguar në spitalin e Korçës për ndihmë sot në mëngjes.

Emergjencat Civile njoftojnë se numri i banorëve që e kaluan natën jashtë në çadra ka qenë 230 nga frika e lëkundjeve, të cilat vijuan edhe sot, teksa prej orës 00:35 minuta deri në 12:14 të mesditës u regjistruan 16 me magnitudë deri në 3.5 ballë duke shkaktuar panik te banorët e juglindjes së vendit. "Janë evidentuar 184 banesa të dëmtuara, 60% e të cilave të pabanuara. 230 banorë janë strehuar në çadrat kolektive të ngritura, 160 në Floq, 40 në Vidovë dhe 30 në Qafë Zezë. Deri me tani raportohet për 8 kabina elektrike të dëmtuara nga tërmeti" njoftojnë Emergjencat Civile.

Emergjencat Civile theksojnë se banorëve ju është siguruar ushqimi, uji i pijshëm, krevate dhe batanije, por në Qafë Zezë jo të gjitha familjet kanë pranuar që të strehohen në çadra, pasi nuk kanë pranuar që të lënë shtëpitë, ndërsa njëri prej tyre thotë se nuk kanë marrë ndihma në ushqime. Drejtuesit e pushtetit vendor dhe drejtuesi i Emergjencave Civile ndodhen në zonat e prekura. Në një lidhje për Report Tv Haki Çako tha se banorët janë sistemuar dhe situata është nën kontroll. Ndërsa sizmologu Rrapo Ormeni në një lidhje telefonike për Report Tv u shpreh se pas goditjes kryesore dje në qarkun e Korçës, me epiqendër në Floq, të tjerat që kanë vijuar edhe sot nuk paraqesin rrezik.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:13
Spiropali në Floq: Nga strehimi te ushqimet e ndihma mjekësore, ja masat e marra nga shteti (FOTO)

Ministrja e Shtetit për Marrdhëniet me Parlamentin njëherësh zëdhëndësja e qeverisë Elisa Spiropali ka qenë pranë banorëve të prekur nga tërmeti në Korçë. Me anë të një reagimi ne Facebook Spiropali bën me dije të gjitha masat e ndërmarra nga strehimi deri te ushqimi për të gjithë banorët e prekur nga tërmeti. 

Postimi i plotë:

Në Floq dhe Qafëzes, bashkë me drejtuesit e institucioneve qendrore dhe lokale të Qarkut Korçë, vizituam banorët e prekur nga tërmeti i fuqishëm që goditi këtë rajon.

Akomodimi i menjëhershëm i banorëve në ambiente provizore, furnizimi me ushqime, krijimi i kushteve bazike, ndihma dhe monitorimi i parametrave mjekësore në mënyrë permanente 24H, janë vetëm disa nga masat e marra deri më tani.

Komisioni i verifikimit të dëmeve ka nisur punën, ku shumë shpejt do të kemi bilancin e situatës për të vijuar me dëmshpërblimin për të gjitha familjet e prekura nga kjo fatkeqësi natyrore.

Ora 18:07
Korça goditet sërish nga tërmeti, lëkundja e 73-të nga dje (FOTO)

Rajoni i Korçës është goditur sërish nga tërmeti. Në orët e pasdites, Ministria e Mbrojtjes raportoi se pati sërish lëkundje tërmeti rreth orës 18:00 me një magnitudë 4 e shkallës Rihter. Ky është tërmeti i 73 që regjistrohet në rajonin e Korçës që prej ditës së djeshme.

Ndërkohë, siç raporton Ministria e Mbrojtjes, që prej ditës së djeshme për banorët e strehuar në çadrat që u ngritën në fshatin Floq po shpërndahen ushqime, shtretër e batanije përmes Rezervave të Shtetit.

Ora 15:22
Tërmeti në Korçë, u dëmtuan 6 kabina elektrike, rikthehet furnizimi normalisht


Si pasojë e goditjes së tërmetit në qarkun e Korçës, janë evidentuar dëme në pajisje dhe asete të rrjetit elektrik, kryesisht në zonën e Ersekës. Nga tërmeti janë dëmtuar 6 kabina, ku njëra ne fshatin Boshanjë është shembur dhe ne gjendje krejtësisht jashtë pune.

