Takimin e radhës për Reformën e re Territoriale, kryeministri Edi Rama e zhvilloi ditën e sotme në Korçë.
Gjatë takimit me banorët e Maliqit, bashki e cila sipas propozimit të socialistëve shkrihet për të mbetur vetëm me statusin e qytetit, Rama garantoi të pranishmit se shërbimet nuk të largohen prej tyre.
Ndarje e re sipas kryeminsitrit Rama do të jetë më shumë efektive edhe në aspektin ekonomik, pasi sipas tij, do të çojë në rritjen e investimeve.
“Është shumë e rëndësishme për fëmijët tuaj kjo që po bëjmë sot. Për të gjithë ju, por në radhë të parë për fëmijët dhe për mirëfunksionimin në shkallë kombëtare të shtetit shqiptar. Maliqi apo të tjerat që po bashkohen nuk do jenë njësi administrative si ato që ju shikoni sot. Dhe për këtë arsye, për këtë ligj ne krijojmë një nivel tjetër, duke u bërë një njësi më e madhe, futet në një kategori tjetër të fondeve të BE-së. Dhe do shikoni që do ju rriten investimet. Duke u rritur masa, do ketë më shumë para për të investuar. Nuk ka këtu asnjë rrezik, këtu ka vetëm gjëra pozitive. Më pak s’ka, më shumë ka”, tha mes të tjerash kryeministri Edi Rama.
Rama ka thënë brenda takimit që reforma territoriale do vazhdojë edhe më tej, ku sipas tij, pas disa vitesh priten të shkrihen bashkia e Kolonjës dhe Devollit.
Në takim ka marrë pjesë edhe kryeparlamentari Niko Peleshi, i cili është edhe deputet i Korçës, i cili ka përsëritur se Maliqi do të jetë qytet dhe se me reformën e re shërbimet nuk do të largohen nga qytetarët.
Peleshi tha më tej se Reforma Territoriale do të pasohet më tej edhe me reflektime në kuadrin ligjor, siç është ligji për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor.
“Pra, Bashkia e Maliqit nuk do të jetë më bashki, por do të jetë qyteti i Maliqit dhe do t'ju shërbejë të gjitha fshatrave, të njëjtave fshatra dhe njësive administrative që ka edhe sot. Sikundër dhe Korça, do të ketë gjithashtu një drejtues të posaçëm, nënkryetar bashkie thotë projektligji. Por duhet thënë që çdo reformë shoqërohet me skepticizëm, me frikë, me zemërim ndonjëherë kur të gjitha burojnë nga e panjohura.
Ndaj dëgjesat janë të domosdoshme. Reforma nuk është thjesht një hartë dhe nuk përfundon me hartën, por do të pasohet edhe më tej, do të ketë besoj nevojë edhe për reflektime në kuadrin ligjor, siç është ligji për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor, për të garantuar edhe njëherë atë që e kërkojnë e kërkuan edhe qytetarët, sidomos ata të Bashkisë Maliq dhe të njësive përreth, që shërbimet mos të largohen”, theksoi Peleshi.









Komente
Komento