Opozita dhe mazhoranca janë përfshirë në debate në Komisionin e Ligjeve, ku po shqyrtohet propozimi i PS për hartën e re territoriale.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti Ulsi Manja, tha se projektligji i PS për Reformën Territoriale respekton frymën kushtetuese.

Manja tha gjithashtu se pasi të miratohet projektligji për ‘Territorialen’, do të vijë një paketë ndryshimesh ligjore për funksionet, autonominë dhe kompetencat e bashkive.

Në përfundim të fjalës së tij, Manja tha se i përlqente debati juridik me deputetin demokrat Arjan Ndoja, pasi të dy sipas tij, janë me formim të njëjtë profesional dhe kanë punuar në të shkuarën si prokurorë.

“Ne mendojmë se ky projektligj që ka ardhur sot respekton në frymë dhe në gërmë nenin 13 dhe 108 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe rregulloren e Kuvendit. Ama për një gjë duhet të biem dakord të gjithë. Që kjo është një çështje që gëzon parimin e gjësë së gjykuar. Ka vajtur në Gjykatën Kushtetuese me kërkesën tuaj në vitin 2014, me kërkesën e 1/5 së deputetëve të opozitës së kohës dhe në një seancë plenare të datës 9 dhjetor 2014 Gjykata Kushtetuese i ka marrë nën shqyrtim në mënyrë shteruese 4 pretendime.

Me vendimin nr 19 të datës 15 prill 2015, Gjykata Kushtetuese me shumicë votash ka vendosur rrëzimin e kërkesës, me arsyetimin se bashkimi ose ndryshimi i kufijve të njësive vendore, nuk cenon vetëvetiu vetëqeverisjen vendore. Kjo do të thotë se pretendimet për antikushtetutshmëri të këtij procesi, nuk janë të bazuara. Unë bashkohem me ju në një pikë, po është reformë shumë e rëndësishme. Nëse kemi një shqetësim decentralizimin, autonominë, funksionet, kompetencat, por edhe buxhetimin e bashkive, jam plotësisht dakord që pasi të votohet ky projektligj, patjetër që do vijë paketa e ndryshimeve sa i takon këtyre çështjeve që ju ngrini.

Sepse janë pjesë përbërëse e asaj pakete që shoqëron hartën territoriale, nuk mund të vijë më parë. Me reformën e 2014-ës ka shumë njësi administrative që kanë distanca shumë më të largëta sesa ato që përmenden me qendrat e bashkive respektive dhe reforma ka qenë sukses në këtë drejtim. Më pëlqen debati juridik me zotin Ndoja, edhe për shkak të begraundit dhe formimit që jemi të dy si ish-prokurorë, sepse jurist jemi të gjithë në këtë komision”, tha Manja.

Ndërkohë deputeti Ndoja sqaroi në Komision me Ulsi Manjën kishin qenë të dy ‘bashkëvuajtës’ dhe konviktorë. Ai shtoi se nuk kishte pasur kurrë marrëdhënie me Manjën, por vetëm se kanë ndjekur të njëjtin rrugëtim.

Në përfundim ai i tha Manjës se deputeti socialist nuk duhet të ndërhynte pas fjalës së çdo anëtari opozitar në Komisionin e Ligjeve.

“Për publikun e gjerë, ne jemi bashkëvuajtës, kemi pas të njëjtin rrugëtim, kemi qenë konviktorë të dy. As kemi dhënë e as kemi marrë nga njëri-tjetri. Kemi pasur të njëjtin rrugëtim në jetë, edhe ti ke punuar prokuror, edhe unë. Ti bën një përmbledhje, e cila herë pas here të takon edhe si anëtar komisioni, por jo si kryetar komisioni.

Ti bën kundërshtime edhe si deputet, por duke pasur kaq shumë personalitete PS në Komision për çështjet ligjore dhe administratën publike, ti nuk mund të ndërhysh sa herë flet secili prej deputetëve të opozitës, sepse e para ta kanë dhënë, s’kanë çfarë të të japin më tepër në Komisionin e Ligjeve PS, të kanë bërë kryetar komisioni.

Po do ishin anëtarët e tjerë të nderuar të Komisionit, që secili me aftësitë e tij të posaçme në këtë fushë, siç është e drejta, do bënin kundërshtimet përkatëse të argumentave tona. Ti ndërhyn për çdo diskutim tonin. Prandaj thonë edhe njerëzit ‘ça ka Ulsiu?’. Ulsiu është në pozicion të vështirë. Ose ke marrë barrën e krejt ekipit, ose s’të pëlqejnë mendimet tona”, tha mes të tjerash Ndoja.


Lajmi kryesor:

Pas 5 orësh debate, 'Ligjet' miratojnë me 8 vota pro draftin e PS për hartën e re territoriale! Opozita ikën: Reformë e njëanshme! Shtohen 6 qytete