Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj nuk u lejua nga SPAK të merrte pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku do të diskutohej për reformën e re territoriale.
"Kush e drejton bashkinë?", pyeti Ilda Zhulali.
"Ai që ka votën e qytetarëve", u përgjigj Eridjan Salianji.
Pa një opinion të kryebashkiakut, Këshilli dha pas 3 orësh debat, pëlqimin për ndarjen e re territoriale, që me propozimin e socialistëve, bashkisë Tiranë i shton një njësi të re administrative, të përbërë nga Rinasi, deri më tani pjesë e Krujës, si dhe Bërxulla e Domja që i merren bashkisë Vorë.
Kartonët jeshilë, i ngritën vetëm ana e majtë e këshillit. Anëtarët e opozitës votuan kundër, ndërsa kritikuan hartën e re duke thënë se do të përkeqësojë dhënien e shërbimeve.
"Kjo reformë kaq e rëndësishme nuk mund të kalojë me një kryetar në burg dhe me një qeveri në kulmin e skandaleve. Kjo hartë nuk po kundërshtohet vetëm nga këshilltarët e opozitës, por në të gjithë vendin, madje edhe në këshillat që ju keni shumicë. Kjo reformë e ha demokracinë", tha Ilda Zhulali, këshilltarja demokrate në Bashkinë Tiranë.
"Super bashki që mund të administrojë edhe një aset si aeroporti", tha Alfred Muharremi nga PS.
"Meqenëse futet Rinasi, a mund ta dimë sa biznese i shtohen Tiranës?", tha Dorjan Teliti nga PD.
"Këtë diskutim e bën parlamenti, kjo është punë e kuvendit, sot ne nuk marrim vendim, ne e kemi të mbushur mendjen tonë që duhet reforma", tha mes të tjerash Salianji.
Për Tiranën, opozita propozonte jo vetëm që të mos zgjerohet, por ndarjen e saj, duke kthyer në bashki të reja Petrelën, Arbanë, Dajtin, Kasharin e Ndroqin.
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, këshilltarët e majtë e djathtë u bashkuan për të shpallur qytetar nderi 4 liderët e UÇk-së, sic propozoi më herët kryebashkiaku Erion Veliaj.

Foto gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak Tiranë
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi ditën e sotme propozimin e kryebashkiakut Veliaj për dhënien e një shpërblimi sa një pagë mujore për punonjësit e shërbimit zjarrfikës pas angazhimit të tyre në përballimin e zjarreve, përmbytjeve dhe emergjencave civile gjatë këtij viti.
Vendimi parashikon që shpërblimi të përfitohet nga 189 punonjës me gradë të Shërbimit Zjarrfikës.
Një nga situatat më të vështira me të cilat janë përballur efektivët ka qenë zjarri në malin e Dajtit, ku angazhimi në terren ka vijuar nga 25 korriku deri më 10 shtator. Gjatë kësaj periudhe, forcat zjarrfikëse janë mbajtur në gatishmëri të vazhdueshme për kontrollin, izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit.
Ndërhyrje janë zhvilluar edhe në Daias, Priskë, fshatin Gurë dhe në zonën e Ibës, ndërsa efektivët e Tiranës janë angazhuar edhe jashtë territorit të bashkisë, në qarqet e Durrësit dhe Vlorës, në kuadër të bashkëpunimit mes institucioneve.
Numri i lartë i rasteve dhe kohëzgjatja e situatës në Dajt sollën një ngarkesë të konsiderueshme operacionale për shërbimin zjarrfikës.
Me votat e mazhorancës, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi 'projektvendimin për shprehjen e pëlqimit për propozimin për Bashkinë Tiranë sipas projektligjit për ndarjen administrativo-territoriale".
Këshilltari demokrat Dorjan Teliti tha se propozimi i PS nuk është një Reformë Territoriale, por një ndryshim kufiri.
Ai tha gjithashtu se Tirana, me ndarjen e sotme administrative, nuk po funksionon siç duhet, për shkak sipas Telitit, se brenda bashkisë së kryeqytetit janë përfshirë hapësira të mëdha.
"Një fjali të fundit për Reformën Territoriale. Do të doja shumë të ishte reformë, por është thjesht një ndryshim kufiri. Mesa duket s'ju intereson të diskutojmë problematikat e Tiranës. Ju rikujtoj që jemi ende në kohë të bëjmë disa propozime serioze. Kjo Tiranë ju e dini shumë mirë që nuk mban dot në formatin që është. Nuk është kapriço e jona 'ndaje 5-sh, apo 7-sh'. Tirana sot nuk po funksionon. Kur keni qenë për herë të fundit në Ndroq, përveçse për të ngrënë ndonjë drekë? S'keni qenë sepse është koha që këtë territor të madh s'na jep mundësi ta shkelim", tha mes të tjerash Teliti.
