Terrorizmi, Kosova plan për të kthyer luftëtarët në Irak dhe Siri: Do të gjykohen

Terrorizmi, Kosova plan për të kthyer luftëtarët në Irak dhe Siri: Do të gjykohen

Foto ilustruese

Rreth 200 qytetarë të Kosovës, vazhdojnë të jenë në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak, duke përshirë edhe shumë fëmijë të lindur atje. Këto dhe të gjetura të tjera, që kanë të bëjnë me terrorizmin dhe luftën kundër këtij problemi global, janë pasqyruar në Raportin e vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit, për terrorizmin në botë në vitin 2017.

Aty thuhet, po ashtu, se Kosova vazhdoi t’i kundërvihet kërcënimit gjithnjë në rritje të terrorizmit. Në raport thuhet se rreth 403 qytetarë të Kosovës kanë udhëtuar në Siri dhe Irak për t'iu bashkuar grupit militant Shteti Islamik apo Frontit al-Nusra, prej të cilëve rreth 74 kanë vdekur, ndërsa rreth 196 mbeten në këto zona konflikti.

Për kthimin e tyre në Kosovë, Qeveria ka një plan, mirëpo nuk dihet se kur ata do të mund të kthehen në vendlindje. Lulzim Fushtica, koordinator nacional në Kryeministri për Strategjinë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjithë ata që kanë kryer krime në këto zona të luftës, do të përballen me drejtësinë.

“Ne kemi planin për kthimin e personave që gjenden në zonat e luftës. Kosova mbetet e hapur që të gjithë qytetarët e saj të kthehen në Republikën e Kosovës. Mirëpo, të gjithë ata që në mënyrë direkte apo indirekte, kanë qenë pjesë e organizatave terroriste ose kanë bërë ndonjë krim, do të përgjigjen para organeve të drejtësisë”, thotë Fushtica. Ai shton se Kosova dhe asnjë shtet tjetër nuk është imun nga ekstremizmi i dhunshëm.

“Asnjë shtet nuk është imun nga kjo dukuri globale, mirëpo nuk mund të them që Kosova është e rrezikuar nga ekstremizmi fetar. Ne kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me Bashkësinë Islame të Kosovës, por edhe me të gjitha bashkësitë tjera fetare në Republikën e Kosovës. Janë pjesë e përpjekjeve dhe punës sonë të përditshme”, thekson Fushtica.

DASH: Veriu i Kosovës ende me probleme
Në raport pasqyrohet edhe gjendja e sigurisë në veri të Kosovës. Sipas të gjeturave të raportit, situata në veri ka vazhduar të kufizojë aftësinë e Qeverisë për të ushtruar autoritetin e saj në atë pjesë të vendit, megjithëse Ekzekutivi ka integruar me sukses gjyqtarët, prokurorët dhe stafin serb në institucionet gjyqësore të Kosovës në tetor, duke zgjeruar autoritetin gjyqësor të vendit dhe qasjen në drejtësi për qytetarët. Mirëpo, analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë se veriu ka pasur probleme në vazhdimësi sa i përket integrimit të institucioneve të drejtësisë. Sipas tij, ka pasur një zvarritje të pashpjegueshme edhe pas marrëveshjes në Bruksel.

Mushkolaj thotë se situata aktuale politike në Kosovë rreth ndryshimit të kufijve, e përmendur së fundi, mund të ndikojë negativisht. “Pavarësisht se ka pasur përpjekje dhe përparime jo të mëdha, por mbase solide në drejtim të përmirësimit të gjendjes në veri, megjithatë deklaratat e fundit dhe idetë e fundit, qoftë për të ashtuquajturin korrigjim të kufirit, qoftë për shkëmbim të territoreve, mund të ndikojnë negativisht dhe kjo na kthen mbrapa. Kjo do të ndikojë direkt edhe në jetën e qytetarëve”, thotë Imer Mushkolaj.

Pjesë e këtij raporti të Departamentit Amerikan të Shtetit, janë edhe shtetet fqinje të Kosovës. Shqipëria, sipas tij këtij raporti, thuhet se gjatë vitit 2017, ishte një mbështetëse e fuqishme e përpjekjeve kundër terrorizmit dhe vazhdoi pjesëmarrjen e saj në Koalicionin global për të mposhtur grupin militant, Shteti Islamik.

Aty thuhet se Shqipëria, dënon veprimet terroriste, financimin e terrorizmit, kryerjen e transaksioneve me persona që janë në listat e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara, rekrutimin dhe trajnimin e njerëzve për kryerjen e veprave terroriste, nxitjen e akteve terroriste dhe krijimin apo pjesëmarrjen në organizata terroriste.

Ndërkaq, Maqedonia, sipas këtij raporti, e cila është anëtare e Koalicionit global për të mposhtur grupin militant, Shteti Islamik, po bashkëpunon me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në përpjekjet antiterroriste. Edhe Kosova është anëtare e Koalicionit global për të mposhtur grupin militant, Shteti Islamik, dhe ka ndarë 100 mijë euro në mbështetje të këtij koalicioni. REL

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion