Mungesa e dy votave, të Erion Braçes dhe Vullnet Sinajt për të plotësuar numrin 84 që i nevojitet mazhorancës për miratimin e reformës territoriale, do të prodhonte pasoja politike. Isa Myzyraj komenton në ‘Repolitix’ në Report Tv se për të arritur 84 vota, mund të nevojitet rikthimi i Belinda Ballukut në parlament. Gazetari nuk përjashton as mundësinë e rrjedhjes së votave nga krahu i demokratëve.

“Do të ishte një krisje e madhe brenda PS që nëse ndodh do të ketë pasoja politike. E enjtja nuk më duket se është afati final. Mund të presim rikthimin e Belinda Ballukut në parlament, pas shumë muajsh. Ka pasur raste që vetë Rama ka ardhur në seancë vetëm për ta bërë numrin 84 sepse Balluku ka refuzuar të vijë në seancë. Nëse do të ketë rrjedhje votash nuk ka as nga Shehaj, as nga Lapaj, as nga PL, por nga PD. Edhe në këtë rast, do të ketë pasoja demokratike. Nëse ndodh që një deputet i jep vota PS, nuk do të jetë më deputet i PD”, shprehet Myzyraj.

Ndërsa për deputetin socialist Klevis Jahaj, mazhoranca i zotëron të gjithë numrat dhe mbledhja e sotme e grupit ka qenë vetëm në kuadër të diskutimit për vendimin politik.

“I kemi të gjithë numrat për të kaluar reformën. Sot nuk është votuar në seancën plenare. Sot është votuar për qëndrimin politik. Aty ka pasur kërkesa, diskutime, sqarime. Në të gjitha rastet, vendimi politik i grupit të PS ka qenë i unifikuar”, tha Jahaj.


Lajmi kryesor:

Spahiu: Shqipëria s’ka 1.4 miliardë banorë si Kina që PD-PS bëjnë ndarje territoriale çdo 4 vjet