Gjatë debateve të sotme në Këshillin Bashkiak të Tiranës, ka pasur edhe momente kur përfaqësuesit e PS dhe ata të PD-së kanë shkëmbyer batuta me njëri-tjetrin.
Një nga momentet 'pikante' ishin replikat mes këshilltarit socialist Halit Valteri dhe atij demokrat Dorjan Teliti, pasi ky i fundit tha se kishte 'një dilemë brenda vetes'.
"Kam një dilemë zonja nënkryetare brenda vetes sime", tha Teliti.
"Hajde njëher na e trego, shprehu, hapju shoqnis, çohu në këmbë", tha Valteri.
"Do çohem në këmbë", tha Teliti.
Mbledhja e sotme e Këshillit Bashkiak të Tiranës është shoqëruar me debate të forta mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, teksa po shqyrtohej projektligji i propozuar nga PS për Reformën Territoriale.
Këshilltarja demokrate e Bashkisë Tiranë, Ilda Zhulali, është shprehur se Karta e Autonomisë Vendore ka parashikuar detyrimin që para se të merret një vendim për ndarjen territoriale, duhet të merret mendimi i autoriteteve lokale dhe i komuniteteve.
Zhulali akuzoi përfaqësuesit e mazhorancës se po përpiqen ta reduktojnë diskutimin dhe ta konsiderojnë çështjen që po trajtohet për ndarjen e re territoriale, si diçka të pavlerë.
"Karta Europiane e autonomisë vendore ka përcaktuar si detyrim, pra që qeveria atje një ditë mund të çmendet dhe të propozojë që gjithë Shqipëria të konsiderohet një bashki. Edhe kryeministri mund të jetë njëkohësisht kryetar bashkie i të gjithë Shqipërisë. Por karta europiane parashikon disa mekanizma që e parandalojnë këtë gjë. Karta e Autonomisë Vendore ka parashikuar detyrimin që para se të merret një vendim i tillë në nivel qëndror dhe të kalojë në Parlament, duhet të merret mendimi i autoriteteve lokale dhe i komuniteteve bashkë. Prandaj është detyrim ligjor. Nuk vjen kot ky vendim këtu dhe nuk vjen për të thënë ju që 'është vendim politik që ka marrë mazhoranca në Kuvend'. Zoti Salianji kërkon ta reduktojë diskutimin për këtë pikë dhe ta konsiderojë një gjë të pavlerë. Unë po të them krejt të kundërtën. Kini respekt për veten tuaj, sepse pjesa më e madhe e njerëzve këtu përfaqësoni njerëz që kanë jo vetëm integritet, por kanë edhe një backgraund të rëndësishëm në profesionet e veta", tha mes të tjerash Zhulali.
Ndërkohë këshilltari socialist Luan Bregasi është shprehur se palët mund të kenë mendime të ndryshme për mënyrën sesi duhet të bëhet ndarja e re territoriale, por sipas tij, në fund është vota që vendos.
"Vota është zgjidhja për çdo lloj mendimi. Ne do ta respektojmë mendimin dhe pastaj do votojmë", tha Bregasi.
Nga ana tjetër, këshilltari demokrat Dorjan Teliti tha se Reforma Territoriale duhet të jetë një reformë e qytetarit, që sjell zhvillim në familjet e shqiptarëve dhe akses në shërbimet publike.
Teliti ngriti edhe shqetësimin për mungesën e tualeteve publike në Tiranë, teksa tha se krijimi i tyre në disa pika kyçe të kryeqytetit është një domosdoshmëri.
"Administrimi i këtij qyteti i krijon funksionet e veta? Një prej tyre është edhe ajo që tha kolegia. Banjot publike, kanë qenë në kohën e xhaxhit, por nuk janë në kohën e Erionit. Sepse të gjithëve na ka ndodhur që jemi futur në market apo dyqan, duke blerë kafe dhe ujë për të përdorur tualetet. Për më tepër se kaq, reforma administrativo-territoriale, duhet të jetë reformë e qytetarit, që sjell zhvillim në familjet tona dhe akses në shërbimet publike. Çdo bashki e ka gjendjen civile, ka zjarrfikëset e veta, por a i kemi ne në këtë format që i kemi sot, optimumin e duhur? Pra është funksionim i gjëse. Prandaj quhet administrativo-territoriale. Tani ne jemi të detyruar të respektojmë frymën e qytetarëve të Tiranës. Ky Këshill nuk denjoi që të kryente 30 takimet që ne kishim propozuar. Shkuam të vetëm, por jo bashkë me ju", tha mes të tjerash Teliti.
