"Territorialja", Blushi: Shqipëria
e parcelizuar. Fino fton opozitën

e parcelizuar. Fino fton opozitën">
TIRANE – Pas debateve në seancën e sotme të Kuvendit për ndryshimet në ligjin e deklarimit të pasurive të nëpunësve, dhe debateve Berisha-Kokëdhima, është diskutuar edhe reforma administrative-territoriale. Sipas deputetëve të Partisë Socialiste realizimi i kësaj reforme është i nevojshëm më shumë për çështje ekonomike, sesa politike dhe zgjedhore. Deputeti Bashkim Fino tha se Komisioni për reformën territoriale do të fillojë punën, ndërsa ftoi sërish opozitën t'i bashkohet komisionit. 

“I kemi dhënë të gjitha mundësitë opozitës për të krijuar shtratin elektoral për arritjen e konsensusit për realizimin e reformës administrativo-territoriale. Ne jemi të hapur, dhe ju presim përsëri", tha Fino.

Seanca e sotme nisi e ndezur që gjatë paradites, pas denoncimit të ILDKPKI-së një ditë më parë ndaj anëtarit të KLD-së, Gjin Gjoni që ka bërë që opozita të shkaktojë një sërë debatesh në seancën e Kuvendit. Deputetët e opozitës kanë akuzuar mazhorancën se emërimin e kreut të institucionit që kontrollon pasuritë kërkon të ja heqë si kompetencë presidentit.

Ndërkaq, mazhoranca akuzon opozitën se, ka frikë që t’u dalin në dritë pasuritë e bëra gjatë 8 viteve në pushtet të cilat janë të fshehura.

E pikërisht heqja e kompetencës së Presidentit të Republikës së Shqipërisë për të propozuar kryetarin e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ka “përplasur” në debate të ashpra opozitën dhe mazhorancën.

Kreu i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruci, përballë akuzave të shumta të opozitës se është shkelur Kushtetuta, tha se ka qenë mazhoranca e athershme, sot në opozitë, ajo që nuk e ka votuar në 2003-shin ligjin për propozimin e kreut të ILDKP-së. Sipas tij, mazhoranca në atë kohë ka deklaruar se në shkelje të Kushtetutës i është atribuar Presidentit një e drejtë që nuk ja jep Kushtetuta.

Por për ish-kryeministrin Berisha Kushtetuta i ka dhënë presidentit të drejtën për të luajtur me dy kandidatura në mënyrë që institucioni të jetë i pavarur.

Debatet për Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9367, datë 7.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” i ndryshuar.

Për herë të parë është ngritur sot në foltoren e Kuvendit, deputeti i PS-së Koço Kokëdhima, i cili i ka kthyer përgjigje akuzave të ish-Kryeministrit Berisha, që pothuajse gjatë gjithë seancës së sotme, ka akuzuar Kryeministrin për afera me deputetin biznesmen Kokëdhima.
 
Kokëdhima ka shpërthyer në akuza të drejtpërdrejta ndaj Berishës, duke ngritur deri edhe gishtin nga foltorja e duke i bërë të qartë se nuk ka asnjë lidhje me pronat apo pallatet që i përmenden në bregdet. Por, këtu debati nuk ka përfunduar, sepse Berisha është ringritur me akuza shtesë dhe Kokëdhima po ashtu, me një sulm të ri ndaj Berishës.

DISKUTIMET PER REFORMEN ADMINISTRATIVE-TERRITORIALE

22:10 FINO-OPOZITËS: DO VIJOJMË PUNËN PËR REFORMËN, JENI TË MIRËPRITUR
Deputeti i PS Bashkim Fino ka ftuar sërish opozitën të bëhet pjesë e reformës administrative-territoriale, ndërsa ka theksuar se mazhoranca do të vijojë punën. Lidhur me ngritjen e komisionit për reformën administrative-territoriale, Fino tha se opozitës i janë dhënë të gjitha mundësitë për të arritur konsensusin.
 
