Thaçi: Marrëveshja do respektohet
shumë shpejt ndahen postet

Thaçi: Marrëveshja do respektohet<br />shumë shpejt ndahen postet
Grupet punuese të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës janë takuar të premten në Kuvendin e Kosovës.Takimi që kishte nisur në mesditën e së premtes ka përfunduar pas më shumë se dy orëve, por detajet lidhur me atë se çfarë është diskutuar, nuk janë bërë publike, ndonëse ishte përfolur se është diskutuar për ndarjen e posteve.

Megjithëkëtë, kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh lider i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se do të respektohet marrëveshja politike e arritur me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa për koalicion qeverisës.

Deklaratën e tillë, Thaçi e ka bërë në Shkabaj, në vizitën që i ka bërë projektit për Fabrikën e përpunimit të ujit, për të cilën qeveria e vendit është duke bërë investime. 

“Gjithçka është duke shkuar sipas planit të paraparë. Sot janë takuar grupet punuese të LDK-së e PDK-së, për të harmonizuar çështjet programore. Është duke u punuar në mënyrë intensive”, ka thënë Thaçi.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pas arritjes së marrëveshjes me Partinë Demokratike të Kosovës për krijimin e partneritetit qeverisës, pati deklaruar se marrëveshja parasheh që kreu i qeverisë do të jetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërkaq resorët e qeverisë do të ndahen. Sipas tij ky është kushti për të hyrë në çfarëdo qeverie.

Por, lideri i PDK, Thaçi, as e ka pohuar, e as mohuar një gjë të tillë.

“Shpresoj që shumë shpejtë do të përmbyllet edhe kjo çështje dhe çdo gjë është duke shkuar në respektim të marrëveshjes së arritur në mes të PDK-së, LDK-së dhe partnerëve tjerë minoritar që do të jenë pjesë e institucioneve legjislative, ekzekutive dhe presidenciale”, tha Thaçi.


Së bashku, LDK dhe PDK kanë 67 deputetë dhe mund të llogarisin edhe në përfshirjen e pakicave, të cilat kanë të rezervuara 20 vende në Kuvend.




Redaksia Online
(shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?



×

Lajmi i fundit

Zyrtare/ Marco Reus largohet nga Borussia Dortmund pas 22 vitesh

Zyrtare/ Marco Reus largohet nga Borussia Dortmund pas 22 vitesh