Probleme me numrin e ambasadës shqiptare në Greqi, disa orë telefoni jashtë funksionit
Ambasada shqiptare në Greqi ka patur probleme me numrin e vënë në dispozicion për shqiptarët që jetojnë në Greqi. Pas disa tentativash Report Tv arriti të fliste me një nga përfaqësuesit që tha se mes viktimave s'dihet nëse ka shqiptarë.
Redaksia 24 Korrik 2018, 11:56 | Përditesimi: 24 Korrik 2018, 12:56
Situata e rënduar me zjarret në Greqi ka sjellë një alarm të shtuar tek emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi. Ambasada shqiptare publikoi një numër kontakti më herët, si një numër ku emigrantët shqiptarë mund të telefononin për të kërkuar ndihmë dhe për të pyetur për të afërmit e tyre.
Pas disa denoncimeve që kanë ardhur në redaksinë e Report Tv, nga shqiptarë që jetojnë në Athinë, se numri nuk funksiononte, Report Tv tentoi të kontaktojë në një lidhje live me numrat e emergjencës. Për disa herë rresht, numrat e vënë në funksion, ishin jo funksionalë. Përfaqësia diplomatike e akomoduar në Athinë, herën e parë hapi telefonin dhe njëri nga punonjësit e ambasadës tha se nuk kishte informacion për shqiptarët e prekur nga zjarret.
“Për momentin nuk të jap dot përgjigje. Të jap këtë numrin tjetër. Tani i vura kartën numrit.”-u shpreh personi që hapi telefonin e ambasadës shqiptare në Athinë.
Report Tv tentoi sërish, duke tentuar numrin e dytë që punonjësi i ambasadës i dha redaksisë. Në tentativën e dytë, telefonin e hapi një shtetas shqiptar i cili tha se nuk dinte të fliste italisht, duke ndryshuar gjuhën e bisedës sapo dëgjoi se u kontaktua nga një televizion shqiptar.
Report Tv tentoi për herë të tretë, por pa sukses. Ambasada shqiptare në Greqi, ishte jashtë funksionit me telefonin zyrtar për disa orë. Pas shumë përpjekjesh, Report Tv ia doli të komunikonte me numrin e ambasadës. Një përfaqësuese zyrtare u shpreh se nuk dihet nëse ka shqiptarë të vdekur apo jo, pasi ende nuk është bërë identifikimi i viktimave. Sipas ambasadës shqiptare në Greqi, vetëm një shqiptar është i plagosur.
Jemi në komunikim të vazhdueshëm me shtetin shqiptar. Burime zyrtare nga shteti grek bëjnë me dije se s’ka shqiptarë të plagosur, përveç njërit prej tyre i cili ndodhet në spitalin e Evangjelizmos. Sa për viktimat, ende nuk janë identifikuar dhe nuk dihet nëse janë shqiptarë apo grekë.