Mungesa e diskutimeve të mëparshme të grupit të PS, për reformën territoriale, ndërkohë që pas 3 ditësh pritet të votohet në Kuvend, është përgjegjësi e kryetarit, shprehet Erion Braçe. Diskutimi i sotëm, për të cilin në ‘Studio Live’ në Report Tv, tha se është i pari që ndodh që prej momentit kur ka nisur të flitet për ‘Territorialen’ dhe nuk është organizuar më herët prej Taulant Ballës, ashtu siç duhej të ishte vepruar.
Deputeti socialist shprehet se Komisioni i Ekonomisë nuk e ka diskutuar dhe kjo është pranuar edhe nga kryetari i grupit që ka kërkuar ndjesë.
Erion Braçe: S’mundet që 3 ditë para se të votohet në parlament, të ngrihet grupi parlamentar dhe ta diskutojë dhe në mbledhje të flasin vetëm 4 njerëz.
-Përse ndodh kështu?
Erion Braçe: Duhet ta shpjegojë zotëria që nxorrët në insert. Është përgjegjësi e tij e drejtpërdrejtë si kryetar i grupit të PS për të organizuar një proces gjithëpërfshirës dhe të kishte brenda vetes deputetët. E para gjë lidhej me mënyrën e organizimit të diskutimit. E dyta, lidhet me të parën. Në dy kalendarë rresht, Komisioni i Ekonomisë duhet të studionte këtë projektligj. Shumica dërrmuese e kritereve që u diskutuan lidhen me ekonominë, edhe suksesi ose jo lidhet me ekonominë. Si mundet të jetë dy herë në kalendar dhe dy herë të hiqet? Të dyja u njohën si vërejtje të rëndësishme në mbledhjen e grupit, madje zotëria kërkoi ndjesë për Komisionin e Ekonomisë. Për çështjen e mbajtjes informuar të deputetëve dhe ndarjen e informacionit në kohë me banorët, u tha që është përgjegjësi e drejtuesve politikë. Si mund të vihet 3 ditë para se të votohet dhe pa vënë para deputetëve një copë letër? Këto janë përgjegjësi të këtij zotërisë!
‘Kërcënimit’ të Taulant Ballës se kushdo që s’i bindet vendimit politik, duhet të shohë rregulloren, iu përgjigj prerë:
“Mua nuk më përjashton dot nga PS ky djali apo cilido tjetër që më ka gjetur në PS! Kam qenë atje kur kanë ardhur në PS! I kam mbështetur sa s’ka ku të shkojë më, janë bërë ministra dhe më tregojnë mua rregulloren!”, tha Braçe.
Hakërrimet s’kanë vend në këtë proces, u shpreh Braçe duke përmendur sërish rregulloren:
“I gjithë ky proces ka nevojë për qetësi, jo për hakërrime. Shikojeni te rregullorja se ç’do pësojnë këta! Ç’do pësoj unë?”, tha deputeti.
Lajmi kryesor:
Ekskluzive/ Braçe shpjegon votën kundër ‘Territoriales’: E pakonsultuar me grupin, na mblodhën 3 ditë para votimit! Përgjigje Ballës: S’më përjashtojnë dot nga PS ata që më gjetën aty