“I kemi dhënë të gjitha mundësitë opozitës për të krijuar shtratin elektoral për arritjen e konsensusit për realizimin e reformës administrativo-territoriale. Ne jemi të hapur, dhe ju presim përsëri. Ftojmë opozitën të lënë mënjanë çështjet që nuk kanë të bëjnë me reformën territoriale, dhe të vijnë për realizimin e reformës. Nëse ju do vini, nëse 9 anëtarë ka mazhoranca, po aq keni dhe ju. Ne sot vonojmë shtyrjen e afatit për arritjen e konsensusit. Do vijojmë nga puna. Dhe ju themi se edhe nëse ndërroni mendjen jeni të mirëpritur”, tha Fino.

ORA 22:02 BLUSHI: REFORMA TERRITORIALE DUHET BËRË, SHQIPËRIA E PARCELIZUAR
Diskutime të ashpra janë bërë në Kuvend për reformën territoriale. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, deputeti socialist Ben Blushi tha se, reforma territoriale duhet bërë pasi është më shumë ekonomike sesa politike dhe zgjedhore.

“Ju jeni kundër procedurës apo projektit. E njihni Shqipërinë apo jo. Nuk ka vend në Europë që të jetë kaq i parcelizuar. Kjo nuk është reformë territoriale, është reformë e shtetit dhe ekonomike. Shqipëria është e parcelizuar dhe njësitë vendore nuk sigurojnë dot as rrogat. Ka komuna që nuk kanë njerëz të arsimuar dhe do i marrin nga qytetet borxh dhe nuk mund të ushtrojnë detyrat”, tha Fino në fjalën e tij.

Sipas Blushit, komunat tani edhe “arsimtarët u vijnë nga qyteti, policët, inxhinierët etj”. “Komuna është shumë e dobët, nuk pastron rrugët në dimër. Duhet ndarë kjo çështje dhe ta bëjmë. Jeni për më shumë apo më pak komuna. Hajdeni ta diskutojmë. Nuk ka vend që të mos ketë bërë reformë territoriale në këto 20 vite. Unë besoj që kjo është një reformë ekonomike e shtetit shqiptar që do na japë mundësinë të bëhet diçka më mirë. Nëse nuk e bëjmë tani, atëherë do të humbim edhe 10 vite”, deklaroi deputeti i PS-së, Ben Blushi gjatë fjalës së tij në Kuvend.

DEBATET NE PARLAMENT ORE PAS ORE PER LIGJIN E DEKLARIMIT TE PASURIVE

18:00 SUBASHI: JAM DAKORD ME TOPALLIN, T'I GJEJME RRENJET E PASURISE SE DIKUJT ME SHTEPI NE HOLANDE...
Deputeti socialist Armando Subashi ka krijuar ilaritet të madh në radhët e PD-së pasi deklaroi, sapo u ngjit në foltoren e Kuvendit:
 
“Jam dakord me zonjën Topalli që të kërkojmë rrënjët e pasurisë së çdo zyrtari. Po, jam dakord,” dhe Subashi, pa emërtuar asnjë person, por duke nënkuptuar kryetarin e Partisë Demokratisë, Lulzim Bashën, me banesë në Hollandë,  radhiti pasuritë e tij të deklaruara në ILDKP që në vitin 2005, kur ishte 31 vjeç dhe siç theksoi, Subashi “pa asnjë ditë punë.”
 
Subashi, përmes thirrjeve kundërshtuese të opozitës, lexoi:
 
Shtëpi në Holandë, 500 mijë gulden; apartament në Tiranë; apartament tjetër në Tiranë; apartament në Durrës; automjet Mercedes Benz; pikturë me vlerë 6500 euro; orë dore 5200 euro; orë dore tjetër; unazë diamanti 11 mijë euro; serviz pjatash kineze 6800 euro; aksione në burse 18 mijë euro.
 
Dhe Subashi, sërish pa përmendur emrin e nënkuptuar të Bashës, tha: Besoj e kuptuat!
Është deklarata e bërë në 2005-ën e një 31 vjeçari. Bini dakord t’i gjejmë rrënjët kësaj pasurie zonja Topalli. Ta gjejmë si është vënë kjo pasuri pa asnjë ditë punë,” duke nënvizuar: “Kjo është ILKDP-ja që ju dhemb e ju djeg, se keni mizën nën kësulë; Se Presidentin kur s’e doni,  ju e bëni leckë!”
 