Këshilli Bashkiak i Tiranës është mbledhur ditën e sotme, ku do të shqyrtohen disa projektvendime, mes të cilave edhe projektligji për ndarjen administrativo-territoriale.
SPAK refuzoi sot lejen që kryetari i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, të ishte i pranishëm në mbledhjen e këshillit Bashkiak.
Mungesa e Veliajt në sallë soli përplasje mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës. Këshilltarja bashkiake e PD-së, Ilda Zhulali, tha gjatë fjalës së saj se PS duhet të sqarojë se kush e drejton sot Bashkinë Tiranë.
Zhulali kërkoi gjithashtu një seancë të posaçme në Këshillin Bashkiak, për zjarret që dogjën gjatë kësaj vere sipërfaqe të tëra toke në Tiranë.
"Kush e drejton sot Bashkinë Tiranë? Kemi mësuar nga lajmet se Ristani është larguar. Ndërsa në Këshillin Bashkiak të Tiranës, nuk ka ndërmend asnjëri që ta ngrejë pyetjen dhe të japë një shpjegim se 'kush firmos sot këtu?'. Kush firmos sot për pagat? Kjo duhet të vendoset në rendin e ditës, sepse nuk ka kuptim që të mblidhet ky Këshill pa iu përgjigjur kësaj pyetjeje. E dyta, ndodhën zjarret përvëluese dhe dogjën gjithë Tiranën. Si nuk e gjeni ju me vend të mblidhni një seancë urgjente sesa sipërfaqe tokë u dogj, sa kafshë iu dogjën atyre njerëzve? Për ça jemi në këtu, për të ngritur kartonat jemi ne këtu?", tha mes të tjerash Zhulali.
Ndërkohë këshilltari bashkiak i PS, Eridian Salianji, iu përgjigj Zhulalit duke thënë se kryebashkiaku i Tiranës është ai që kanë votuar qytetarët. Salianji tha gjithashtu se mandati i Veliajt është certifikuar edhe nga Gjykata Kushtetuese.
"Të mos lejmojmë që salla e Këshillit Bashkiak të kthehet në një sallë mediumesh politike që s'ka lidhje fare me mbledhjen. Kryetari i Bashkisë së Tiranës është Erion Veliaj, që e kanë votuar qytetarët e Tiranës. Mandati i tij është certifikuar edhe nga Gjykata Kushtetuese. Ne jemi të detyruar që punët të mos i lëmë përgjysmë. Pakica, minoranca sa vjen e zvogëlohet në Këshillin Bashkiak dhe tentojnë të prishin seancën. Ne s'jemi këtu për të bërë debat me humbësit, me pakicën. Dhe hallet e qytetarëve në fund zgjidhen me vendimmarrje", tha mes të tjerash Eridian Salianji.
Por fill pas fjalës së Salianjit, këshilltarja bashkiake nga Lëvizja Bashkë, Mirela Ruko, tha se situata në të cilën ndodhet Bashkia Tiranë nuk duhet normalizuar.
Duke e akuzuar kryebashkiakun Veliaj për korrupsion, Ruko tha se ai duhet të japë dorëheqjen nga Bashkia Tiranë dhe të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë.
"Në fakt zoti Salianji duhet të kërkosh ndryshime ligjore që salla e Këshillit Bashkiak të ketë vetëm mazhorancë dhe jo opozitë. Përsa kohë që ligji e parashikon që ka opozitë dhe të drejtë fjale, do e marrë fjalën dhe do e çojë deri në fund. Për mua nuk duhet ta normalizojmë fare situatën që ndodhet Bashkia Tiranë. Edhe situata është që aktet na kanë ardhur me firmën e Veliajt dhe ky Këshill me 50 vota ka kërkuar shkarkimin e tij. Kështu që unë nuk e di çfarë ka ndryshuar me situatën e këshilltarëve të këtij këshilli, që kërkojnë që ne të vazhdojmë dhe ta normalizojmë situatën e një kryebashkiaku që akuzohet për korrupsion dhe abuzim me detyrën, që aktet të vijnë në emrin e tij. Detyra politike e këtij Këshilli është që të mbajë përgjegjësi dhe t'i kërkojë Veliajt të japë dorëheqjen dhe ta çlirojë qytetin nga mbajtja peng. Situata personale e Veliajt nuk mund të pengojë punët e qytetit. I kërkoj Veliajt që të bëjë një gjë të mirë në jetën e tij, që të bashkëpunojë me drejtësinë dhe t'i dorëzojë emrat, sepse ai nuk ka vjedhur i vetëm", tha mes të tjerash Mirela Ruko.





Komente
Komento