Në kuadër të diskutimeve bilaterale, në fushën e mbrojtjes me SHBA-të, Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli priti në takim, Michael Carpenter, zëvendës asistent i Sekretarit të Mbrojtjes për Rusinë, Ukrainën dhe Euroazinë ku diskutuan për çështjen e terrorizmit dhe situatën e sigurisë.
 
Në takim u diskutua për situatën ndërkombëtare të sigurisë si dhe kontributin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit.
 
Kodheli, pasi e uroi për mirëseardhjen, e njohu me vendimin e Shqipërisë për ngritjen e Qendrës së Ekselencës së NATO-s në vendin tonë, për të adresuar fenomenin e luftëtarëve të huaj.
 
Gjithashtu e njohu Carpenter edhe me angazhimet e Shqipërisë në kuadër të NATO-s.
 
Ne po dyfishojmë kontributin tonë në Afganistan si dhe po përmbushim të gjitha detyrimet tona në angazhimet në kufijtë lindorë të Aleancës”, nënvizoi Kodheli.
 
Për sa i përket zhvillimeve në rajon, Kodheli përsëriti edhe një herë mbështetjen maksimale që Shqipëria i jep çdo vendi që aspiron të anëtarësohet në Aleancë. Fakti që Mali i Zi i bashkohet Aleancës rrit faktorët e paqes dhe sigurisë.
 
Ky vit është përvjetori i 25-të i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe SHBA-së, në këtë kontekst bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit të dy vendeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)