17:40 PALOKA: JEMI PRO NDRYSHIMEVE, POR KUNDËR PIKËS PËR T’I MARRË KOMPETENCËN PRESIDENTIT
Opozita është pro ndryshimeve në ligjin për deklarimin e pasurive, por është kundër pikës ku kërkohet t’i merret presidenti kompetenca për propozimin e kreut të ILDKPKI. Këtë e ka shprehur deputeti Edi Paloka, në emër të grupit parlamentar të PD-së. Sipas Palokës, pavarësisht se propozohen disa ndryshime, mazhorancës i intereson vetëm pika e heqjes së kompetencës së Presidentit.
 
Më tej, deputeti i PD-së akuzoi qeverinë Rama-Meta për rrënim të ekonomisë dhe për rritje të kriminalitetit në vend.
“Folët për disa ndryshime, por në fakt qeverisë i nevojitet vetëm një ndryshim. U bë demagogji këtu, por qytetarët e dinë se ku konsiston çështja. Ne si opozitë i kemi
Ne jemi dakord për ndryshimet në këtë projektligj, përveç pikës ku kërkohet t’i merret kompetenca presidentit. Po sulmojnë institucionin e presidencës, por jo në mënyrë të drejtpërdrejtë. Çdo kandidaturë që vjen nga presidenca për gjyqtarët votohet kundër nga kjo mazhorancë pa asnjë argument. Edhe kjo kompetencë e presidentit është hequr praktikisht. Është një e drejtë kushtetuese që ka presidenti si komandat i Forcave të armatosura, por po vjen edhe nje projektligji që t’i hiqet kompetenca e emërimit të gjeneralëve të lartë. Gjithçka ka lidhje me kompetencat e presidentit. Kjo e sotmja heqja e të drejtës së presidentit për të sjellë kandidaturat e ILDKPKI ka një arsye më shumë se kaq. Historia filloi kur ish-kryetarja i kërkoi Ramës dhe bashkëshortes së tij të bëjë publike pasurinë e tij. Dhe e dimë edhe reagimin e Ramës. Që atëherë u përpoq të kërcënonte me shkarkim Zana Xhukën, dhe e bëri në momentin e parë që mundi. Për 11 nuk ka folur njëri për këtë kompetencë që është antikushtetuese, edhe pse është vendosur që në 2003. sot i duhet Ramës të kapë të gjitha institucionet në dore, dhe të kontrollojë të gjitha institucionet, pasi ekonomia e këtij vendi ka marrë rrokullisjen, krimi po bën kërdinë, kemi vajtur tek tritoli, antitanku, e te snajperët. Këto që themi ne deklarohet edhe nga faktet që kanë dalë së fundmi. Para ca ditësh erdhën ca ndryshime në kodin Penal, dhe u tha se bëhen të detyrueshme nga niveli i kriminalitetit në vend. pra e pranojnë situatën, por e deklarojnë ndryshe. ‘Gjërat këtu po shkojnë për lesh’, tha zoti Majko. A mendoni se duke amnistuar ata që blenë vota, do arrijë të blejë prapë vota, apo të bëjë korrupsion me këtë vend. po gabon. Shqipëria nuk mund të kthehet në 45-n. Sado që i pëlqen Ramës. Nuk mund të bëhet Putin sado që t’i pëlqejë. Me këto që po bën po i bën dëm vetes, po i shkurton ditët qeverisë së tij”, tha Paloka.
 
17:30 VASILI: PROPOZIMET PËR PROJEKTLIGJIN, TË PAKRITIKUESHME
Në emër të grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili tha se ndryshimet në këtë ligj synojnë krijimin e një ritmi të ri bashkëpunimi në Kuvend. Deputeti Vasili tha se propozimet e bëra për ndryshimet në ligjin për deklarimin e pasurive janë të pakritikueshme sipas tij. Duke u ndalur tek debatet për heqjen e kompetencës së Presidentit në këtë pikë, Vasili tha se kjo nuk është një kompetencë e përshkruar në Kushtetutë, por e vendosur nga parlamenti në 2003.
 
