Gjatë fjalës së tij në Komisionin e Ligjeve, kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, mbështeti propozimin e opozitës për një hartë me 100 bashki dhe 12 qarqe, duke argumentuar se rritja e territorit të bashkive nuk ka sjellë përmirësim të shërbimeve. Ai kërkoi që reforma e kaluar të vlerësohet publikisht përpara se të vendoset për hartën e re, ndërsa komunitetet të dëgjohen para çdo ndryshimi të kufijve.

“A-ja e gjithçkaje është ndarja territoriale dhe afërsia me qytetarin. Për kompetencat jam dakord, por afërsia me qytetarin është më e rëndësishme. Si përfaqësues i Shoqatës së Bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë që përfaqëson bashkitë e opozitës, dua të bëj të qartë që ne qëndrojmë për 100 bashki dhe 12 qarqe. Kjo është baza për një qeverisje vendore më pranë qytetarëve. Përvoja e viteve 2014 tregoi se bashkitë u bënë më të mëdha, por shërbimi jo. Ne kërkojmë vlerësim publik të reformës së kaluar para se të merret vendimi përfundimtar. Ne propozojmë një model territorial të diferencuar, ku numri përcaktohet në bazë të nevojës. Duhet të rrisim numrin e bashkive dhe çdo kompetencë të shoqërohet me financim. Kërkojmë përfaqësim real të qytetarëve. Komunitetet e prekura duhen dëgjuar para ndryshimit të kufijve”, tha Qosja.


Lajmi kryesor:

Reforma territoriale ndez debate PS-PD tek 'Ligjet', rrëzohet kërkesa e opozitës për futjen e draftit të saj në rend dite, Manja: Nuk e kam në tryezë, duhet të ndjekë procedurën