Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, thotë se detyra kryesore e qeverisë është konsultimi para marrjes së vendimit lidhur me reformën territoriale. Por, ai shprehet se është herët për të vlerësuar mjaftueshmërinë ose problemet e këtij procesi.

“Jemi akoma në fazën e diskutimit, jemi akoma në fazën e konsultimit. Nuk  duhet të merret asnjë vendim pa u konsultuar në nivelin kombëtar, por që dhe në nivelin lokal. Me sa di unë ky konsultim është një proces që tani bëhet dhe është akoma herët për të thënë nëse ky konsultim u bë në mënyrë të mjaftueshme ose nëse ka patur problem nga kjo pikëpamje”, tha Tarran.

Sipas ambasadorit, nuk ka një model perfekt për hartën e re territoriale pasi ajo hartohet në bazë të historisë, traditave dhe nevojave të çdo vendi.

“Unë vij nga një vend që për këtë çështje ka një situatë shumë të veçantë. Deri tani kemi 35 mijë komuna/bashki në Francë. Ka vend tjetër ku ka disa dhjetëra bashki. Nuk ka një model që ne imponojmë e konsiderojmë si më i mirë. Çdo vend ka historinë e vet, çdo vend ka traditat e veta, çdo vend ka nevojat e veta. Dhe sigurisht është puna e vendit e Shqipërisë që të vendosë si duhet të organizohet administrata territoriale me 61 bashki siç është rasti tani ose me 100, 40 apo 3000 nuk është puna ime që do t'ju tregoj si duhet të organizohet administrata lokale”, tha Tarran.

Ambasadori i OSBE-së mori pjesë në mbledhjen e Këshillit Vendor të Sigurisë Publike në Pogradec ku në fokus ishin çështjet e sigurisë në institucionet arsimore.