TIRANE- Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e arrestit në burg për shtetasin e arrestuar Denis Shmilli të cilit gjatë një kontrolli në banesë iu sekuestruan dy bomba me telekomandë.

Arrestimi i të riut nuk u njoftua në Komunikaten Zyrtare të Policisë, ndërkohë që edhe masa e sigurisë ndaj tij edhe pse ishte caktuar për t'u kryer në orën 10:00 të kësaj të premtejë, u bë një orë para orarit të caktuar, duke shmangur madje edhe praninë e avokatit mbrojtës.

Seanca për caktimin e masës së sigurisë u zhvillua pa praninë e avokatit të tij mbrojtës Alban Bengasi, ndërsa në vend të tij gjykata caktoi një avokat kryesisht. Ndërkohë që dje në gjykatën e Tiranës është rregjistruar një padi civile nga bashkëshorja e Denis Shmillit, shtetësja Rudina Mata. Kjo e fundit i është drejtuar gjykatës së Tiranës, duke kërkuar urdhër mbrojtje për shkak se sipas saj bashkëshorti e keqtrajton. Në fakt ka qënë një denoncim i bërë në policinë e Tiranës nga vetë bashkëshortja e tij, ku pas një kontrolli në banesë efektivat e policisë kanë arritur të gjejnë dy bomba me telekomandë.

(sg/eq/shqiptarja.com)