Rreth 100 efektivë të Forcave të Armatosura janë angazhuar në operacionet për shuarjen e dy vatrave të zjarrit në Gjirin e Lalëzit dhe në Pojan, pranë Parkut Arkeologjik të Apolonisë. Në përditësimin e sotëm të situatës, Ministri Nufi njofton se ndërhyrja vijon në Gjirin e Lalëzit, ndërsa situata në Apoloni është nën kontroll.

Pranë zonës së Shën Pjetrit janë angazhuar 68 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 15 automjete zjarrfikëse nga bashkitë Durrës, Shijak, Tiranë, Kamëz, Vorë, Kavajë dhe Elbasan. Pas punës gjatë gjithë natës, në operacion është përfshirë edhe një helikopter, i cili po ndërhyn nga ajri në terrenin e vështirë kodrinor. Ekipet po punojnë për izolimin e vatrave dhe mbrojtjen e banorëve, banesave dhe pronave.

Në Pojan, efektivët e Forcave të Armatosura vijojnë monitorimin në terren. Sipas ministrit, situata pranë Parkut Arkeologjik të Apolonisë është nën kontroll dhe asnjë monument nuk është dëmtuar nga flakët. Për shuarjen e zjarrit u angazhua edhe një helikopter i Forcës Ajrore.


Lajmi kryesor:

Rrezikoi kompleksin turistik dhe një banesë, shuhet zjarri në Gjirin e Lalëzit! Ende aktive vatra në pyllin e Bizës, nis ndërhyrja me helikopter (VIDEO)