Janë evidentuar dëme në pjesë të ndryshme të rrjetit, por të lehta, të cilat janë rikuperuar. Menjëherë, pas dëmit, OSHEE mori masa dhe është duke punuar për ngritjen e kabinave dhe sistemin e nyjeve të prekura nga tërmeti. Furnizimi me energji vijon normalisht.

Ora 14:55
Muret e çara, tavani në tokë, banorët në Qafë Zezë: Ushqime s'kemi marrë, jemi në pritje (VIDEO)

Report Tv sjell pamje të tjera nga banesat që janë dëmtuar nga tërmeti në fshatin Qafë Zezë, ndërsa një pjesë e banorëve thonë se nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti. "Erdhën dhe panë dëmet. Brenda lokalit, kati i parë është duke u rrëzuar, nuk bëhet më. Dje natën e kaluam në çadër dhe nuk kemi fjetur fare. Këtu janë 5 çadra, por kanë lënë edhe të tjera. Ndihma ushqimore nuk kanë ardhur. Ka ardhur bashkia dhe Emergjenca, tani jemi në pritje. Na thanë që do të vijnë të tjerë që të çmohet dëmi dhe pastaj do të shohim" tha një nga banoret.

Ndërsa një tjetër banore tha se "U trondit fort dhe dolëm jashtë. Erdhëm morëm telefonat dhe ikëm. Natën e kemi kaluar në makinë jashtë, janë vendosur pesë çadra, fshati ka 200 banorë. Ne kërkojmë që të na ndihmojnë. Mbrëmë ka rënë disa herët tërmet, por edhe në mëngjes dhe paradite. Edhe jashtë kur rrimë na duket sikur...". Report Tv sjell pamjet ku duken muret e banesave të çara, tavani ka rënë, ndërsa janë dëmtuar edhe orenditë. Një pjesë e banorëve e kanë kaluar natën në çadra.

Ora 13:15
Tërmeti në Korçë/ Sizmologu Ormeni: Goditja kryesore kaloi!

Sizmologu Rrapo Ormeni në një lidhje telefonike për Report Tv u shpreh se pas goditjes kryesore dje në qarkun e Korçës, me epiqendër nw Floq, të tjerat vijnë duke u shuar dhe nuk paraqesin rrezik. "Prej goditjes së djeshme deri tani janë lokalizuar mbi 60 tërmete me magnituda të dallueshme, 3 prej tyre të konsiderueshme mbi 4.7 rihter. Kemi pasur edhe goditje të tjera, janë regjistruar 60, por më të vogla, 9 prej tyre kanë qenë mbi 4 ballë dje.

Ndërsa goditjet e sotme kanë magnitudë të ulët. Nga goditja e parë nga dëmtimet, të tjerat e humbin rezistencën. Por, gjatë ditës së sotme goditjet janë me intensitet të ulët dhe shpejtësia në kohë është e vogël, që tregon se do të vijnë duke u shuar. Tërmetet nuk parashikohen, por ne gjykojmë që goditjet kryesore kanë kaluar, të tjerat vijojnë disa ditë, por të vogla
" deklaroi ai.

Ora 13:09
Tërmeti në Korçë, Haki Çako për Report Tv: Banorët u sistemuan, s'ka pasur probleme

Drejtori i Emergjencave Civile Haki Çako nga qarku i Korçës ku ndodhet pas tërmetit që u regjistrua dje, lëkundjet e të cilit kanë vijuar edhe sot thotë se situata është nën kontroll dhe se janë të gjithë në gatishmëri për të ndihmuar banorët e prekur.

