GJKKO ka dënuar për fyerje deputetin Ervin Salianji ndaj Evi Kokalarit. Salianji është dënuar me 50 mijë lekë gjobë. Deputeti i Partisë Demokratike gjatë një interviste televizive, e cilësoi aktivisten e pozicionuar krah Sali Berishës, për ‘Foltoren’ si 'skizofrene' dhe njeri pa përfaqësim. Evi Kokalari paditi në SPAK Ervin Salianjin edhe për shpifje, por gjykata e shpalli të pafajshëm për këtë vepër penale, ndërsa e ka shpallur fajtor vetëm për fyerje. Sipas Salianjit, bashkëshorti i Kokalarit është i përfshirë në partinë Agimi i Artë, i financuar nga qarqe antishqiptare.
‘‘Një që ka ngjitur në Foltore Berisha, është si Shën Eleonora që e mbante veten për të shenjtë, një që ka gjithë elementët e skizofrenisë dhe ajo nuk mund të bëjë copë asnjë njeri, pasi nuk bën copë një njeri që është në këto përmasa, e zhytur shumë në këto fekalet, nuk bën dot. Janë njerëz pa përfaqësim. Kokalari është një emigrante e papunë, bashkëshorti i saj është i përfshirë në partinë Agimi i Artë, i financuar nga qarqe antishqiptare. Janë njerëz më shumë se të shpifur, nuk kanë asnjë kontribut në PD.’, shprehej Salianji.
Vendimi i gjykatës
‘Gjykata vendosi deklarimin e pafajshëm të të akuzuarit Ervin Bujar Salianji për veprën penale "Shpifje", parashikuar nga neni 120/2 i Kodit Penal, në dëm të viktimës akuzuese Evi Kokalari Angelakis pasi fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale. Deklarimin fajtor të të akuzuarit Ervin Bujar Salianji për veprën penale "Fyerje", parashikuar nga neni 119/2 i Kodit Penal në dëm të viktimës akuzuese Evi Kokalari Angelakis dhe dënimin e tij me 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë gjobë. Në zbatim të nenit 34 të Kodit Penal gjoba te paguhet nga i akuzuari Ervin Bujar Salianji. Gjoba të paguhet brenda një viti nga marrja formë e prerë e këtij vendimi. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesērmja e njoftimit të këtij vendimi.’- njofton gjykata.