“Synimi i ndryshimeve është futja në një ritëm të ri bashkëpunimi, ndryshe nga çka ndodhur më parë ku mungonte bashkëpunimi në parlament. Kjo lloj sjellje i ka shteruar argumentet politike, ndonëse se ato shfaqen si reminishenca. Bëhet fjalë për heqjen e një kompetence që nuk është përshkruar në Kushtetutë, por është interpretuar këtu si një kompetencë kushtetuese. Pas 10 vitesh që është parashikuar kjo kompetencë për presidentin, është menduar parashikimi efektiv, dhe çdo ngjyrim politik nuk e bën efektiv këtë institucion të rëndësishëm. Disa masa të tjera që janë propozuar nga propozuesi kanë qenë elementë që kanë munguar në ligj. Kemi një projektligj më të përmirësuar në thelbin dhe filozofinë e tij. Mënyra se si ato janë propozuar dhe pa arsye politike, them se janë të pakritikueshme”, tha Vasili.

17:25 MEDIU: PROJEKTLIGJI, INICIATIVË POLITIKE E MAZHORANCËS
Deputeti i PR-së, Fatmir Mediu tha se projektligji për deklarimin e pasurive të nëpunësve është iniciativë politike e mazhorancës. Sipas Mediut, mazhorancë kërkon pushtet dhe jo pavarësi të institucioneve.
 
“Ju kërkoni vetëm pushtet, dhe jo transparencë apo pavarësi të institucioneve. Ky është një alarm që troket në dyert e shqiptarëve. Projektligji është iniciativë politike e mazhorancës. Ju problemet i keni në radhë të parë me veten tuaj”, tha Mediu.

17:17 TOPALLI: NË KUVEND KA MILIARDERË QË S’KANË DEKLARUAR BURIMIN E TË ARDHURAVE
Ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli tha se kur PD erdhi në pushtet në 2005 nuk shkarkoi funksionarët, por vijoi bashkëpunimin me ta. Ndërsa sipas saj, mazhoranca PS-LSI ka sulmuar institucionet dhe ka bërë shkarkime. Topalli tha se qytetarët janë të mashtruar nga premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale të 2013, ndërsa theksoi se në sallën e Kuvendit janë deputetë persona miliarderë që nuk kanë deklaruar burimin e të ardhurave të tyre.
 
“Ne nuk kemi shkarkuar nga detyra në 2005 drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, as kryetarin e KLD, Z.Ilir Panda. Kemi bashkëpunuar shumë mirë me ta. Kur erdhëm në pushtet ndryshe nga ju , nuk hoqëm zonjën Leskaj, kemi bashkëpunuar me të, derisa ajo mbaroi mandatin e saj. Kemi bërë një kërkesë, atë që është modeli i vendeve të BE, vendosjen e mandateve që çdo institucion. Në shoqërinë tonë ne nuk kemi prej atyre mendimtarëve me integritet të lartë, siç e ka patur Italia gjatë kohës së përballjes me mafien. Për çfarë konflikti interesi flasim ne këtu, kur kryeministri deklaron se ka shumë pak, 3 mijë euro, por ka shumë më shumë. Njerëzit janë të mashtruar nga premtimet. Në zgjedhjet e fundit u bashkuan të gjithë fundërrinat e këtij vendi për të rrëzuar Sali Berishën. Në këtë sallë ka miliarderë që asnjëherë nuk deklaruar se ku është burimi i parave të tyre. Kam dëgjuar se ka ardhur një projekt tjetër, që të fusim në burg disa qytetarë që nuk paguajnë faturën e energjisë elektrike. Ata nuk e paguajnë se janë në ekstrem të mundësive të të ardhurave, ndërsa ne dekretojmë miliarderë që nuk dinë ku ti çojnë paratë. Ka më hipokrizi se të kërkosh të fusësh në burg shoferin se i vjen era alkool. A do jemi ndonjëherë pak më afër në raport me të vërtetën. Çfarë i japim ne rinisë? Ne i kemi fshirë ëndrrat e një brezi të tërë, nëse vazhdohet në këtë mënyrë si po e bëni ju. Është e vështirë, por e kuptoj edhe kur heshtim në këtë sallë”, tha Topalli.

16: 47 BODE: MUND TE EMRONI NJE TUTOR, POR NUK FSHIHNI DOT KRIMIN
Thelbi i debatit ka të bëjë pikërisht me nevojën për të bërë përmirësime thelbësore në atë që përjeton çdo ditë një qytetar i këtij vendi. Këtu nuk bëhet fjalë për një inspektor të ILKDP-së. Një tutor për fshehjen e pasurive të paligjshshme, mazhoranaca mund të gjejë, por nuk mund të fshehë në public atë që ndodh çdo ditë para syve të qytetarëve shqiptarëve. Një qytetar mund ta emëroni edhe me artifica, por nuk mund të fshihni faktin se Shqipëria është bërë një kanal i drogës për perëndimin. Mund të emëroni një tutor, por s’e fshihni dot faktin se një pjesë e mirë e kësaj mazhorance është turrur për të gllabëruar pasuri. Kjo çështje në thelb demostron frikë dhe panik.
 
