Hetimi për prangosjen e ish-funksionarëve të lartë të uniformave blu pritet të shtrihet në rrethet, Fier, Vlorë, Berat, Gjirokastës, Durrës, Lezhë dhe Shkodër. Konkretisht, nga përgjimet e kryera prej palës Italiane në periudhën tetor 2013 e shtatori 2017, rezulton se edhe në kupolën e Policisë së Shtetit pritet të ketë zhvillime të reja, përsa i përket personave të hetuar.Pas urdhër ndalimit nga prokuroria e Krimeve të Rënda të 3 ish-drejtuesve të lartë të policisë vendore Vlorë, duket se hetimi për implikimin e zyrtarëve të tjerë të uniformave blu në trafikun e drogës vazhdon e rritet.
Habilajt dhe policia
Në përgjimet që kjo prokurori ka kryer, duket se janë administruar biseda ku përmenden zyrtarët e policisë së Vlorës, të cilët kanë bashkëpunuar ngushtë me anëtarët e tjerë të grupit të “Habilajve”.Në dokumentacionin e mbëritur nga italia bëhet fjalë për një grup kriminal që janë të implikuar rreth 40 persona. Pikërisht në këtë dosje, ka dalë dhe emri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili përmendet nga Habilaj, duke nënkuptuar që Tahiri ka dijeni për aktivitetin kriminal dhe madje i blejnë dhe byzylykë floriri për nënën dhe gruan e ish-ministrit të Brendshëm. Moisi dhe Florian Habilaj akuzohen për trafikimin e rreth 3.5 ton kanabis në drejtim të Italisë përgjatë viteve 2013-2017, kohë kur antimafia italiane i mbante në përgjim.
Përmendja e pagesave tek ish-minsitri
Në këto përgjime, dy vëllezërit por edhe bashkëpunëtorët e tyre në këtë rrjet të trafikimit kanë përmendur pagesa të bëra në adresë të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri si dhe mbylljen e njërit sy nga strukturat e policisë lokale. Më 19 tetor, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi autorizimin e Kuvendit të Shqipërisë për arrestimin e Tahirit, por Partia Socialiste e rrëzoi këtë kërkesë duke e cilësuar të pabazuar në prova. Situata juridike e Tahirit u vështirësua pas 1 nëntorit 2017, kur një partullë policie ndaloi 25-vjeçarin Orest Sota në afërsi të fshatit Balldren në Elbasan, ndërsa gjatë kontrollit të makinës së tij u gjetën 863 mijë euro dhe dy patenta për drejtim mjeti lundrues të Tahirit. Avokatët e Sotës pretenduan se paratë i përkisnin babait të tij, biznesmenit Lefter Sota, por Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaroi se kishte dyshime se shuma prej 863 mijë euro i përkiste ish-ministrit Tahiri dhe kishte si burim aktivitetet kriminale.
d.c./shqiptarja.com











