Tiranë - Dhjetëra protestues u mblodhën para Ministrisë së Shëndetësisë për të shprehur pakënaqësitë e tyre në lidhje me shërbimin e spitalit Onkologjik. Sipas tyre, 'Tetori Rozë', i njohur si muaji i ndërgjegjësimit të grave për parandalimin e kancerit të gjirit, është kthyer në tetor të zi.

Ata thonë se gratë janë lënë të braktisura për shkak të mosfunksionimit të disa pajisjeve dhe mungesës së ilaçeve. Një nga protestuesit rrëfen se prej viteve ’90 endet dyerve të Onkologjikut, por situata, sipas tij nuk ka ndryshuar.

Protestuesit mbanin në duar tullumbace të zinj, si simbol të zhgënjimit për kushtet në të cilat trajtohen pacientët me kancer. Ata kërkuan që institucionet të ndërhyjnë menjëherë për të rikthyer në funksion aparaturat dhe për të garantuar barnat jetike.

Kjo është e disata protestë lidhur me kushtet e rënda në spitalit Onkologjik, por e para qëkur Ministria e Shëndetësisë drejtohet nga Evis Sala, e cila ka premtuar mjekime falas, për pacientët me tumore.

Pak ditë më parë, Report Tv raportoi se në “kulmin” e Tetorit Rozë, aparati i mamografisë në spitalin Onkologjik të QSUT është jashtë funksionit. Pacientëve, ende, nuk u është dhënë asnjë njoftim se kur do të mund të kryejnë ekzaminimin e nevojshëm.