ORA 16:35 PALOKA: KY NUK KA GJETUR ENDE SE KUSH I VRAU SHOKUNË E NGUSHTË
Meqë ky zotëria do fakte, ky është ai zotëria që shkarkoi të gjithë ata persona që arrestuan babain e tij. Meqë ky zotëria do fakte, ai nuk ka gjetur ende se kush janë vrasësit e shokut të tij të ngushtë. Ky bënte mirë të mos fliste fare, por siç duket i erdhi ndonjë mesazh dhe doli. Ky duhej të kishte ikur me kohë nga ai vend.
 
ORA 16:27 TAHIRI: NË SALLË KA DEPUTETË QË DUHET TË ISHIN NË BURG PËR GËRDECIN
Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri ka deklaruar se, ish-kryeministri ishte i shqetësuar sot sepse një biznesmen ka denoncuar vajzën e tij. Tahiri theksoi se, në sallën e Kuvendit ka deputetë dhe ish-ministra që duhej të ishin në qeli për tragjedinë e Gërdecit.
 
“Një biznesmen i cili erdhi në Shqipëri për të bërë investime miliona euro, u gjet përballë vajzës së kryeministrit dhe faturës së saj dhe këtu u dëgjon mijëra familje. Në këtë sallë ka deputetë dhe ish-ministra që i kanë shpëtuar drejtësisë vetëm se kanë një mandat tjetri. Duhet të jepnin llogari për 26 të vrarë në Gërdec.
Në këtë sallë, ka njerëz që janë përulur deri në pikën e verbërisë pa ngritur kokë dhe zërin për të mirën publike. Emri i djalit të ish-kryeministrit doli pas një sipërmarrje që solli 26 të vdekur dhe ai as nuk u morr për tu pyetur.

Mazhoranca dhe qeveria ka çuar disa dosje për atë që keni bërë ju. Jeni futur deri në derën e burgut për tu mbrojtur. Sfida është që të reformojnë dhe sistemin që të punojë në mënyrë të pavaruar. Kjo është garancia më e madhe për të pasur rezultatet të qëndrueshme kundër korrupsionit.
Thoni fakt. Vijeni mazhorancën në provë. Ne duam të ndërtojmë shtetin modern të barabartë për të gjithë, ku mos të bëhen punët me miqë dhe lekë”, deklaroi Tahiri.

16:15 MAJLINDA BREGU: LIGJI PËR DEKLARIMIN E PASURIVE TË VLEJË NJËSOJ PËR TË GJITHË
Deputetja e Partisë Demokratike Majlinda Bregu akuzoi mazhorancën për nepotizëm, ndërsa kërkoi që ligji për deklarimin e pasurive nëpunësve sipas saj “të mos përdoret vetëm për ata që nuk janë në oborrin e qeverisë”. Sipas Bregut, për të bërë selektimin në këtë rast, duhet t’i hiqen kompetencat presidentit.
 
“Aleanca juaj nuk është e vërtetë, por provizore. Aleancë me miqësi, e lindur pas një armiqësie shumë të madhe. Aleanca juaj do të zgjasë në kohë nga reforma territoriale që doni t’i impononi këtij vendi. Në vend të politikës së gjithëpërfshirjes, kemi përfunduar në një spektakël të realizuar mirë. Korrupsion është rrjeti i influencave, dhe cenimi i institucioneve. Ju jeni të dalluar për nepotizëm. Ky ligj të mos përdoret vetëm për ata që nuk janë në oborrin tuaj. Për të bërë selektimin, ju duhet t’i hiqni kompetencat presidentit”, tha Bregu.

