Prokuroria e Kosovës ka kërkuar që ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të shpallet fajtor dhe të dënohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të vitit 2018, një nga episodet më të tensionuara të asaj periudhe politike.

Rasti lidhet me seancat e Kuvendit kur deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje përdornin gaz lotsjellës për të bllokuar zhvillimin e tyre, në shenjë proteste kundër marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Në atë kohë, Sveçla ishte deputet i opozitës, ndërsa sot mban postin e ministrit të Punëve të Brendshme në detyrë.

Në fjalën përfundimtare, prokurori Avni Namani tha se, sipas ekspertizës, bombola e gazit lotsjellës konsiderohet armë. Për këtë arsye, ai kërkoi që Gjykata ta shpallë Sveçlën fajtor për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Sipas Prokurorisë, gjatë seancës plenare të 21 marsit 2018, Sveçla e aktivizoi disa herë bombolën e gazit lotsjellës dhe e hodhi në sallë pa paralajmërim. Si pasojë, gazi u përhap në ambient, deputetët dhe personat e tjerë të pranishëm u detyruan të largoheshin nga salla, ndërsa seanca u ndërpre.

“Propozoj gjykatës që të pandehurin ta gjejë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit”, deklaroi prokurori.

Në të njëjtën seancë, Prokuroria njoftoi se ka hequr dorë nga akuza për “Pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, pasi kjo vepër penale është parashkruar. Megjithatë, akuza për përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm mbetet në fuqi.

Në këtë dosje janë përfshirë edhe deputetët Fitore Pacolli-Dalipi, Drita Millaku dhe Salih Zyba, të cilët akuzohen për të njëjtat ngjarje, por procedura ndaj Sveçlës është veçuar dhe po gjykohet më vete.

Aktakuza është ngritur në korrik të vitit 2019. Ajo u konfirmua nga Gjykata Themelore në Prishtinë në qershor 2024 dhe më pas u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit. Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, vepra penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, për të cilën akuzohet Sveçla, dënohet me burgim nga një deri në tetë vjet.

Ndërkohë po sot Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli të pafajshëm ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, i akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës gjatë një seance në vitin 2016. Gjykata vendosi se nuk ishte provuar akuza për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa akuza për “Pengimin e personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” ishte parashkruar.