Bashkëkryetari socialist i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, ka shpjeguar në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, sesi do të funksionojnë bashkitë, pas miratimit në Kuvend të projekt-propozimit të PS për hartën e re territoriale.

Mazniku ka theksuar se Këshillat Bashkiakë të qyteteve do të përbëhen nga këshilltarë bashkiakë, të cilët do të ndahen në mënyrë proporcionale mes qyteteve përbërëse të bashkisë.

Duke marrë shembull Bashkinë Vlorë, Mazniku tha se këshilli bashkiak i kësaj bashkie do të jetë i përbërë në mënyrë proporcionale nga këshilltarë nga qyteti i Vlorës, nga qyteti i Orikumit dhe nga qyteti i Selenicës.

Më tej Mazniku theksoi se për çdo qytet do të ketë edhe nga një nënkryetar bashkie, i cili do të qëndrojë në zyrën e qytetit në fjalë. Pra një nënkryetar i bashkisë së Vlorës do të qëndrojë në zyrën në qytetin e Selenicës dhe një tjetër në zyrën në qytetin e Orikumit.

Sipas Maznikut, ato që nuk do të ndryshojnë strukturën dhe funksionalitetin e tyre, janë njësitë administrative.

“Kryetari i Bashkisë së Vlorës pas reformës, do i ketë të vetët edhe këta të bashkisë Selenicë. Vlora sot është një bashki me njësitë e veta administrative. Do të përbëhet nga 3 qytete, Vlorë, Orikum dhe Selenicë. Njësitë do jenë ato që janë sot, nuk do lëvizin fare. Qyteti ka një funskion më shumë. Këshilli Bashkiak i Bashkisë Vlorë do përbëhet në mënyrë proporcionale, nga qyteti Vlorë, Orikum dhe Selenicë. Në qytet do ketë edhe një zyrë dhe një nënkryetar të dedikuar që menaxhon zyrën. Vlora do ketë më shumë se 3 nënkryetarë. 3 nënkryetarë për 3 qytetet, por mund të ketë edhe nënkryetar për financat përshembull. Nënkryetari në Selenicë do rrijë në qytetin e Selenicës. Do shkojë aty, do hapë zyrën. Që në fushatë, kandidati për kryebashkiak do dalë edhe me emrat për nënkryetarë”, tha mes të tjerash Mazniku.


Lajmi kryesor:

‘Territorialja’/ Mazniku në Report Tv: Reformë për qytetarët, jo për ofiqarët! Ka nevojë për fazën e 2-të! Shumë bashki nuk kryejnë dot funksionet, në zgjedhje hyjmë me hartën e re