Bashkia Patos ka zhvilluar pasditen e kësaj të mërkure dëgjesën publike me qytetarët, në kuadër të konsultimit mbi reformën e re administrative-territoriale, e cila parashikon bashkimin e Patosit me Bashkinë Fier.

Dëgjesa u hap me fjalën e kryetarit të Këshillit Bashkiak, Armand Ahmetaj dhe pasoi me fjalën e kryebashkiakut Fatjon Duro, i cili renditi një sërë argumentesh se pse Patosi duhet të qëndrojë bashki më vete, duke theksuar funksionalitetin financiar, ekonominë, aksesin dhe kohezionin e territorit.

“Tema e kësaj dëgjese është reforma administrative territorial. Do ju lutesha të gjithë pjesëmarrësve që të mos dalin nga tema. Pra duhet të fokusohemi vetëm te tema për të cilën jemi këtu. Dua të falënderoj të gjithë zërat e këtij komuniteti që kanë qenë shumë aktiv në debatin publik në këtë process”, tha mes të tjerash Ahmeti.

“Bashkia e Patosit për indeksin e funksionalitetit renditet e para në qark, me një diferencë të theksuar nga Bashkia e Fierit me të cilën do të bashkohet. Pra sipas vetë Komisionit, Patosi ka indeks më të lartë funksionaliteti se Fieri me të cilin do të bashkohet. Po ashtu edhe indeksi i performacës ekonomike të Patosit është nga më të mirët në rang vendi. Në qark renditet e para. Patosi borxhin e ka zero. Nëse do ecim me pjesën e investimeve, Bashkia Patos rendiet në qark e para dhe e treta në rang vendi. Në këtë tregues që ka shënuar vetë Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Territoriale. Duke parë të gjithë treguesit, bashkia Patos është shumë më lartë se të gjitha bashkitë e qarkut”, tha mes të tjerash kryebashkiaku Duro.

Gjatë dëgjesës, ku ishin të pranishëm qytetarë, këshilltarë të Këshillit Bashkiak dhe grupe interesi, u shpreh njëzëri kundërshtimi ndaj bashkimit me Fierin. Për ta, Patosi nuk është vetëm një tabelë, një indeks apo distancë në kilometra, por histori dhe identitet.

“Votohet me 84 vota, nga të cilat qeveria 83 i ka. Mjafton që deputetja e Patosit të mos ngrerë kartonin. Dhe drejtuesja politike që ka dalë në media dhe ka thënë që të gjashta bashkitë e Fierit do të ruhen. Patosin e hëngri pas shpine. Mjafton ato të dyja të mos ngrenë kartonin dhe reforma nuk miratohet”, tha një i pranishëm në dëgjesë.

Kryebashkiaku Duro dhe Këshilli Bashkiak do të vijojnë në ditët në vijim procesin e konsultimit publik edhe në njësitë administrative.