15:20 BERISHA: NE JEMI OPOZITË E DHUNUAR, NUK KEMI HAPËSIRË
Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se opozita ka për detyrë kontrollin e mazhorancës qeverisë, por akuzon se opozita shqiptare është e dhunuar. Berisha thotë se mazhoranca PS-LSI nuk i ka lënë hapësirë opozitës për të vepruar në Kuvend. Ndërkaq, deputeti i PD-së akuzon qeverinë se po shpërdoron pasuritë publike, ndërsa thotë se nuk jepet asnjë dokument për prokurimet.
 
“Kjo është një seance unike në 23 vjet. Kur një mazhorancë e hapur para qytetarëve shqiptarë merr qëndrimin solemn se ju kemi vjedhur dhe do ju vjedhim. Me marrjen e emërimit të kreut të saj nga mazhoranca shpeh hapur se asnjë kundërshtar, asnjë mbështetës nuk ka asnjë pune më pasuritë tona, origjinën e tyre, dhe se do të ndërtojnë vila e pallate, do të blejnë aeroplanë e çfarë të na teket dhe ato do i zyrtarizojmë tek noteri i pasurive tona. të cilin do e emërojmë vetë, i cili s’do ketë asnjë lloj pavarësie, pasi do marrë fjalë vetëm nga ne. këtë institucion e rrëmbyen në mënyrën më flagrante duke shkarkuar kreun e këtij institucioni në kundërshtim me ligjin. Ju e bëni këtë vetëm sepse pasuria u ka verbuar sytë. Kjo ndodh sepse kryekreu juaj në pushtet ministër dhe kryetar bashkie, kishte fshehur të gjithë 20 % që merrte, ato që merrte me Koçon, dhe kishte deklaruar në mënyrë qesharake 3 mijë euro.
Tani që erdhën në pushtet duan të vjedhin. Punon në kryeministri prej 6 muajsh pa tender, pa prokurim, pa zbardhje. Dhe fshin nga ekrani të gjitha tenderimet nëpër institucione. Për herë të parë në historinë e shtetit, tenderat përcaktohen në telefon nga kryeministri. Po bëhet një shpërdorim masiv i pasurive publike. Koçua i adreson shkresa doganave në emër të shkëlqesisë së tij. Po prishen ndërtimet e qytetarëve, dhe pallati Rama-Kokëdhima po zgjerohet. Po vidhni gjithë ditën. S’ka detyrë më të rëndësishme se lufta ndaj korrupsionit. Ne jemi opozitë e dhunuar në çdo moment, dhe nuk kemi hapësirë. Kontrolli është misioni kryesor i opozitës. Shpallët armiqësi ndaj institucioneve”, tha Berisha.

Ora 14:45 BRAÇE: S’I MUND TË JETË POLITIK GANAJ, KUR PRESIDENTI VAZHDON TË JETË I JUAJI
“Njëri dha alarmin se duke u votuar nga një shumicë e thjeshtë në sallën e kuvendit, drejtuesi i ILDKPI kthehet në politik dhe s’është më i pavarur. Po presidenti i zgjedhur nga një shumicë e thjeshtë, çfarë është? Mos vallë ky President, është i pavarur politikisht nga partia që kishte. Si mundet që ky institucion të quhet i varur se votoi njërin nga kandidatët e zgjedhur nga presidenti, ndërkohë që presidenti vazhdon të jetë ende i juaji.
Ky pr/ligj bën të deklarueshëm cdo shpenzim të cdo zyrtari me vlerë mbi 3 qind mijë lekë. Limiti ka qenë 5 qind mijë lekë dhe askush nuk i ka treguar realisht shpenzimet. Asnjë kompetencë e presidentit nuk është cenuar, nuk i është hequr. Dua t’i përgjigjem akuzës që ne kemi marrë pushetet më shumë se Enver Hoxha. ja u thashë kush janë 3 pushtete këtu. Po të vijmë te pushteti i drejtësi, KLD e keni ju, nga i pari deri në fund. E keni me ish punonjësit e Jozefinës, ata që kanë punuar këtu në administratë janë në KLD. Flisni për Gjykatën e Lartë, atë e kontrollin ju...po prokurorin? Prokurorin e vendosët ju, pason atë prokuror që e vendosët ju dhe e shkarkuat prapë ju..Flisni për BSH? Keni guvernatorin që keni emëruar ju. Flisni për AMA? AMA nuk funksion ka 2 vjet që nuk bën asgjë, mbron piratët e paligjshëm. Flisni për atë inspektoren që për 2 vjet nuk bëri asgjë. Ka vetëm një gjë që e sjell ky projektligj, ka të bëjë me vendosjen e një barazie për të gjithë. Ka patur vite që pasuria është kontrolluar vetëm në një anë(PS), nga ana tjetër asnjëherë. Bëhuni të gjithë të barabartë para ligjit dhe të kontrollueshëm”, u shpreh deputeti socialist Erjon Braçe.