"Janë evidentuar 184 banesa të dëmtuara në Korçë, Devoll dhe Kolonjë. Janë marrë masat për sistemimin e banorëve, janë furnizuar me ushqime, ujë, medikamente dhe nevojat jetike. FA-të janë në mbështetje të tyre, por edhe strukturat e tjera. Floqi, Qafë Zeza dhe Vidova janë fshatrat më të prekur. 160 banorë janë strehuar në Floq.

Banorët janë në mirëkuptim të plotë, nuk ka pasur rezistencë. Nuk ka pasur probleme. Po bëhen llogaritjet e dëmeve. Banorët do të sistemohen në ambiente të përshtatshme deri në rregullimin e banesave. Tërmeti është një fenomen që nuk mund të parashikohet. Rezonancat vijojnë, por në një ritëm më të ulët se 5.3 ballë që ishte dje" tha ai.

Ora 12:49
Tërmeti/ Shërbimi mjekësor: Banorët të traumatizuar, presim ndihma nga Italia (VIDEO)

Në gatishmëri për t'u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti në Korçë është shërbimi mjekësor nga Emergjencat Civile. Punonjësit theksojnë se tre persona janë dërguar në spital, dy të moshuar dhe një grua shtatzënë, ndërsa presin ndihma nga Italia.

"Janë paraqitur pranë autoambulancës për të marrë shërbim 19 persona, 11 gra, të tjerët meshkuj, moshë e mesme dhe të sëmurë kronikë. Dy persona ishin me tension të lartë, moshë e tretë, u dha ndihma e parë më pas u dërguan në spitalin e Korçës. Po ashtu edhe një vajzë shtatzënë u dërgua në spital për t'u pasur në monitorim. Banorët kanë një traumë psikologjike. Po e menaxhojmë duke u dhënë qetësues, por probleme madhore nuk ka.

Erdhëm nga Tirana për të dhënë ndihmën mjekësore për të dhënë ndihmën tonë në ushqime dhe veshmbathje për banorët e evakuuar nga banesat e tyre. Gjatë natës një ekip mjekësor dhe i emergjencave ka ndihmuar banorët. Po shikojmë për të sistemuar njerëzit para dimrit. Po komunikojmë edhe me partnerët jashtë, nga Italia për të na sjellë ndihma" thanë punonjësit e Emergjencave Civile.

Një nga personat që u lëndua dje duke marrë mjekim sot

 

Ora 12:46
65 lëkundje për 30 orë në juglindje, banorët në Qafëzezë: Fjetëm jashtë, s'kemi ushqime

Zyra sizmike në Korçë bën me dije se brenda 30 orëve janë regjistruar 65 lëkundje në juglindje dhe në Greqi. 35 prej këtyre lëkundjeve janë regjistruar  nga stacioni sizmik në juglindje. Qafë Zeza është një nga tre fshatrat më të prekur nga lëkundjet. Emergjencat Civile njoftuan se 30 çadra janë ngritur në këtë fshat. Gazetarja e Report Tv Glediona Hoxha ndodhët në Qafë Zezë ku thotë se janë ngritur 5 çadra, në 4 prej të cilave kanë kaluar natën banorët, ndërsa një pjesë tjetër thonë se nuk largohen nga shtëpitë. Një nga banorët tha se nuk kanë marrë ndihma në ushqime.

Ora 10:20
Tërmeti në Korçë, Emergjencat: 230 banorë u strehuan në çadra, mbi 180 banesa të dëmtuara


Emergjencat Civile njoftojnë se lidhur me situatën në qarkun e Korçës pas tërmetit janë evidentuar 184 banesa të dëmtuara, 60% e të cilave të pabanuara. 230 banorë janë strehuar në çadrat kolektive të ngritura duke kaluar natën jashtë, 160 në Floq, 40 në Vidovë dhe 30 në Qafëzes. Banorët janë furnizuar me ushqime dhe ujë. Janë siguruar zonat e prekura me forca policore. Deri me tani raportohet për 8 kabina elektrike të dëmtuara nga tërmeti.

