Thaçi:Trepça s'diskutohet me asnjë
Vuçiç:Ne të gatshëm për bisedime 

Thaçi:Trepça s'diskutohet me asnjë<br />Vuçiç:Ne të gatshëm për bisedime 
Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi, tha se “çështja e Trepçës, nuk do të diskutohet me askënd sepse është pasuri e Kosovës”.

Thaçi këtë deklaratë e bëri gjatë takimit me homologun e tij austriak, Sebastian Kurz. Ata biseduan edhe për dialogun Prishtinë - Beograd që pritet të vazhdojë me 9 shkurt në Bruksel, e për të cilin ministri i jashtëm austriak tha se presin progres nga qeveria e re e Kosovës.

Diplomati austriak u prit sot edhe nga kryeministri Isa Mustafa, ndërsa mbrëmë ai u takua me presidenten Atifete Jahjaga.

Kuvendi i Kosovës miratoi dje ndryshimet në projektligjin për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasuritë e tyre, sipas të cilit AKP-së i jepet kohë shtesë për përgatitjen e planit për riorganizimin e “Trepçës”.
 
Ka qenë ambasada amerikane, e cila e ka parandaluar shtetëzimin e “Trepçës” dhe jo qeveria e Serbisë.Amerikanët e kanë vlerësuar si të dëmshëm që qeveria t’i marrë përsipër borxhet e pretenduara nga kreditorët që kalojnë shifrën 1 miliardë euro. 

Vuçiç: Të gatshëm për bisedime për kombinatin e Trepçës 
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se Serbia është e gatshme që të bisedojë për kombinatin Trepça dhe se kjo çështje mund të ngrihet në dialogun me Kosovën në Bruksel.
 
“Nëse Thaçi thotë se nuk ka bisedime, ai po bëhet fuqi e madhe, udhëheqës i madh i popullit të tij. Unë jam njeri i thjeshtë dhe nuk mund të bëj kërcënime. Ne jemi të gatshëm të bisedojmë, të gatshëm për dialog”, ka thënë Vuçiç, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
 
Më herët, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Trepça është pasuri e Kosovës dhe se për këtë nuk do të flitet me askënd tjetër./REL/


David McMiller: Trepça nuk duhet të jetë kusht për dialog

Mediat Serbe i kanë kushtuar një rëndësi të madhe çështjes së minierës së Trepçës duke analizuar vendimet e Kuvendit të Kosovës e situatën e parë nga këndvështrimi i BE.

Sipas B92 raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë deklaron se normalizimi i marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës luan një rol të rëndësishëm në procesin e negociatave për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

David McMiller deklaroi lidhur me çështjen e minierës së Trepçës se “Serbia nuk duhet t’i bëjë presion Kosovës për mos shtetëzimin e minierës së Trepçës, si një kusht për normalizimin e dialogut në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës.” 

McMiller u shpreh se: “Dëgjova se Serbia ka thënë se do të anulojë pjesëmarrjen në dialogun e nivelit të lartë politik nëse qeveria e Kosovës shtetëzon Trepçën. Nëse kjo është e vërtetë, më duhet të ritheksoj për Serbinë se dialogu me Prishtinën është një nga kushtet kyçe për progresin e vendit në procesin e integrimit Evropian.”

Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës pritet të fillojë më 9 shkurt në Bruksel, nën drejtimin e përfaqësuese së lartë të Bashkimit Evropian për marrëdhëniet me jashtë, Federica Mogherini, pas muajve të tërë anulimesh për shkak të zgjedhjeve në Kosovë e formimit të qeverisë së re. Qeveria Serbe reagoi ashpër pas vendimit të qeverisë së Kosovës për amendimin e një ligji mbi ndërmarrjet publike, që kërkon zotërimin e 100% të aksioneve të minierës së Trepçës dhe disa kompanive të tjera. Aleksandër Vuçiç deklaroi se nuk do të lejonte që “t’i merreshin pronat e Serbisë brenda natës”.

Kjo bëri që kreu i qeverisë së Kosovës të vendoste për rregullimin e çështjes së Trepçës nëpërmjet një ligji të veçantë, duke mos e votuar bashkarish në projektligjin e miratuar një ditë më parë.


Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf