Territorialja, KVV: Reforma të
miratohet me konsensus nga palët

Territorialja, KVV: Reforma të<br />miratohet me konsensus nga palët
TIRANE- Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë kërkon kompromis dhe bashkëpunim të të gjithë aktorëve për realizimin e reformës administrative-territoriale. Në një deklaratë për mediat, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë duke u ndalur tek zgjedhjet e ardhshme lokale të qershorit 2015, theksojnë rëndësinë e ndërmarrjes së reformave që sigurojnë qëndrueshmëri, efikasitet dhe zbatim të mirë të standardeve ndërkombëtare zgjedhore.
 
Sipas Koalicionit, partitë politike duhet të tregojnë maturi për miratimin me konsensus të reformës territoriale, ndërsa shprehen se pas kësaj reforme duhet të fillojë edhe ajo e decentralizimit.
 
Deklarata e plotë
 
Qeverisja vendore e re, funksionale dhe përfaqësuese, kërkon kompromisin dhe bashkëpunimin e të gjithë aktorëve
 
Deri në zgjedhjet e ardhshme lokale në qershor 2015 ka mbetur më pak se një vit, ndërkohë që përpara forcave politike e veçanërisht mazhorancës paraqiten për t’u ndërmarrë disa reforma shumë të rëndësishme, të cilat para së gjithash duhet të sigurojnë qëndrueshmëri, efikasitet dhe zbatimin më të mirë të standardeve ndërkombëtare zgjedhore.
 
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) duke ndjekur me vëmendje gjithë situatën politike, fton dhe nxit fuqishëm partitë kryesore politike që të gjejnë forcën e duhur për t’u ulur së bashku për të sjellë një klimë besimi dhe bashkëpunimi të ndërsjelltë, të domosdoshme për ndërmarrjen e reformave aq shumë të nevojshme dhe të gjithëpranuara.
 
Koalicioni shpreh bindjen se megjithëse me pak kohë në dispozicion, partitë kryesore politike kanë të gjitha mundësitë për të treguar maturinë dhe pjekurinë e tyre për një miratim me konsensus të reformës administrativo-territoriale dhe më pas edhe të reformave të tjerave të nevojshme për bërjen sa më efikase të saj, siç janë ajo zgjedhore dhe ajo e decentralizimit, të cilat duhet të fillojnë menjëherë në shtator me nisjen e sesionit të tretë të kësaj legjislature.
 
Koalicioni në vazhdimësi edhe të qëndrimeve të mëparshme, risjell në vëmendje domosdoshmërinë e ndërmarrjes sa më parë të Reformës Zgjedhore, jo vetëm për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR, të vëzhguesve vendas apo edhe të aktorëve të tjerë, por edhe si një domosdoshmëri për rregullimin e një përfaqësimi sa më të mirë të shtetasve në organet e qeverisjes së njësive të reja vendore, si dhe rritjes së efektshmërisë së tyre në dobi të qytetarëve.
 
Ndarja e re administrativo-territoriale që pritet të miratohet, parashikon zvogëlimin rreth gjashtë herë të numrit të njësive vendore. Çka do të thotë njësi gjeografike më të mëdha për t’u administruar, popullsi më të mëdha për t’u qeverisur, por, nga ana tjetër, edhe rritje e distancës së përfaqësimit të drejtëpërdrejtë të këshilltarëve të NJQV-ve nga shtetasit votues.
 
Në frymën e respektimit të standardeve demokratike dhe të funksionalitetit sa më të mirë të këtyre njësive, Koalicioni sjell në vëmendje nevojshmërinë e rishikimit të mekanizmit aktual të kodit zgjedhor për mënyrën e zgjedhjes së organeve të pushtetit lokal, konkretisht të zgjedhjes së tyre në mënyrë nominale (me lista të hapura), të drejtpërdrejtë dhe nga të gjithë shtetasit e regjistruar si banorë të këtyre njësive.
 
Në këtë linjë, Koalicioni nxit mazhorancën dhe Qeverinë që, në përputhje edhe me premtimet elektorale të para një viti[1], të përkushtohet për të siguruar votimin e emigrantëve në vendet ku ata jetojnë, jo vetëm për zgjedhjet parlamentare, por edhe për ato lokale të vitit të ardhshëm.
 
Gjithashtu, Koalicioni sjell në vëmendje të Qeverisë e në veçanti të Ministrisë së Brendshme, që nisur edhe nga koha e pakët në dispozicion, të përkushtojnë energjitë e tyre maksimale, që në transparencë të plotë me publikun dhe aktorët e interesuar, të punojnë fort dhe të ndërmarrin sa më parë hapa efikasë për të bërë të mundur pastrimin e Listës së Zgjedhësve prej rekordeve të dyshura si të dubluara, si dhe të saktësojnë adresat e rreth 350.000 zgjedhësve që rezultojnë pa adresë të saktë, në bazë të raporteve të auditëve teknicienë përgjatë procesit zgjedhor të kaluar[2].
 
Marrja në konsideratë e këtyre çështjeve dhe e të tjerave të domosdoshme për të siguruar një qeverisje vendore të re, efikase, funksionale, përfaqësuese dhe në shërbim sa më të mirë të shtetasve, kërkon para së gjithash kompromisin dhe bashkëpunimin e të gjithë aktorëve politikë, institucionalë si dhe të grupeve të tjera të interesit.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Rritet çmimi i apartamenteve në Korçë dhe Pogradec, deri në 1 mijë € metri katror! Agjenti imobilar: Kërkesa të larta nga Tirana e Durrësi! S’mbetet pas as diaspora

Rritet çmimi i apartamenteve në Korçë dhe Pogradec, deri në 1 mijë € metri katror! Agjenti imobilar: Kërkesa të larta nga Tirana e Durrësi! S’mbetet pas as diaspora