Ora 09:14
Basha kërkoi të shpallet emergjenca, Koçi: Po e përdor për politikë! Ai s'njeh as statutin e partisë

Kryetari i PD-së kërkoi dje shpalljen e gjendjes së emergjencës në Korçë pas tërmetit që goditi juglindjen e vendit, por i pyetur për këtë, zv/ ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi u përgjigj duke thënë se Basha po e përdor fatkeqësinë për biznes politik.

"Basha nuk njeh as statutin në partinë e vet, nuk ka faj që nuk njeh as ligjin, është një biznes politik, e ka mendjen për të shtyrë zgjedhjet dhe mendon se po u shpall ndonjë gjendje e jashtëzakonshme diku do ta ndihmojë në qëllimet e veta politike" tha Koçi.

Ora 09:07
Tërmeti në Korçë, shtatzëna: Nuk ndihem e sigurt, kam shumë frikë (VIDEO)

Mes banorëve te evakuuar ka shumë fëmijë e gra, madje dhe shtatzëna. "U ndjeva shumë keq, jam edhe shtatzënë 7 muajshe. Në këto kushte nuk e përballoj se nuk jam mësuar. Asnjë lloj ndihme nuk kam marrë, kam gjithë ditën në diell dhe në këmbë ngaqë kisha frikë. Nuk jam e sigurt, do ta kaloj natën me frikë" u shpreh njëra prej tyre për Report Tv.

Ora 09:04
'Do vdesim këtu dhe s'i lëmë shtëpitë'/ Banorët: Llahtari, 60-vite s'e kemi parë këtë tërmet (VIDEO)

Një pjesë e banorëve që kanë lënë shtëpitë dhe kaluan natën jashtë tregojnë për Report Tv frikën që kanë përjetuar nga lëkundjet e tërmetit. "E tërë shtëpia është e shkatërruar nuk futesh dot brenda, kemi frikë që të futemi brenda, nuk jemi të sigurt, edhe këtu që jemi..." tha njëri.

Ndërsa një grua u shpreh se "Jemi në një gjendje e jashtëzakonshme, llahtari, një tërmet i madh, që nuk e kemi marrë, u bëra 60-vjeç nuk kam parë tërmet të tillë. Nuk kemi ngrënë as bukë asgjë. Shtëpia është bërë gërmadhë, kanë rënë muret".

Por ka edhe nga ata që nuk i kanë braktisur shtëpitë edhe pse rrezikojnë jetën. "Unë jam me nusen dhe dy fëmijët, babain e mamin i kam lënë në shtëpi, pasi thonë këtu të vdesin dhe shtëpitë nuk i lemë. Shtëpia është bërë e pabanueshme".

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tirana: 02/06/2019 20:10

    A thu demokracija do ju nertoj shtepit falas? Si sistemi komuniste si ju ka rertu falas shtepite.

    Përgjigju
  • adamo311: 02/06/2019 16:42

    Sipas llogaritjeve nuk do te kete (ose te shkalles se ulte) termet ne shqiperi. Regjioni i Toscanes gjegj. Piemont (Itali) ditet ne vijim 5,2 deri 5,3 balle, si rrjedhe e levizjes per disa centimeter te pllakes se egjeut. Gjithashtu, varet nga perhapja e presionit qe eshte grumbulluar, ne Rumani perafersisht 4 balle. Pershendetje.

    Përgjigju
  • Sandri: 02/06/2019 14:19

    Te investigohet cfare cimento perdoret atje? Nga kushurinjte e mi di qe atje shitet cimento greke titan e skaduar pa certifikate cilsie dhe pa CE.Prodhim i bere vetem per Shqiperine

    Përgjigju
  • Hasani: 02/06/2019 12:33

    Ata banore ti luten Allahut qe nuk pati viktima por pe shtepite vihen perseri por njeriu nuk vihet dot.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet 2025, Rama kërkon votën e shqiptarëve në Londër: Të përzëmë djallin, çlirojmë opozitën nga pengmarrja për hallet e udhëheqëve

Zgjedhjet 2025, Rama kërkon votën e shqiptarëve në Londër: Të përzëmë djallin, çlirojmë opozitën nga pengmarrja për hallet e udhëheqëve