Në përgjigje ndaj opozitës, Taulant Balla tha se ndarja e re territoriale sipas socialistëve e vendos synimin te shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve dhe jo se kush do ta drejtojë bashkinë, duke shënuar ndryshimin më të madh mes dy forcave kryesore politike.
Kreu i grupit socialist uroi që Partia Demokrative mos të bojkotojë Kuvendin dhe të përsërisë historinë e së kaluarës me reformën administrativo-territoriale. Nuk mungoi as ironia për protestën e thirrur të enjten kundër reformës, si dhe një ftesë që opozita të informohet përmes Pasqyrës së Flamingos, lidhur me çështjen e Sazan-Zvërnecit dhe të tjera që do të publikohen më vonë.
“Herën e fundit që e kam dëgjuar shprehjen që nuk qëndrojmë më në këtë sallë me ju ka qenë diku në fillim të 2019. Historia që pasoi dihet: PD iku nga Kuvendi, zgjedhjet dhe pastaj fundi dihet. Uroj shumë, miqësisht, që mos ta merrni këtë vendim. Megjithatë, zgjedhjet janë tuajat. Në 2014 morët të njëjtin vendim për të bojkotuar reformën administrativo-territoriale. Së bashku me LSI asokohe, i dhamë Shqipërisë hapin e parë të një reforme administrativo-territoriale. Rezultatet janë tejet pozitive sepse të ardhurat për çdo banor u 4-fishuan, ndërsa borxhet dhe detyrimet u ulën me ¾. Në thelbin dhe dëshirën tonë është që çdo qytetari të Republikës, t’i ofrojmë shërbimet e duhura. Ky është dallimi i madh mes nesh dhe mes jush. Nëse ju e keni merakun se kush do të jetë kryetari i bashkisë, për ne është si do t’i shërbehet bashkisë. Për ne bashkimi sjell shërbime më të mira për të gjitha komunitetet që ato jetojnë. Kemi ruajtur një standard për bashkitë minoritare që edhe pse nuk i plotësojnë kriteret, do të vazhdojnë të jenë. Mendoja se do të flisnim për reformën, të enjten keni thirrur protestë kombëtare. Ej shyqyr që u kthye PD te protestat, është lajm i mirë. Është lajm pozitiv sepse protesta arriti një sukses të madh: çliroi bulevardin nga një ritual i përditshëm të hënave pasdite. Sa i përket ditës së sotme, ju ftoj të bëheni pjesë e Pasqyrës së Flamingos. Keni mundësinë e artë që edhe sot, edhe ju të hyni në këtë platformë dhe të aksesoni dokumentet e vërteta zyrtare e jo ato që shpikni”, tha Balla.
Ai u rikujto edhe afatin për reformën zgjedhore duke i kërkuar opozitës që të bashkëveprojë, pasi janë të hapur ndaj kësaj, por nuk tolerojnë pengesa.
“Besoj që jeni të gjithë të vetëdijshëm për momentin historik që gjendet vendi. Ursula von der Leyen ishte shumë e qartë: Shqipëria dhe Mali i Zi mbeten dy vendet pararojë në procesin e anëtarësimit. Shpresoj të luani rolin që duhet të ketë opozita në këtë proces. Reforma tjetër që pret bashkëveprimin me ju është reforma zgjedhore. Kemi një afat në kuadër të detyrimeve që Shqipëria ka. Afati i komisionit mbaron në fund të nëntorit, nuk do të ketë shtyrje. S’duam të kemi reformë zgjedhore pa ju, por harrojeni që mund të bllokoni përmbushjen e detyrimeve”, tha Balla.
Në fund, shprehu përkrahje për nismën e Kuvendit të Kosovës për Dhomat e Specializuara pas vendimit për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, por i kërkoi opozitës të përmbahej nga aktet populiste.
“Koha për të bërë deklarata populiste apo kërkesa për interpelanca populiste, ju ftoj t’i tërhiqni. Sot më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për mbështetje nga Shqipëria e zë të përbashkët”, tha Balla.
Lajmi kryesor:
Arresti i ish-kreut të SHISH, Berisha: Hyseni u rekrutua nga bandat, ju bëheni avokatë! ‘Territorialja’, Balla: Fokusi te shërbimet! Zhupa: Masakër







