Banorët e Divjakës kanë dalë sërish sot për të 19-ën ditë në protestë, për të kundërshtuar propozimin e PS për hartën e re territoriale, ku parashikohet shkrirja e bashkisë Divjakë me atë të Lushnjës.
Folësit në mikrofon kanë kërkuar që bashkia të mbetet në Divjakë duke argumentuar që ka bashki edhe më të vogla dhe me performancë më të dobët, që projekti i PS nuk i shkrin.
Ata i kanë bërë thirrje kryeministrit Edi Rama, por edhe të gjithë zyrtarëve socialistë që ta mbrojnë bashkinë e Divjakës dhe të rreshtohen “në anën e duhur të historisë”.
Sipas protestuesve, edhe socialistët e ndershëm ndihen shumë të fyer me propozimin për shkrirjen e bashkisë.
“Divjaka është e jona, nuk na e merr dot njeri. Para 35 vitesh, kur Divjaka ishte në vështirësi, nuk e kërkoi njeri të vinte ta merrte. Sot që ne e kemi rregulluar, me djersën tonë, me mundin tonë, duan të na e marrin. Nuk futet dot njeri këtu të na e marrë këtë perlë të bukur. Divjaka bashki”, tha një prej protestuesve.
“Nuk dua që familja Balluku t’i ngjajë idesë së një filmi familja peshkatari”, tha një tjetër protestues.
“Ata nuk janë socialistë, janë interesaxhinj. Divjaksit dhe socialistët duhet të marrin vendim për këtë Divjakë. Duhet të shkruhen në histori në krahun e duhur. Të bëhemi bashkë, sepse ne do na vijnë të këqija më të mëdha me këtë pushtet. Ky pushtet na la pa kalamaj. S’kemi më fëmijë këtu, na i përzunë fëmijët. Socialistët e ndershëm ndihen shumë të fyer dhe s’duhet ta pranojnë këtë pushtet”, tha një tjetër protestues.
Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit vijuan me ritualin e përnatshëm të marshimit në rrugët e qytetit, duke iu bërë thirrje edhe qytetarëve të tjerë që t’i bashkohen tubimit.










Komente
Komento