Ora 12:20 RUCI-BERISHES: KE FRIKE NGA ILDKP TANI QE KA FILLUAR TE “LEVIZE”
“E para për kushtetutën dhe do ta përgëzoja Berishën se po përgjërohesh për një dokument që nuk e ke votuar por e ke cilësuar leckë. Sa mirë ka vepruar populli shqiptar, mazhoranca e asaj kohe që bëri një kushtetutë, por ajo që nuk po thua është se cili nen po shkel. Këtë nuk e thua dot se në ndryshimin e bërë nuk preket asnjë kompetecë e Presidentit. Përgëzime Berisha se po mbron një ligj të 2003 të cilin nuk e ke votuar. Prandaj zotëri meqë i drejtohesh me gisht mazhorancës se fle në dyshek me para, le të them unë ku fle lepuri. Ti siç e çove atë zonjën dhe në vend që ta mbrosh po e dëmton se ti ke frikë që ky institucion që ka filluar të lëvizë që në muajin e parë, kur ky institucion ka 2 vjet që nuk ka kryer asnjë veprim. Sa i përket tjetrës, për shkeljen e kushtetutës, nuk asnjë nen të ligjit që po miratojmë dhe asnjë kandidat të cilin ushtron kompetencën e këtij institucioni. Le të bashkohemi të gjithë dhe të mbështesim këtë institucion të bëjë punënë për të cilën është ngritur, luftën ndaj korrupsionit, -tha kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi.

ORA 12:10 BERISHA: FLINI NE PARA, JU DOLËN 60 MLN € NËN DYSHEK
“Presidenti përveç kompentencave, me ligj i ngarkohen detyra të tjera në frymën e Kushtetutës. Parim themelor për institucionet e vendit, kushtetuese dhe jo kushtetuese. Ky parim nuk ekziston për atë që do të ketë në dorë të gjitha pushtetet e tij, ndaj dhe ligjvënësi në vitin 2003 i ka dhënë Presidentit të Republikës autoritetin për të luajtur me dy kandidatura në mënyrë që ai institucion të jetë i pavarur, pjesërisht i pavarur se asnjë institucion nuk është i pavarur, kufizojnë njëri-tjetrin me pushtetet e tyre. Kjo kompetencë është në frymën e kushtetutës. Opozita po thotë të vertetën por të paktën mos deformoni kushtetutën. Doni ta hiqni, hiqeni, po ku do përfundoni, do ta shikoni. Kjo mazhorancë nuk flen më në pupla, por flen në para. Doli dje që kanë 60 milionë euro në dyshek e jastiqe. Bëni banjo në vaska floriri. Ja merrni presidentit se ju duhet noteri.”, - tha ish kryeministri Berisha.

Ora 11:50 - MAJKO: ILDKP, ASGJE ANTILIGJORE, SULMET NDAJ FA TE PAVERTETA
Deputeti i PS Pandeli Majko, u shpreh nuk është shkelur asnjë ligj në ndryshimet për ligjin dhe emërimin e kreut të ILDKP ndërsa tha se synimi kryesor është lufta ndaj korrupsionit sistematik. Majko u ndal edhe tek akuzat e opozitës ndaj ushtrisë për trafik droge duke thkesuar se kjo është e pavërtetë.
 
"Unë mendoj se sot ne kemi sjellë disa ndryshime të rëndësishjme mbi strukturën e taksapaguesit shqiptar. Ky shtet drejton një shoqëri ku 50% e punës është informale. Dhe po të shihni masat që kemi marrë janë në parandalimin e një korrupsioni sitematik. Ne pikërisht këtë synojmë të luftojmë. Jemi të dyja palët të zhytura në këtë histori. Po të fillojmë të godasim njëri tjetrin se çdo gjë lidhet me historinë e 140 vetave është e kotë. Ju akuzoni se mazhoranca i ka marrë kompetencat Presidentit në emërimin e kreut të ILDKP. E përsëris edhe një herë, Shkëlqim Ganaj ishte personi i dytë në listë. Goditjet e tritolit në Shqipëri nuk janë akte terroriste, por të një krimi të organizuar për të cilin jemi të vetëdijshëm të gjithë. ILDKP është tek të gjithë. Kam dëgjuar që akuzat e juaja që forcat e armatosura janë të përfshira në trafikun e drogës. A jeni në vete? E zëmë për një moment se është e vërtetë kjo histori. Ish ministri i mbrojtjes e di se për ndryshimin e elitës së FA nuk mjaftojnë 6 muaj. Pra nëse kjo histori do të ishte e vërtetë atëherë kjo do të kishte kohë që do të ndodhte, qoftë edhe në kohën tuaj. Kur thoni trafik droge e keni me ato djem e vajza që i kemi nisur në misisonet paqeruajtëse, në pikat më të vështira të luftës." tha Pandeli Majko

Ora 11:35 - HYSI: LIGJI PER ILDKP NUK ESHTE ANTIKUSHTETUES
Ndërkohë depuetja e PS, Vasilika Hysi tha se në ndryshimin e ligjit të ILKDP nuk ka asgjë antikushtetuese madje sipas saj tashmë kontrollit të pasurisë do t’i nënshtrohen edhe bashkëjetuesit e personave që do tu kontrollohen pasuritë.

"Nuk ka asnjë gjë kushtetuese nëse kontrollojmë interesat e institucioneve që kontrollojnë pasurinë e zyrtareve të lartë. A e dini ju, që deri më sot, nuk deklarohej pasuria e bashkëjetuesve të tyre dhe shumë kontrata lidheshin me bashkëjetuesit e tyre të cilët nuk kontrolloheshin asnjëherë”. tha Hysi

Ora 11:25 - RULI: LIGJI PER ILDKP DJALLEZOR, ARME E RAMA-META
Deputeti i PD, Genc Ruli u ndal tek ndryshimi i ligjit për ILDKP duke e cilësuar atë si djallëzor. Sipas Rulit, me ndryshimin e këtij ligji, ILDKP kthehet në një armë të dyshes Rama-Meta. 

“Ndryshimi i ligjit është një veprim djallëzor! Me ndryshimet që po i bëni këtyre 2 ligjeve dhe atyre të tjerave që do i bëni me prekjen e Kodit Penal ju nuk do keni asnjë problem me djallëzinë tuaj. Sulmi për kapjen e ILDKP është më i turpshmi. Zaptimi i këtij institucioni bëhet se autoriteti që ka për detyrë të verifikojë nuk do të verifikojë më, të shohë nëse një pasuri është e ligjshme, tani ccdo pasuri është e ligjshme. Kjo është një armë në dorën e dyshes Rama-Meta, kundrejt atyre që duna ta kundërshtojnë. Frenoni dorën dhe mos emëroni në krye të shtetit njerëz që e kanë CV plot me vjedhje.” u shpreh deputeti Genc Ruli

PRITEN DEBATE PER REFORMEN TERRITORIALE DHE KOMISIONIN HETIMOR PER FA
Fati i dy komisioneve të rëndësishme parlamentare, ai për Reformën territoriale dhe komisioni hetimor për Forcat e Armatosura dhe trafikun e drogës, priten të ngjallin debate të ashpra mes opozitës dhe mazhorancës në seancën e sotme parlamentare.

Në seancën e sotme është parashikuar të diskutohet projektvendimi “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 1/2014 “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”.

Konkretisht, bëhet fjalë për propozimin e mazhorancës për të shtuar 1 anëtar nga shumica në këtë komision në mënyrë që të fitohet kuorumi dhe të nisë punën. Është parashikuar gjithshtu zgjatja e komisionit për reformën territoriale me dy muaj për shkak se sot i përfundon afati 3 muaj nga krijimi i tij, ku deri më sot nuk ka zhvilluar mbledhje për shkak të bojkotit të opozitës.

Po kështu pjesë e rendit të ditës është edhe projektvendim “Për krijimin e Komisionit Hetimor të Kuvendit për hetimin “Mbi implikimin e Forcave të Armatosura dhe bazave ushtarake në veprimtari kriminale – transportin e lëndëve narkotike”

Redaksia Online
(arsh/es/Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen